Bollino: Në Demokraci liria e shtypit s’është liri e shpifjes

carlo-bollino-opozitar-ne%cc%88-adn-395x237-1

Kështu fitova betejën e parë kundër pseudogazetarëve

Carlo Bollino arrin fitoren e dytë kundër shpifësve profesionistë

 

Kemi një lajm të mirë për të dhënë: Piratët mund të mposhten! Edhe në Shqipëri më në fund mund të kemi ca grimca drejtësi. Për ta fituar m’u desh të shkoja në anën tjetër të Botës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo nuk është dhe aq normale. E megjithatë, mbetet kënaqësia se mundëm të shihnim një film në të cilin më në fund, të paktën një herë, të mirët fitojnë. Por, para lajmit të mirë, duhet një parathënie.

Kur 25 vite më parë Sali Berisha fitoi zgjedhjet e para pluraliste në vend, pas 48 viteve regjim komunist, krimi më i madh që kreu ishte ai që i bëri popullit të besojë se “Demokraci” donte të thonte “Anarki”, dhe se e vetmja mënyrë për të kundërshtuar Shtetin policor të krijuar nga Enver Hoxha, ishte shkatërrimi i çdo forme Shteti. Berisha, të cilit historia i besoi dhe detyrën për të shpikur në Shqipëri ekonominë e tregut, për padituri apo keqdashje, kreu mëkatin e tij të dytë të madh duke fshirë në të gjitha mënyrat e mundshme paralelin “puna baraz pasuri”. E kështu shtyu dy breza të tërë shqiptarësh të jetonin me të ardhurat nga të afërmit në emigracion e  më pas i bëri t’i digjnin të gjitha kursimet në sistemin financiar piramidal: Një tjetër mashtrim që forcoi bindjen se mund të bëheshe vërtetë i pasur edhe pa punuar.
Në realitet gjërat janë shumë më ndryshe: Demokracia e vërtetë, në fakt, bazohet në respektin e rregullave (ekzaktësisht e kundërta e anarkisë), ndërsa një vend për të qenë vërtetë i lirë, pretendon që Shteti të jetë i fortë. Sepse vetëm një Shtet i fortë është në gjendje të garantojë respektin e të drejtave të përbashkëta dhe individuale, edhe përmes një drejtësie të drejtë.

Sot, pas 25 viteve, është një mashtrim i tretë që Berisha dhe partia e tij këmbëngulin ta ushqejnë: atë që “Liria e shtypit” do të thotë “liri shpifjeje”.  Sigurisht që nuk është kështu, sepse në të gjithë botën e lirë, edhe shtypi duhet të respektojë rregullat, dhe e para mbi të gjitha ndalon lirine për shpifje. Në shumë vende perëndimore (duke filluar nga Italia) për shembull,  një gazetar që publikon me qëllim një shpifje mund të dënohet që të mos e ushtrojë kurrë më profesionin e gazetarit. Në vende të tjera si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një artikull denigrues i paautorizuar, ose vetëm përdorimi i fotos se një qytetari e publikuar pa arsye ose pa leje, janë të ndaluara me ligj. Të njëjtat rregulla që në Shtetet e Bashkuara vlejnë për televizione, gazeta dhe uebe, janë në fuqi tashmë edhe në shume vende të Bashkimit Europian.

Pra, në të gjithë botën demokratike, gazetarëve iu garantohet e drejta e shtypit deri kur kjo e drejtë nuk cënon të drejtën legjitime të një tjetri. Dhe e drejta e parë legjitime që liria e shtypit duhet të mbrojë, është  që askush të mos akuzohet padrejtësisht për krime apo veprime që nuk i ka kryer. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të hetohet për korrupsionin e një politikani, për shembull, apo edhe mbi një qytetar të thjeshtë, por rregulli i shenjtë i gazetarisë investigative është mbledhja e provave dhe fakteve konkrete. Deduktime, interpretime dhe gjykime personale, nuk pranohen. Dhe gazetari investigative në asnjë vend të qytetëruar nuk ka të drejtë të shpallë një vendim fajësie, sepse prezumimi I pafajësisë është I paprekshëm deri në një vendim gjykate në formë të prerë. Dhe ky është një parim universal.

Të gjithë këtë Berisha dhe partia e tij nuk e thonë.  Ata në gjykatë mbrohen nga akuzat e hedhura nga foltorja e parlamentit duke thënë se akuzat e tyre janë “ushtrim i të drejtës politike”, por pastaj mbrojnë me shpatë gazetarët që edhe pse nuk janë deputetë, shpërndajnë nëpër mediat e tyre të njëjtat shpifje. Rezultati është kjo llavë e pështirë në të cilën është zhytur prej kohësh bota e mediave shqiptare.

Berisha, gjithnjë i pari në këto lloj krimesh, ka shpikur “qytetarin dixhital” që ka zënë vendin e fuksave anonimë që përdorte Sigurimi, të cilit i bën të thotë çdo shpikje që i kalon nëpër mend vetëm e vëtëm për të përbaltur kundërshtarët. Eshtë e njëjta teknikë, me të cilën regjimi komunist, – duke përdorur dëshmitarë të rremë – fuste në burg apo pushkatonte opozitarët e vet. Mediat besnike të Berishës ndjekin me verbëri të njeitën logikë, duke rrafshuar sensin e profesionit dhe duke shpërndarë shpifjet e tyre në mënyrë të pakontrolluar.

Pasi jam ofenduar dhe përfolur vazhdimisht me shpifje nga ish-kryeministri, unë vendosa ta padis në një gjykatë civile, pasi besoj se e drejta e tij për shpifje e ushtruar në foltoren e Parlamentit, s’mund të përhapet edhe në faqet e Facebookut. Akoma më pak kundër meje që jam vetëm një qytetar dhe jo një koleg I tij politik. Kam përfshirë në denoncimin tim edhe Facebookun të cilit I kam kërkuar të di nëse është normale të përdoret hapsira e tij për të shpifur ndaj njerëzve,  dhe do të çoj në gjykatë që tani e tutje të gjitha mediat jo anonime që kanë shkruar e do të shkruajnë shpifje ndaj meje.

Por kanceri i vërtetë janë faqet ueb të krijuara në vitet e fundit të cilat shpesh nuk kanë një pronar të deklaruar, nuk kanë një shoqëri pronare, nuk kanë një kryeredaktor të deklaruar, nuk kanë as emrin e një gazetari poshtë shkrimeve. E si mund të mbrohesh kundër shpifjeve që dalin nga këto uebe pirate dhe shpifës serialë? Duke parë boshllëkun ligjor që ekziston në Shqipëri të lënë nga Berisha, i cili beson pikërisht se liria e informimit është e barabartë me lirinë e shpifjes, vendosa t’iu drejtohem Shteteve të Bashkuara, ruajtëse të të drejtave dhe të lirive themelore. U kërkova shoqërive amerikane të cilat “strehojnë” në serverat e tyre uebet pirate shqiptare , të shuajnë shkrimet shpifëse ndaj meje. Ligji amerikan për lirinë e shtypit dhe të drejtat e autorit është shumë i qartë dhe në Shtetet e Bashkuara (në dallim me Shqipërinë) shpifja apo përdorimi abuziv i pamjeve të një qytetari të thjeshtë nuk pranohet. Dhe kështu, duke konsideruar legjitime të drejtën time, shoqëritë amerikane pas verifikimeve me zyrat e tyre ligjore, iu drejtuan me shkrim uebeve pirate shqiptare duke i kerkuar të heqin brenda 48 oreve ato shkrime që prekin të drejtat e mia: kush nuk pranonte (duke mos respektuar kerkesat “alla shqiptarçe”), shoqëritë amerikane ua bllokuan direkt uebin. Uebe të tjera pranuan dhe hoqën ato “shkrime”.
Ky është ligji amerikan, jo ligji im.

E kuptoj që është absurde t’i kërkoj Uashingtonit të mbrojë të drejtat e një qytetari që jeton në Shqipëri, por ëebi, për fat, nuk është vetëm ajo tokë helmesh e shpifjesh që shohim ne nga kjo anë, por  është edhe globalizim të drejtash. Dje fitova betejën time të parë, por meqë besoj se është një luftë civilizimi shumë e gjatë, do ta çoj deri në fund.

Pasi u përpoqa t’u mësoj për vite të tëra gazetarinë europiane kolegëve të mi të rinj, tani, që jemi të gjithë më të rritur, dua të përpiqem të shpjegoj se çfarë është deontologjia profesionale. Unë besoj me forcë se shpifja është një virus i mallkuar që politika ka mbjellë në kulturën e shtypit shqiptar, kundër të cilës  duket se nuk ekziston asnjë mjekim. Eshtë një virus që bën keq dhe godet dinjitetin e njerëzve e që sot kujtesa e pakufi e uebit e shndërron ne shpifje të përjetshme. Unë mendoj për time bijë dhe them se nuk është e drejtë që një ditë të shkruajë emrin tim në ueb e të lexojë ato shpifje të pështira që sot duhet t’ i lexoj përditë unë. Beteja ime nuk është vetëm beteja e një prindi që është përbaltur e që kërkon të mbetet ligjerisht një shembull legaliteti për vajzën e tij (ashtu si për 80 vite ishte im atë për mua), por është edhe një betejë profesionale dhe qytetarie. Gazetaria shqiptare është e sëmurë, e ndotur nga politika, që është e sëmurë nga ana e vet dhe që po vret bashkë me të vërtetën, besueshmërinë e të gjithë mediave.
Nëse Shqipëria dëshiron të zhvillohet me të vërtetë e të bëhet një vend normal, dhe nëse mediat duan të shpëtojnë funksionin e tyre dhe besueshmërinë, të gjithë kemi për detyrë të përballemi dhe ta shërojme edhe këtë të keqe.