Dokumenti i vitit 1949, pse u denu Gjergj Fishta?

GjergjFishta

Si dhe pse u dënua At Gjergj Fishta në konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949? Një dosje e këtij viti ruajtur në AQSh me materiale mbi përgatitjen e kësaj Konference përmbledh një mori dokumentesh ku dëshmohet se si po zyrtarizohej nga viti në vit ‘historia e re’ e letërsisë shqipe.
Ndër tezat që po përgatiteshin të diskutoheshin në Konferencën e III-të të Lidhjes parashtrohet dhe kjo analizë mbi veprën dhe aktivitetin e At Gjergj Fishtës, pa autor në fund, ku argumentohet paragraf pas paragrafi se pse ky autor duhej zhdukur njëherë e mirë nga historia e letërsisë shqipe dhe cila ishte fryma “armiqësore” në veprat e tij.
“Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin…”

Kështu shkruhet në një paragraf të kësaj analize, duke përfunduar pak më poshtë me një varg konkluzionesh mbi pikat, se ku dhe pse duhej dënuar ky autor që nuk i shkonte për shtat regjimit të ri komunist që po instalohej në Shqipëri.

Ky asht dokumenti:

Pjesë nga tezat e Konferencës së Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve
Mrizi i Zanave 

– Fishta vijën e tij politike, përmbajtjen poetike, nuk e ndryshon as në vjershat e tij lirike, dhe as që mund ta ndryshonte. Edhe këtu ai u ngre himne feudalizmit dhe imperializmit; edhe këtu ai vjell vrer kundër popujve fqinj, sidomos kundër sllavëve; edhe këtu ai do t’i ngrejë himne “Mbretit”.
Lirikat e Mrizit të Zanave janë në përgjithësi një jehonë e “Lahutës”. Gjenden këtu edhe disa lirika me subjekt jo politik, si “Burrnija”, “Dita e Gjyqit”, “Nji lule vjeshtet”. Në subjekte të tilla Fishta zakonisht bie në retorikë, në reklamacion, në reminishenca dhe imitacione të thata. Fishta ndjen dhe këndon vetëm ashtu siç është edukuar; ndjen e këndon gjëra të klasës dhe të klikave që e kanë rritur, që e kanë mësuar dhe e kanë madhëruar me dekoratat e titujt “Poet Kombëtar”, “Akademik” etj. si poet lirik Fishtën përgjithësisht nuk e kishte pranuar as kritika zyrtare e së shkuarës; kjo do të thotë se lirika e tij klasës sunduese nuk i kishte sjellë shërbime aq të mëdha siç kishte bërë “Lahuta”. Aq më pak prandaj do ta pranojmë ne sot Fishtën si poet lirik, kurse lirizmi i tij ose është një jehonë helmuese e “Lahutës”, ose është retorik dhe imitacion i thatë i poetëve të huaj.
Këtë mund ta shohim qartë në lirikën e tij “Nji lule vjeshte” ku Fishta ka imituar njëkohësisht Leopardin, Horacin, Manzonin, Montin dhe Foscolo. Bile në disa vargje ai edhe i ka përkthyer fjalë për fjalë këta poetë. Gjithashtu në lirikat “Burrnija” dhe “Dita e Gjygjit” ai me një retorikë bombastike është përpjekur të imitojë madhështinë universale të koncepteve artistike të Michel Angelo-s, por krijimi personal i tij nuk shihet në to.


Anzat e parnasit dhe Gomari i babatasit
– Në këto dy vepra përmblidhet satira e Fishtës. Është thënë shumë herë, e ndonjëherë edhe në kohën tonë revolucionare, se Fishta si poet satirik është një poet me vlerë dhe si i tillë do të mbetet. Kjo ide është shumë e gabuar. Në Fishtën ka kontradikta, këtë askush nuk e mohon as që mund ta mohojë, sepse vetë vija politika që ai ndjek në zgjedhjen e temave dhe në trajtimin e tyre, është plot me kontradikta.
Ajo është vija politike e imperializmit dhe e klasave sunduese në procesin historik të vendit tonë. Dhe dialektika ne na mëson se imperializmi dhe klasat sunduese jetojnë si parazitë mbi kontradiktat. Kontradiktat zhduken në sistemin shoqëror ekonomik dhe politik veç me zhdukjen e klasave, e për konsekuencë edhe në art vetëm atëherë do të mund të zhduken këto kontradikta.
Mbi sistemin e kontradiktave më të çuditshme ishte rritur, rronte dhe këndonte Fishta. Është një çudi pra në qoftë se e shohim Fishtën në disa momente të ngrihet dhe të satirizojë Turqinë, Italinë, Anglinë ose ndonjë tjetër shtet imperialist. Ai këto shtete të tjera herë edhe i ka lëvduar. Kështu ai vepronte sipas momentit, sipas situatës politike, sipas interesave të klasës sunduese për të cilën këndonte. Kështu p.sh. të mos çuditemi aspak kur Fishta në poemën heroike-komike “Palok Cuca” vërsulet kundër Italisë dhe shtëpisë Savoia, sepse po ai Fishtë shtëpisë Savoia më 1940 do t’i urojë fitore glorioze në telegramin që i drejton Viktor Emanuelit me rastin e 40-vjetorit të mbretërimit të tij.
Asnjë çudi në qoftë se shohim Fishtën të ngrihet dhe të kritikojë qeverinë e Tiranës në “Gomarin e Babatasit”. Ai këtë bënte në një moment kur Zogu dhe klika e tij po mendoheshin dhe s’po vendosnin dot se cilit imperializëm t’i shiteshin, kurse një klikë tjetër tradhtare, ku bënte pjesë edhe Fishta kishte vendosur që Shqipëria t’i shitej Italisë dhe donte që hapi i parë të fillonte pikërisht aty ku është baza e independencës së një shteti të pavarur, d.m.th. në ekonomi. Ja se ç’thotë Fishta në “Gomarin e Babatasit”:

“Vall, traktatit të tregtis

N’mjest’ Shqypnis – edhé Italis,

Qi tash ma se nji motmot

Kjé ba gati, pse dér m’sot

Qeverija s’i vu’ dorë,

Por la fushë edhé malcorë

Me u tha ujet t’ngatët e shpija,

Ke s’u ban pare baktija?…”

(Gomari i Babatasit…, f. 45)

Natyrisht për realizimin e politikës së shitjes së vendit te të huajt duhej vajtur edhe më tutje, duheshin sjellë të huaj që në fillim të ekzistencës së shtetit të ri për t’u futur kudo në administratë, për t’i përgatitur terrenin okupacionit. Ja këshillën që i jep Fishta shtetit të ri shqiptar me satirën tij:

“Për me siellë punët t’ona mbarë,

Ktu duen siellë njerz dijetarë

Prej Europet: profesorë
Edhe eksperta: e ktyne n’dorë

Me jau lshue administratën…”

(Gomari i Babatasit…, f. 55)

Klasës sunduese dhe klikave tradhtare, poeti i të cilave është Fishta, pas Luftës së Parë Botërore kishte mbetur vetëm një padron me të cilin punët u ujdisnin mirë: Italia imperialiste. Dhe Zogu, përfaqësuesi i kësaj tradhtie të re, nga më të mëdhatë e më të poshtrat që u bënë ndonjëherë në kurriz të popullit shqiptar, ia mbaroi Fishtës që të dyja këto amanete: i dha koncesione ekonomike Italisë, dhe aparatin e shtetit e mbushi me të ashtuquajturit këshilltarë italianë të cilët në bashkëpunim me agjentë të brendshëm si Fishta me shokë i përgatiti popullit shqiptar ditën e zezë të 7 prillit 1939. Pasi Zogu i bëri këto Fishta s’e kritikoi më as atë as xhelatët e tij; për më tepër bile u bë mik i ngushtë i tij, shkroi artikuj lavdërimi për monarkinë e tij, dhe në pallatin e tij hyri e doli si në shtëpinë e vet.
Ja ku qëndron e ashtuquajtura vlerë e kritikës politike që bën satira e Fishtës: kritiko sot atë që s’të vete pas interesit për t’u bërë mik i ngushtë nesër me të në rast se interesat bashkohen. Ja morali, ja parimet mbi të cilat mbështetet edhe satira e Fishtës.
Do të ishte gabim i madh sikur ndokush të donte të pranojë satirën e Fishtës sot si një gjë pozitive: ata që duan të bëjnë një gjë të tillë Fishtën ose nuk e kanë studiuar thellë dhe flasin kështu sipërfaqësisht mbi të, ose e bëjnë këtë gjë me qëllim për t’i lënë kështu Fishtës edhe sot ndonjë qoshe të lirë në literaturën tonë. Fishta ka qenë konsekuent kudo e kurdoherë në prodhimin e tij letrar me vijën politike e ideologjike që ka ndjekur klasa sunduese e vendit tonë për të cilën ai ka kënduar. Përmbajtja e veprave të tij që nga pjesa e parë e “Lahutës” që u botua më 1905 e gjer në fund të jetës së tij përfaqëson aktivitetin tradhtar të politikës së kësaj klase, me të gjitha lodrat, kapërcimet dhe zigzaget e saj.
Satira shoqërore e Fishtës merret me vese bujarësh të rënë nga gjendja, me vese grash e të tjera punë boshe, dhe është trajtuar në mënyrë që s’lë ndonjë gjurmë kritike konstruktive për shoqërinë.
Arti, stili dhe gjuha
– Natyrisht arti i Fishtës është lidhur ngushtësisht me përmbajtjen e veprave të tij. Prozopopeja, hiperbola, metafora dhe deklamacioni i fjalëve bombastike të shurdhojnë veshët në gjithë poezinë e tij. Natyrisht ai detyrohet të veprojë kështu, pse nën këto ai do të mbulojë figurat e tij jo reale, situacionet fantastike të ngjarjeve, shproporcionet e heronjve të tij antihistorikë. Fishta nuk mund të ishte i natyrshëm, realist në artin e tij. as lënda që ai trajtonte, as shkolla ideologjike dhe estetike ku ai kishte mësuar s’ia lejonin një gjë të tillë.
Lënda që ai trajtonte është një gënjeshtër e madhe. Me këtë ai do t’ua arrijë qëllimeve që janë në kundërshtim me të vërtetën, dhe prandaj arti dhe stili i tij detyrohen të bëjnë përpjekje për të gjetur ekspresionin e tyre jashtë natyrës: Kështu patjetër arti i tij në përshtatje të plotë me përmbajtjen, karshi realitetit të gjërave dhe të historisë njerëzore, ta sublimojë në trajta mbinjerëzore, bie në komicitet; karshi armikut që ai kërkon ta gjejë atje ku s’ekziston, dhe ta luftojë me fanatizëm prej kleriku inkuizitor, bie në monstruozitet. E tërë “Lahuta” e tij është ekzekutuar me një art dhe me një stil të tillë.
Dhe kjo për Fishtën kishte konsekuencë: bazat e artit, ideologjia, ndjenja dhe fantazia e tij ishin edukuar dhe ushqyer shtrembër në gjithë jetën e tij; domosdo shtrembër do të dilte edhe veshja e tyre artistike dhe stilistike. Nuk mund të këndohet realisht e natyrshëm falsiteti dhe e çnatyrshmja, nuk mund të këndohet bukur e keqja dhe monstruoziteti.
Metrika që ai përdor zakonisht është e thjeshtë: e tërë “Lahuta” e tij është shkruar me 8-rrokëshe që i kanë aksentët tonike mbi rrokjen e tretë dhe të shtatë. Në lirikat e në satirën e tij ai ka përdorur edhe vargje të tjera që nga 3-rrokëshi e gjer te 11-rrokëshi. Përgjithësisht metrikën ai e njeh mirë, por gjuha e rëndë që përdor e bën të zorshëm leximin dhe skandimin e vargut të tij. Stili i prozës së tij është i rëndë dhe i ngatërruar, sepse periudha e tij kërkon të ndjekë modelin e periudhës klasike latine dhe italiane, pa marrë parasysh natyrën e thjeshtë të gjuhës sonë.
Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin. Edhe me anë të gjuhës Fishta bën lodrën e klasës sunduese dhe të armiqve të jashtëm të vendit tonë: hap hendekun e përçarjes edhe më tej se ç’e kishte hapur vetë koha e okupacionit turk.

d) KONKLUZION. – Fishta që e filloi karrierën e tij politike me kompromis karshi okupatorit otoman me himne lavdie dhe dashurie karshi imperialistëve të rinj që po i kërcënoheshin vendit tonë me urrejtje egërsie karshi popujve fqinj, me sublimin të feudalizmit e të patriarkalizmit, me mospërfillje për popullin që shtypej nën një mijë mjerime, Fishta qe ai që realizoi në literaturë të tërë vijën e reaksionit më të tërbuar të vendit tonë. Për këtë meritë, klasat sunduese që morën në dorë sundimin ekonomik dhe politik pas çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha otomane, Fishtën e pagëzuan “Poet Kombëtar”. Për këtë meritë të tijën padronët e tij, perandorët, mbretërit dhe papët i dhanë dekorata e tituj akademikë.
Për këtë edhe kritika zyrtare e servilizmit dhe e konformizmit letrar të kohës së Zogut “Poetin Kombëtar” të njëmijë flamurëve e rrethoi me aureola, me thimjane e dafina, dhe veprën e tij të shëmtuar e quajti “epokë letrare”. Klasa sunduese dhe imperialistët e ndryshëm kishin të drejtë ta shpërblenin Fishtën, sepse ai këndoi për të gjithë jetën e tij, vu në dispozicion të tyre të gjithë energjinë e tij artistike dhe kulturore, zhvilloi për to një aktivitet të dendur politik.
Vepra e tij mbetet një dokument tradhtie të pashembullt në literaturën tonë: tradhti karshi independencës së vendit dhe lirisë së popullit. Mbetet një dokument elokuent për egërsinë e mizorinë e mjeteve me të cilat klasat sunduese kanë zakon të realizojnë shtypjen e shfrytëzimin e popujve. Mbetet një dokument barbarie e kanibalizmi, karakteristikë e klerikëve inkuizitorë të Mesjetës.

(Marre nga shqiptarja.com)