EKSKLUZIVE/ Dokumenti i britanikëve: Enveri përdor brutalitetin e Mehmetit për spastrimet në Veri

enver-hoxha-mehmet-shehu

Oficerët britanikë të ndërlidhjes (SOE) që morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri kanë prodhuar një dokumentacion me dhjetëra mijëra faqe, i cili aktualisht gjendet i gjithi i hapur në Arkivin Britanik. Shumë prej oficerëve patën mundësi të punojnë gjatë luftës me kreun e Brigadës së Parë, Mehmet Shehun, duke dokumentuar shumë prej krimeve të tij gjatë luftës, por edhe pas saj.

Oficerët britanikë që patën kontakt dhe bashkëpunuan me Mehmet Shehun ishin të shumtë gjatë luftës. Përgjithë- sisht, ata ndanin të njëjtin mendim se ai ishte ushtaraku më i rëndësishëm në Shqipëri, por ndërkohë edhe më i ashpri duke kryer krime të shumta. Dokumentacioni arkivor është tepër voluminoz, që numëron mbi 40 mijë faqe, ndërsa në këtë botim paraqiten disa dokumente të muajve në prag të çlirimit dhe muajve pas tij, në fillim të vitit 1945.

Por të vetëdijshëm që kishin humbur influencën e tyre në Shqipëri, britanikët nuk e njohën qeverinë e Enver Hoxhës. Një pjesë e oficerëve britanikë mendonin se Mehmet Shehu mund të ishte lideri alternativ në rast të një rrëzimi nga brenda të Hoxhës. Ata shpresonin që Mehmet Shehu mund të mbante një mundësi për t’u afruar me britanikët. Edhe në një profil zyrtar të dorëzuar në Ministrinë e Jashtme Britanike në prill të 1945, një pjesë e oficerëve që e njohën besonin se Shehu mund të rivalizonte Enver Hoxhën.

Por në këtë situatë, ata analizonin se përdorimi i Mehmet Shehut për të shuar çdo rezistencë në Shkodër dhe në Veri të vendit, sheshoi marrëdhënien e ftohtë mes tij dhe Enver Hoxhës. Duket që marrëdhënia e tensionuar mes Hoxhës dhe Shehut kishte filluar që pas Kongresit të Përmetit, ku Mehmet Shehu nuk u gradua si gjeneral dhe humbi disa role komanduese ushtarake në luftë. Më pas, ai nuk mori asnjë rol të rëndësishëm në qeverinë e sapokrijuar nga Enver Hoxha dhe sipas britanikëve, Mehmet Shehu kërkonte Ministrinë e Mbrojtjes.

TERRORI NË TIRANËN E SAPOÇLIRUAR

Oficeri britanik Oliver, që u mor me koordinimin e luftës për çlirimin e Tiranës, përshkruan në një dokument të gjatë marrëdhënien e tij me Mehmet Shehun. Sipas tij, rrethimi i Tiranës zgjati për 20 ditë, ndërsa Mehmet Shehu ishte acaruar dhe bëri një kërkesë ndaj britanikëve. Ai i kërkoi britanikut që aviacioni aleat të bombardonte në brendësi të Tiranës e në veçanti qendrën e saj, e cila po ruhej nga forcat gjermane, pa llogaritur civilët. “Ai më pyeti së çfarë ndihma do të vijnë nga ndihma ajrore për Ballkanin. I thashë se një operacion i tillë do të kishte vlerë pas një sulmi të koordinuar të këmbësorisë dhe e pyeta se kur ka ndërmend ta bëjë.

Ai m’u përgjigj: ‘Ju bombardoni objektivat që ne ju kërkuam dhe sa për sulmin e këmbësorisë nuk është puna juaj’. Iu përgjigja duke i thënë se përgjigjja e tij nuk është bindëse dhe se duke parë që forcat armike në Tiranë janë kaq të vogla në numër, është e vështirë të bind shtabin tim në Bari të realizojë një sulm ajror që është shumë i kushtueshëm dhe nuk besoja se do të ishte me vlerë pa pasur një garanci që partizanët do e përdornin mirë këtë avantazh”, raportoi majori britanik Oliver në fillim të nëntorit 1944. Por me marrjen e Tiranës, oficerët britanikë që ndodheshin pranë shtabit të Mehmet Shehut raportuan për reprezaljen e madhe që po ndodhte nga trupat e Mehmet Shehut në Tiranë.

Në një dokument sekret të datës 22 nëntor 1944, një major tjetër britanik Thornton raportoi se situata po kthehej në dramatike për shkak të terrorit të filluar ndaj kundërshtarëve të supozuar politikë. “Shkohet shtëpi më shtëpi dhe në mënyra drakoniane u kërkohet banorëve të marrin pjesë në takimet e Partisë. Pëshpëritet fushatë pro Rusisë dhe kundër aleatëve perëndimorë. Ka një kontroll të egër ushtarak me shtetrrethim dhe sekuestrime pronash, me përjashtim të atyre që kanë letra të partizanëve. Kështu mund të jetë çdo kryeqytet një javë pas largimit të gjermanëve”, raportoi Thornton në datën 22 nëntor 1944.

Ndërkohë në një tjetër raportim për shtabin britanik në Bari, majori dërgoi një tjetër raportim një ditë para parakalimit të qeverisë së Enver Hoxhës në Tiranë. “Arrestimet vazhdojnë. Burgjet janë plot me një numër që mund të jetë më i madh se 1200 veta. Trajtohen në mënyrë të papërshtatshme në shumë raste.

Enver Hoxha gjatë paradës më 29 nëntor
Enver Hoxha gjatë paradës më 29 nëntor

Dali Ndreu pranoi se shumë prej tyre janë burgosur për shkak të Ditës së Pavarësisë, 28 Nëntorit, dhe do të lirohen më vonë. Kjo lloj politike do të bëjë që elementët demokratikë, të cilët janë ende në liri, nuk do të kenë liderë dhe do të jenë të parëndësishëm. Raportohen sjellje antibritanike. Lëvizjet e Brigadës së 12-të në Jug janë me rëndësi”, raportoi Thornton në datën 22 nëntor 1944.

VRASJET NË SHKODËR

Britanikët krijuan edhe një shtab prej 3 oficerësh në Shkodër, pas çlirimit të saj, të cilët qëndruan deri në fund të janarit 1945. Ata i raportuan komandës së tyre se Mehmet Shehu erdhi në Shkodër në datën 20 dhjetor dhe nuk kurseu reprezaljet ndaj popullsisë civile. Më poshtë, disa raporte të dërguara nga oficeri britanik nga Shkodra.

KAPITENI DURCAN, 11 JANAR 1945 (SHKODËR)

“Partizanë me uniformë shkojnë shtëpi më shtëpi pa asnjë dallim dhe kërkojnë para, ushqime, radio, rroba, makina shkrimi, makina, mjete dhe makineri pune të ndryshme. Këto masa po shkatërrojnë privatësinë e familjeve, po rrisin koston e jetesës së tyre dhe nuk po lihen të qeta. Fola në qytet me një piktor, me një shitës dyqani, murgeshë, punëtor, mjek, drejtor shkolle, hotelier, punonjës librarie dhe një rrobaqepës. Më thanë: ‘Ne s’mund të vazhdojmë më kështu! Pse britanikët nuk vijnë? Ne nuk mund të jetojmë kështu!’”.

KAPITENI DURCAN, 26 JANAR 1945 (SHKODËR)

“Atmosfera është elektrizuese. Ka fjalë në qytet. Ka pasur edhe 200 arrestime dhe janë parë shtëpitë plot me civilë që i ruajnë ato. Mareshi po lufton në zonën e Koplikut. Hasan Isufi dhe Jup Kazazi kanë një numër të madh njerëzish edhe në zonën problematike të Pukës. Në Mirditë ata kërkojnë nga një burrë për shtëpi”.

KAPITENI DURCAN DHE ANDREWS, DATA 1 SHKURT 1945

“Nuk ka dyshim që partizanët po pastrojnë zonën e Shkodrës. Në mënyrë që të ndalonin vëzhgues të ndryshëm e të paanshëm në zonë, Misionit Britanik iu kërkua me ngulm të ikë nga Shkodra dhe atyre iu bë çdo lloj presioni për të lënë Shkodrën, çka bëri që misioni të largohet më 31 Janar 1945. Kapiteni Durcan e përshkruan atmosferën në Shkodër si ‘elektrizuese’. Burgu është duke shpërthyer nga të burgosurit e shumtë politikë, ndërsa sistemi i partizanëve ka bërë që çdo familje në Shkodër të mbajë dhe ushqejë një ose dy partizanë.

Faksimile e raportimeve te Kapiteni Dunkan nga Shkodra2c Janar 1945
Faksimile e raportimeve të kapitenit Durcan mbi terrorin që bëhej në Shkodër për shkak të detyrimeve që partizanët u vendosnin banorëve për trajtimin e tyre dhe pushkatimet e ndodhura aty

Kjo ka ndikuar në një rritje të madhe të pakënaqësisë, çka ka ndaluar familjet të kenë privatësinë më të vogël. Në mënyrë që t’i imponohet popullatës atje me regjimin e tyre, 8 të burgosur të kapur nga forcat opozitare në Koplik u sollën në Shkodër dhe u pushkatuan. Trupat e tyre u ekspozuan në rrugët e qytetit për disa ditë dhe një listë e emrave të tyre u vendosën në çdo rrugicë të lagjeve të qytetit. Tregtarët janë tepër të pakënaqur me partizanët me taksën e tyre të drejtpërdrejtë për kapitalin e tyre dhe madje me ngulm u kërkohet që t’u japin banim dhe ushqim falas partizanëve”.

MARRËDHËNIA E HOXHËS DHE SHEHUT PAS LUFTËS

Sipas një raporti të oficerëve britanikë që ndodheshin ende në Shqipëri, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu patën një kompromis të heshtur. Hoxha përdori brutalitetin e Shehut për të eliminuar çdo kundërshtar të mundshëm të regjimit në Veri të vendit, ndërsa Shehu garantoi mbijetesën e vet politike. “Që qeveria në Tiranë e konsideron situatën atje si tepër serioze e tregoi me faktin që dërgoi Gjeneral Mehmet Shehun, ndoshta ushtarakun më të mirë në Shqipëri, i cili mori drejtimin e Shkodrës dhe të të gjithë zonës.

Gjeneral Mehmet Shehu, i cili mendohet si gjenerali më i aftë tek partizanët nga disa qarqe, mendohet se ai është njeriu i vetëm që ka një numër mbështetësish që mund të rrezikojnë Enver Hoxhën, të cilët mund të shfaqin pakënaqësi. Me dërgimin e Mehmet Shehut në Shkodër, Hoxha jo vetëm që dërgoi një person kompetent për një situatë të vështirë, por në rast të ngjarjeve të papranueshme për regjimin, përgjegjësia dhe urrejtja ndaj masave të egra do të bien mbi Shehun dhe jo mbi Enver Hoxhën”, raportuan oficerët britanikë në datën 1 shkurt 1945.

PËRSHKRIMI I MEHMET SHEHUT NGA OFICERË TË NDRYSHËM BRITANIKË

Shtabi i Force 399 CMF REF: F/399/101/G/6

13 nëntor 1944

Mehmet Shehu: Komandant i divizionit të parë. Një njeri i kotë me ambicie personale, i cili është mbajtur në hije nga partia për disa kohë. Ai është pa dyshim më i respektuari dhe figura ushtarake më e rëndësishme në lëvizje. Kohët e fundit është vendosur në varësi të Dali Ndreut, komandantit të korpusit të parë. Ai është komunist, por ambicia personale e tejkalon besnikërinë për partinë.

Faksimile e raportit të majorit Thornton më 22 nëntor 1944 mbi situatën në Tiranë pas çlirimit të saj ku, sipas tij, u kërkohet banorëve me detyrim të marrin pjesë në takimet e Partisë
Faksimile e raportit të majorit Thornton më 22 nëntor 1944 mbi situatën në Tiranë pas çlirimit të saj ku, sipas tij, u kërkohet banorëve me detyrim të marrin pjesë në takimet e Partisë

MAJORI OLIVER

Mehmet Shehu: Arrogant dhe brutal (kjo nga ambicia dhe kompleksi i inferioritetit që ka). Dikush më thotë se Shehu është njeri i pakënaqur dhe se qeveria duke e ditur dëshirën e tij të pamasë të rrijë pranë ushtrisë e sistemoi në pozicionin aktual (ndoshta donte ministër i Mbrojtjes). Tashmë larg nga kontaktet direkte me njerëzit ai do të zhytet në background dhe do të ketë shumë pak shanse për t’u bërë lider në rangun që ai dëshiron. Komandant me vlerë në terren, i ashpër dhe me prestigj që e fitoi edhe nga posterat gjermane.

MAJORI SMITH

Mehmet Shehu: Mjaft rinor (rreth 30-35 vjeç), shumë aktiv dhe pa dyshim komandanti më i mirë i LNÇ. Ai luftoi në Spanjë si anëtar i brigadës ndërkombëtare dhe nuk e harron këtë. Personalitet i shquar dhe është i respektuar apo shihet me frikë nga kushdo për disa arsye. Si komandant i Brigadës së Parë ai luftoi mirë dhe brigada e tij mbeti si “shpirti i trupave”, çka është arsyeja fondamentale e suksesit të tij. Caktimi i tij si Kolonel i dytë në detyrë në divizionin e parë ishte shokim tek kushdo që priste caktimin e tij si komandant. Roli parësor i Brigadës së Parë ishte pothuaj një spastrim në veri, e për më tej është e mundur që Mehmet Shehu të shfaqet si komandat i vërtetë duke anashkaluar komandantin e vendosur për qëllime politike.

MAJOR R.E RIDDELL DHE KAPITENI H.A HIBBERT

Mehmet Shehu: Personaliteti më i përfshirë është Mehmet Shehu, i cili tashmë është i qartë se Komiteti Qendror ka frikë nga fuqia e tij ushtarake dhe po përdorin çdo mundësi për ta mbajtur atë si të parëndësishëm. Është e vështirë të thuhet nëse mes tyre do të ketë ndonjë konflikt të hapur. Shehu është krenar e i fuqishëm dhe me ideale. A do ta lejojë pamja e një komunisti dhe luftëtari të pranojë një rol të vogël në të ardhmen e këtij vendi? Nëse Enver Hoxha do të jetë aq i ndërgjegjshëm dhe t’i luajë mirë kartat e tij, mund të ketë Mehmetin si mbështetësin më të fortë. Nëse jo, vetëm e ardhmja do të tregojë ç’do të ruajë për Mehmetin dhe çfarë situate do të ketë vendi.