Edi Rama: Britania, Bashkimi Europian, Shqipëria

0,,18570760_303,00

Edi Rama

 

Sot Europa është më e dobët. Ndërsa Britania aspak më e fortë, në mos edhe më e dobët se Europa që ka dobësuar. Të dyja bashkë, pavarësisht nga njëra – tjera tanimë, përballen me paqartësinë dramatike të së nesërmes.Nëse Europa nuk e di çfarë e pret politikisht, me efektin e mundshëm zinxhir të ikjes, Britania aq më pak mund të jetë e sigurtë për atë që vjen. Sepse ata që deshën të qendronin në BE ishin rinia, Londra, Irlanda dhe Skocia. Kjo e fundit e ka shpallur menjëherë hapur ambicien e vet, per t’u shkëputur nga Britania me një referendum të ri dhe per t’u integruar si shtet i pavarur në Europë. Në Irlandë janë ripërvijuar sa hap e mbyll, vijat e vjetra ndarëse dhe zëri që thërret për shkëputje është ngritur lart.

Në Londer ka nisur firmosja e një peticioni, për shpalljen e pavarësisë nga Britania(!). Nëse ky peticion s’mund të merret seriozisht si ndonjë hap real drejt shkëputjes nga trupi i Anglisë, nuk mund të mos merret seriozisht çarja e madhe që tregoi vota popullore, mes lokomotivës së ekonomisë britanike dhe vagonave të gjysmës së fundit të trenit të saj – të cilët peshuan më shumë në votimin e djeshëm. Gjithçka mbetet për t’u parë, po çka nuk ka diskutim është se nesër në mëngjes, Britania e Madhe nuk do të gdhihet as më e fortë dhe as më e qartë.

Se cili do të jetë reagimi politik i Brukselit dhe se sa është në fakt, Brukseli, i aftë për ta pasur një reagim real, kundër inercisë që e udhëheq tanimë prej shumë vitesh, në një rrugë gjithnjë e më pak inspiruese për popujt e Familjes së Bashkuar, edhe kjo mbetet për t’u parë. Po hëpërhë, deri kur reagimi do të vijë, nëse do të vijë ndonjëherë, Europa është sot më shumë se dje një mish për topat e ekstremistëve të djathtë dhe lëvizjeve antipolitike, që dinë kë nuk duan, po s’kanë asnjë aftësi për të kuptuar dhe lëre më pastaj për të bërë atë që duhet.

Shqiperia në këtë mes nuk do të hynte fare, nëse nuk do ta fusnin qoftë edhe pa e thënë, në këtë valle, interesat e atyre që këtu nuk duan shtet, nuk duan ligjshmëri, nuk duan reformat e sakrificat që kërkon zhvillimi real. Po duan veç pushtetin që kanë humbur apo privilegje gjithëfarë që s’duan t’i humbin ose përfitime që nuk u takojnë.

Nuk do të hynte në këtë mes fare Shqipëria, sepse për ne nuk ka asnjë rrugë tjetër nga kjo e integrimit europian, për t’u bërë një shoqëri që bashkëjeton me ligje, funksionon përmes institucioneve dhe zhvillohet mbi disa vlera, parime e rregulla të gjithëpranuara. Të cilat, pa Europën, pa kaluar përmes “ferrit” të procesit të integrimit europian, ne nuk do të ishim kurrë të aftë t’ia impononim vetvetes, në këtë fazë të historise sonë.

Çka dua të them është se, edhe nëse parashikimi për fatin e Europës së Bashkuar, do të ishte sot shkrirja e plotë e saj pas 5 vjetësh (çka unë nuk e besoj se do të ndodhë as pas 5 e as pas 10 a më shumë vjetësh sidoqoftë), ne duhet të vazhdonim të luftonim çdo ditë për t’u bërë anëtarë të saj. Sepse për ne, rruga e kësaj lufte nuk është rruga për të shkuar aty nga të tjerët duan të ikin, po e vetmja rrugë për t’u bërë shtet modern, duke fituar hap pas hapi, betejat e transformimit jetik të vendit e të shoqërisë sonë!

Ne nuk jemi Britania e Madhe, një shtet solid që kërkon një rrugë të re, krejt të panjohur edhe për atë vetë. Ne jemi një popull europian në mes të Europës që ende s’kemi shtetin tonë europian. Të cilin mund ta ndërtojmë, vetëm duke vazhduar në të vetmen rrugë të njohur, atë të Bashkimit Europian.