Branko Geroski: Kim Mehmeti qenka trimnue e po thote se Shqiptari duhet me qenë kryeministër

branko geroski
branko geroski

Branko Geroski

 

Protesta e Shqiptarëve para qeverisë, që u tubua me ftesën e opozitës jashtë-kuvendare, me në krye Këshillin  Opozitar, tregoi se edhe në bashkësinë e dytë etnike me madhësi në Maqedoni ekziston një pakënaqësi e madhe nga regjimi, si edhe dëshira e fortë për ndryshime. Sipas mendimit tim, kjo është kumtesa më e rëndësishme nga ky tubim energjik i masës.
Më vjen keq se shumë revolucionarë – të ashtuquajtur “të  Facebook’ut” – por edhe qëllimmirë të sinqertë nga kampi i revolucionit të larmë, u dëshpëruan që në protestë nuk pati flamuj të Maqedonisë, se  pse u dëgjua himni i Shqipërisë dhe pse miku im Kim Mehmeti qenka trimëruar të thotë se Shqiptari duhet të jetë kryeministër, kryetar ose ministër i punëve të jashtme. Aq më e pakëndshme është  të mbeturit hatër të  disave që Shqiptarët duhej të jenë pjesë e revolucionit të larmë, sepse kjo me të vërtetë është  sikur të trokasësh në derën e hapur –  a nuk shihni se shumë miq tanë Shqiptarë janë mes bajraktarëve të protestave qytetare? Për ta, kjo hatër mbetje  është një fyerje e turpshme.
Siç e pritja dhe jam i kënaqur që në protestë të Shqiptarëve nuk kishte thirrje për federalizmin e vendit, (kjo është një shuplakë e fuqishme për “spin’uesit” e Gruevskit) nuk kishte retorikë të vrazhdë nacionaliste dhe nuk kishte dhunë. Këtë fakt e përjetova edhe si kënaqësi personale, sepse në vet nismën publikisht e përkraha protestën dhe i ftova të gjithë ata që protestojnë kundër regjimit të jenë tolerantë ndaj dallimeve midis nesh.
Atë kushtrim dua ta përsëris edhe njëherë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se shumë çështje lidhur me marrëdhëniet e  Shqiptarëve dhe Maqedonasve në shtetin tonë të përbashkët ende nuk janë mbyllur. Kur ta rrëzojmë bashkërisht regjimin e Nikolla Gruevskit, me energji më të madhe dhe me më shumë parime, me një frymë më të qetë, do ulemi dhe do kuvendojmë. Hapur dhe me sinqeritet, pa tema tabu. Vetëm ashtu mund t’i gjejmë zgjidhjet më të mira për Maqedoninë, shtet ku secili do ndjehet si në shtëpinë e vet.
Ndërsa deri atëherë, të mos jemi me zemrën në fyt.  Mos të lejojmë të na përlajnë banditët, të cilët një dhjetëvjeçarë të tërë e zhvatin Maqedoninë dhe krijojnë kriza ndëretnike që mbarojnë me fatalitet. Nëse, ne jemi më të mirë se ata zullumqarë, është koha ta shfaqim, tashti dhe menjëherë. Unë personalisht do ta tregoj këtë në mënyrën time – pres që Kim Mehmeti të më ftojë në tubimin e radhës së Shqiptarëve, në të cilën do paraqitem me flamurin e Maqedonisë.

Përktheu: Sh. Islami. / “Plusinfo”