Elie Wiesel, filozofi që mbrojti shqiptarët

elie wiesel

mentor petrelaPROF. MENTOR PETRELA

Shuhet Elie Wiesel, filozof nobelist universialist, figurë që mbrojti të dobëtit. Si shumë familje hebrenjsh që pësuan holokaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte i vetmi i familjes që i mbijetoi Auschwitz Buchenwald. Jeta e tij si shkrimtar pacifist mendimtar përshkohet nga humanizmi aktiv në konfliktet që provokuan në botë vuajtje të qenies njerëzore.

Angazhimi i tij në krah të së drejtës së shqiptarëve në konfliktin që bëri të mundur lirinë e Kosovës është një kontribut i shquar që duhet ta kujtojmë e ta fiksojmë në historinë tonë. Kam pasur privilegjin ta takoj dy herë në Paris Elie Wiesel në rreth miqsh, ku krahas vizionit global, urtësia dhe interesimi për shqiptarët, Ismail Kadarenë, komunizmin, Kosovën shpjegojnë ardhjen në Tiranë për të takuar refugjatët kosovarë në Qendrën Spitalore Universitare në 1999.

Konflikti midis Millosheviçit, NATO-s dhe shqiptarëve në Kosovë kishte hyrë në fazën kritike. Elie Wiesel arriti pasdreke në Tiranë i dërguar i posaçëm i Presidentit Klinton, i shoqëruar nga të gjitha mediat CNN, BBC, CBC e SKY arriti në spital. Grupi i refugjatëve kosovarë, të cilët ndodheshin të shtruar në spital dhe një pjesë e familjarëve që i shoqëronin ishin mbledhur në sallën e mbledhjeve të drejtorisë së vjetër.

Drejtori i Spitalit, Prof. Mustafa Xhani, dhe një emisar i ambasadës amerikane më kishin ftuar të prisja e shoqëroja Elie Wiesel. Në sallë takimi me refugjatët u zhvillua me dyer të mbyllura nën kujdesin e dy të dërguarve të Shtëpisë së Bardhë. Dëshmitë e refugjatëve kosovarë e prekën shumë Elie Wieselin. Më pas, së bashku me Ambasadorin Frowick e shoqëruam në pacientët e shtruar në psikiatri dhe dializë.

Pyetjet e thjeshta njerëzore, shikimi drejt në sy shpesh përballeshin në ndrojtjen e kosovarëve që ndonjëherë fshihnin dhunën për të ruajtur dinjitetin. Akrimonia e pamjes së tij, mënyra empatike për të kuptuar vuajtjen e tjetrit ishin mbresëlënëse.

Pas vizitës, duke ecur së bashku me Ambasadorin Frowick, me zërin e ulur karakteristik thotë këto dëshmi janë çnjerëzore, kriminale e më pas bëri deklaratën, iu përgjigj pyetjeve të mediave ndërkombëtare. Të nesërmen, Presidenti Klinton urdhëroi bombardimet dhe angazhimin amerikan që i dha lirinë Kosovës. Shqiptarët dhe Kosova duhet të ndihen pak jetime me humbjen e Elie Wiesel.

*Mentor Petrela, PU-PH. (FR) Anëtar i Akademisë botërore të Neurokirurgjisë