Chris Patten: Theresa May dhe Brexit

theresa-may

Chris PattenNga Chris Patten*

Project-syndicate

Kryeministrja e re e Britanisë, Theresa May, ka një detyrë të jashtëzakonshme përpara: Të përmbushë kërkesën e votuesve britanikë – ose më saktë anglezë dhe nga Wellsi – për “Brexit” nga Bashkimi Europian dhe për menaxhim të pasojave të thella që vijnë prej kësaj. Sfida e saj i bën ato të paraardhësve të saj së fundmi të duken fare të vogla.

Por ajo mund t’ia dalë. Askush nuk duhet ta nënvlerësojë May. Ashtu si kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka provuar guximin përballë krizave të njëpasnjëshme, May ka të gjitha mjetet e nevojshme për ta bërë këtë gjë. Ajo është e zgjuar dhe e fortë, me pak durim ndaj gjërave të pakuptimta.  Ajo ka një ndjesi të fortë të shërbimit publik dhe një grup vlerash të konsoliduara. Ajo mbart pak bagazh ideologjik dhe është e zonja për të qëndruar në kontroll, ndërsa vepron brenda kufijve të vetvetes që e mbajnë në terren familjar.

May fiton shumicën e betejave që lufton dhe tregon pak mëshirë për ata që kanë përdorur taktika të dyshimta kundër saj. Megjithatë, ajo ka pak armiq të njohur brenda partisë së saj dhe është popullore në radhët e partisë. Është një kombinim i fuqishëm – të cilin ajo duhet ta përdorë plotësisht teksa përpiqet të nxjerrë Britaninë nga BE-ja. Mos u gaboni: Britania është në rrugën e daljes. May në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se nuk mund të ketë kthim pas në votën për t’u larguar, edhe pse Skocia dhe Irlanda e Veriut votuan për të qëndruar. “Brexit do të thotë Brexit”, këmbëngul ajo, ku ministrat e saj i bëjnë jehonë këtij refreni.

Por May duhet ta saktësojë ende se si e përcakton ajo Brexit. Kjo është pjesa e vështirë. Imagjinoni nëse dikush ju thoshte “vakti i mëngjesit nënkupton vakt të mëngjesit” dhe pastaj të largohej t’ju përgatiste ushqimin. Do të kishit fare pak idenë se çfarë do të hanit. Një “luster fry-up” irlandez – vezë, proshutë, salsiçe derri, puding kakaoje, patate, bukë dhe një domate të skuqur – me një filxhan çaji? Kafe dhe një byrek? Në varësi të rrethanave dhe preferencave tuaja, me gjasa do të ndiheshit shumë ndryshe për mundësitë. E njëjta gjë vlen për Brexit.

Disa shqetësohen kryesisht për ndalimin e forcës punëtore të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar. Të tjerë janë të përqendruar te ruajtja e aksesit në tregun e përbashkët. Por, ndryshe nga një mëngjes, Britania nuk mund të kërkojë gjithçka që ka menyja. Realiteti, shpesh i shpërfillur nga ata që mbështetin daljen, është se BE-ja nuk do të ofrojë diçka për hiçgjë.

Kjo nuk është ngaqë liderët e saj duan të fitojnë ca pikë apo të ndëshkojnë Britaninë për refuzimin e BE-së (ndonjëherë me retorikën e zjarrtë, sikurse sekretari i ri i jashtëm Boris Johnson, iu referua “imperializmit hitlerian”). Ne britanikët priremi të harrojmë, se kushdo – përfshirë BE-në dhe secilin shtet anëtar – ka interesat e vetë politikë ose tregtarë, që synojnë t’i mbrojnë. Për May, një sfidë qendrore e muajve të ardhshëm do të jetë përcaktimi realist se çfarë duhet të kërkojë Britania kur të fillojë negociatat e gjata mbi marrëdhënien me Europën (dhe në frontin tregtar, me botën).

Duke marrë parasysh agjendën (më vijnë në mendje të paktën gjashtë çështje madhore që do të kërkojnë negociata më vete), procesi do të kërkojë disa vite. (Mbesa ime 11-vjeçare do të jetë duke filluar universitetin kur ato të përfundojnë!) Prioritetet e qarta janë thelbësore për të mos e zvarritur procesin edhe më gjatë. Synimi, sigurisht, duhet të jetë arritja e një balance midis sigurimit të aksesit në pjesën tjetër të Europës për eksportuesit britanikë të mallrave dhe shërbimeve (veçanërisht shërbimeve financiare) dhe kufizimi i lëvizjes së shtetasve të BE-së në Britani.

Sa më shumë që negociatorët të arrijnë në këtë fushë, aq më tepër kompromis do t’u duhet të bëjnë gjetkë. May do të duhet të mbledhë të gjithë dijen, aftësinë dhe kapitalin politik të saj për të negociuar një marrëveshje të arsyeshme. Por edhe nëse ia del me sukses, ajo mund të zbulojë se jo vetëm disa persona do të jenë të pakënaqur – një rezultat i pashmangshëm – por se të gjithë janë të pakënaqur.

Kjo do të përbënte një tjetër sfidë madhore me të cilën përballet qeveria e May: Ngushtimi i përçarjes në shoqërinë britanike të cilën e ekspozoi fushata Brexit. Vota Brexit u fuqizua nga klasa e mesme punëtore e Veriut dhe Mesit të Anglisë, të cilët janë ndjerë prej kohësh të harruar nga liderët e tyre politikë, të lënë pas globalizimit dhe të margjinalizuar nga agjenti i perceptuar i tij, BE-ja.

Anglia metropolitane – veçanërisht Londra – mund të ketë përfituar, por ata jo. Duke mos pasur besim në Partinë Laburiste që po shkrihet nën liderin e krahut të majtë Jeremy Corbyn, shumë anëtarë të këtij grupi ranë pre e premtimeve populiste të atyre që mbështesnin daljen. “Ne do të përmbysim globalizimin”, deklaruan ata. “Ne do të kthejmë emigrantët që po na shtypin rrogat dhe do të shpenzojmë miliona paundët e shpenzuara për BE-në në shërbime publike”. Brexit, sipas tyre, do ta kthejnë Britaninë në një të shkuar më të sigurt dhe më të begatë. Premtimet ishin false. Globalizimi nuk mund të zhbëhet dhe migracioni nga BE-ja nuk mund të ndërpritet.

Çdo përpjekje për ta bërë këtë do të shkatërronte bizneset britanike. Edhe nëse një ekonomi ngurruese çon në rënie të imigracionit, punëtorët që votuan për Brexit do të zbulojnë të zemëruar se punët e paguara pak vazhdojnë të nxjerrin pak para dhe se shërbimet e tyre publike janë ende nën presion. Kjo nuk ka gjasa të nxisë kohezion social.

Vota brexit  ka shkaktuar gjithashtu një stuhi të ndjesisë populiste që do të jetë e vështirë për t’u kontrolluar. Ashtu sikurse Donald Trump nuk do t’i bëjë votuesit e tij të klasës punëtore me të ardhura me të mira në SHBA, Brexit do të dështojë t’i sjellë përfitim atyre që e zgjodhën atë – pavarësisht se çfarë pamje do të ketë. Kjo është një sfidë që May, pavarësisht aseteve të saj, mund të mos jetë në gjendje ta tejkalojë.

* Ish-komisioner i BE-së për punët e jashtme