Eurofobet’i britanik. A jemi në prag të një rendi të ri botëror?

brexit-1

dritan shano

 

 

 

 

Nga Dritan Shano

Është ora 7:20 am dhe website i BBC lajmëron se Britaniket kanë votuar të largohen nga Bashkimi Europian. Kjo votë në fakt u lajmërua me të shtëna armësh dhe vrasjen e deputetes Jo Cox që ishte kundra largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian, vetëm para pak ditësh.

Për Europën ky është ndoshta momenti më i rëndësishëm që nga data 9 Maj 1950, e njohur ndryshe si Schuman day. Një prej vendeve më të rëndësishme në historinë botërore dhe të Bashkimit Europian vendos të largohet prej tij. Ky largim mbetet i mbushur plot me pikëpyetje, me të panjohura, njësoj si për Britanikët ashtu dhe për të gjithë pjesën tjetër të botës.

Mungesa e besimit tek klasa politike britanike dhe europiane, marrja forcë e politikave të urrejtjes dhe pasigurisë nga hapja, dhe të mirat që do i vijnë Britanisë nga mbyllja, “kërcënimi” me shqiptarë, etj., kanë dominuar vendimin e Britanikëve për t’u larguar nga BE. Ky vendim është si një reagim Maltusian ndaj globalizmit, varfërimit, dhe shtimit të popullsisë së ishullit për shkak të emigracionit. Konsumatorët Britanikë kanë vënë bastin e jetës së tyre, duke menduar se nga kjo shkëputje, nga ky secesion do t’u dalë më mirë.

Është ironike të mendosh sesi pak kohë më parë, të gjithë Britanikët u investuan totalisht kundër secesionit të Skocisë dhe bënë çdo presion të mundur që kjo të mos ndodhte. Është e sigurtë që Skocezët do kërkojnë të mbrojnë interesat e tyre europiane. Kjo perspektive jashtë Bashkimit Europian që u imponohet atyre sot nga Britania, ndërsa ata kanë shprehur në formë demokratike tjetër vendosmëri nuk do të pranohet. Skocezët do kërkojnë të mbrojnë marrëdhënien e tyre me Bashkimin Europian dhe ka të ngjarë të shkëputen nga Britania një herë e mirë.

Mbetet të shohim çfarë reperkursionësh do të ketë kjo gjë edhe mbi interesat e tjera secesioniste ndër vendet e Bashkimit Europian, dhe se sa forcë ekstremistet e kudo-ndodhur në Europë do të marrin nga ky vendim i Britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian që deri dje shihej si streha e paqes, zhvillimit dhe prosperitetit për shumëkënd.

Largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian është fillimi i prishjes së konsensusit për një integrim më të madh ekonomik e politik mes vendeve. Është fillimi i dobësimit, apo ri-konceptimit të të gjitha institucioneve të pas-Luftës së Dytë Botërore dhe atyre Atlantike. I gjithë Bashkimi Europian do të ri-bëhet; të gjitha boshllëqet që britanikët do të lënë në administratën e BE do të duhet të mbushen tanimë me francezë, gjermanë, italianë, grekë, polakë, rumunë etj., etj. Europa do humbë kështu, përveç stërlinave të fondeve strukturore edhe ekspertizën britanike.

Na duhet të mbledhim mendjen se qysh nga sot, çështjet Europiane do të jenë, njësoj si përpara dy Luftërave Botërore, çështje thjesht dhe vetëm franko-gjermane. Njësoj si atëhere Franca është më e dobët se Gjermania. A jemi në prag të një rendi të ri botëror? Vështirë të thuhet. Një gjë është e sigurtë Albiona dinake ka vendosur t’i ndjekë zhvillimet e ardhshme në Europë nga përtej ngushticës së La Manshit.