Denko Maleski: Pika e fundit e rendit të ditës

maleski

Denko Maleski

 
Sot, Alsat-M më parashtroi një pyetje për mbledhjen e djeshme në Bruksel, në të cilën ministrat për punë të jashtme të shteteve anëtare të BE’së nuk paskan arritur që të kuvendojnë për Maqedoninë, dhe për këtë arsye e paskan shtyrë pikën e rendit të ditës për muajin e ardhshëm, e kjo m’i ndjelli  kujtimet. Mu kujtuan fjalët e sinqerta të ministrit të punëve të jashtme të Danimarkës, Jensen, gjatë vizitës së tij në Shkup gjatë viteve të vështira të rrënimit të federatës: ai më tha, në takimet tona ka me qindra pika dhe gjithmonë luftërat në Jugosllavi janë në fund të rendit të ditës. E dini, shtoi ai, edhe ne i kemi hallet tona, midis të cilave është  edhe krijimi i konsensusit rreth marrëveshjes së Mastrihtit me të cilën Bashkësia do shndërrohet në Union. Kjo ka shumë rëndësi për ne, theksoi ai. Nuk lëshoi pa e thënë se e bren ndërgjegjja dhe i vjen mbare, kur, ulen shpesh me kolegët nëpër kështjella me bollëk, që më të fundit t’i lënë kasaphanet etnike të cilat ndodhin përderisa mbahet mbledhja. Por, nënvizoi ai, ky është realiteti.
Pas njëzet e pesë vitesh, shoh se nuk ka ndryshuar asgjë në formulimin e rendit të ditës së Unionit: siç e kuptoj, problemet e Maqedonisë dhe të Kongos janë vendosur në fund të rendit të ngjeshur të ditës. Pse? Sepse lidhjet e unioneve duhet që së pari të kujdesen për interesat e anëtarëve të vet, e tek pastaj për të jashtmit. Këtë rregull të hekurt të  politikës ndërkombëtare e kemi ndjerë në lëkurë gjatë çdo orvatjeje të Maqedonisë që të bëhet anëtare e NATO’s  ose që t’i nis bisedimet me BE’në, kur, për shkak të mënyrës konsensuale të vendimmarrjes,  ku vetoja e një anëtari bëhet më e fuqishme se shuma e votave të tjerëve. E shijuam këtë, por nuk mësuam asgjë. Por, edhe pse pika jonë nuk u shqyrtua fare, deklaratat e ministrit të punëve të jashtme të Britanisë së Madhe dhe të sekretarit shtetërorë të MPJ’së së Gjermanisë e treguan gjithë frustracionin e anëtarëve të Unionit Europian me sjelljen e politikanëve tanë. Në të vërtetë, zbulohet një aferë e tillë e keqpërdorimit të pushtetit, ndërsa politikanët e ngatërruar  nuk pranojnë të përballen me pasojat, duke e irrituar, duke e acaruar opinionin publik me obstruksionet më të mundshme që nuk i ka hije sjelljes së sistemeve demokratike. Ndërsa, deklaratat e politikanëve Europianë se, shteti me sjelljen e tillë e humb perspektivën euro-atllantike, shpjegohet në mënyrë të ndryshme në shtetin tonë: pjesa dërmuese e sheh atë me shqetësim, ndërsa politikanët e inkriminuar,  me lehtësim. Që do të thotë, sa më larg nga NATO dhe BE, aq më larg nga përgjegjësia për veprat e bëra.
Unë e pyes veten: pse dhe si presim që të huajt të na e zgjedhin krizën, të cilën e prodhuam na vet me sjelljen tonë jo demokratike dhe para së gjithash  të pahijshme dhe të papërgjegjshme ? Parimi themelorë i ekzistencës së çdo individi si edhe të çdo shteti, e cila në fakt është një shumë e individëve, është parimi i ndihmës së vetvetes. Kuptohet, siç  individët edhe shteti bie në krizë. Ka situata kur duhet që t’u ndihmohet, por në mënyrën që do ta bëjë të panevojshme   ndihmën e ardhshme, e jo që të krijojë vartësi nga ndihmat. Por, çka të bëjmë. Kur dikush vendos ta shkatërrojë jetën e vet, luan kumar, pi ose i harxhon pa mend të mirat e familjes, njeriu tjetër mund vetëm aq ta ndihmojë. Kur një shtet e udhëheq klubi i vetëvrasësve, siç deklaroi para do kohe njëri nga katër liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoni, ka kufi në atë që mund të bëjnë shtetet e huaja që shteti fatkeq të mos kryej vetëvrasjen. Me të vërtetë –  çka të bëjmë ?

Plus Info / Përktheu: Sh. Islami