Fatos Lubonja: Rama është maskë e oligarkëve, dhe ne punojmë për këta oligarkë

bushati-lubonja

Fatos Lubonja thotë se kryeministri Rama iu shërben oligarkëve.
Duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lubonja tha se oligarkët zotërojnë partitë dhe pushtetin në Shqipëri.

“Edi Rama është maskë e oligarkëve, Veliaj është maskë e Ramës, që mbulon interesa të tjera dhe maskë që ne duhet të na bëjë këtë lojën, të na sjellë ndonjë arkitektë që thonë jeni barbarë.
Pas kësaj është pushteti i oligarikë.
Kam frikë se me kaq pak forca sa kemi ne, do të bëhen të gjitha, edhe kërpudhat.
Jo pse do Edi Rama, se ka dhe pak pjesën e delirit, të bëjë gradaçela 25 kate, por është oligarkia që ka pushtetin.
Ata sponsorizojnë, partitë kanë media dhe urdhëro maskën që do të luash këtë lojë”, thotë ai.
Sipas Lubonjës, zhvillimi në Shqipëri nisi me kioskat dhe ka përfunduar me vilat dhe pallatet.
“Nëse do ta shikojmë historikisht, ajo që Spiropali e quajti zhvillim, unë e kam quajtur zhvillim tumoral si rritet trupi, por në fakt është ritur tumori, jo indi i shëndoshë i trupit.
Po të kërkosh, mutacioni i parë që zhvilloi këtë tumor fillon me ndërrimin e sistemit.
Është një deformim për shumë arsye i asaj që mund të quhet prona private e privatizimit.
Filloi me ato kioskat.
Ai të jepte ryshfet, u bë i gjithë parku kioskë, ku lidhja ishte të jap ca lekë, ti më jep kioskën. Unë fitoj me kafene, ti fiton në xhep dhe bën vilë, dhe ai që humb është publiku.
Kjo është qeliza e parë e mutacionit të kësaj që po ndodh.
Shteti në vend që të mbronte interesin publik punoi kështu, tani çfarë ndodhi?
Erdhi një moment që u ndërrua, u bë pastrimi i Lanës, u bënë bukur ata kioskaxhitë, kishin ca  buldozerë, më pastro Lanën që të më bësh reklamë dhe pastaj unë të jap leje ndërtimi.
Lanën e pastroj me taksën dhe ndërtoj plan urban dhe kjo nuk u bë.
Shpesh dëgjon Bashkinë që thotë nuk kemi lekë për të bërë park, po gjetëm njërin që na jep ca lekë, ai s’ti jep kot. Të jep 100 dhe të merr 500.
Kjo është logjika edhe e këtij këndit të lojërave,do të gjesh interesa gjithmonë. Shteti nuk funksionon kështu, këta kanë mësuar që po kape disa të pasur, po patën televizion, kaq mjafton të marrësh pushtetin dhe bëhet lidhje e shkurtër.
Këta nuk kanë pikë përgjegjësie, janë bërë disa banditë, kanë ca oligarkë dhe këta sundojnë Shqipërinë. Të gjithë shqiptarët punojnë për 1 përqind dhe 1 përqind tregon sesi këta mbyllen në geto, jetojnë në vila, nuk duan t’ja dinë për pjesën sociale, nuk duan solidaritet dhe kjo është tjetërsim i pushtetit dhe tani ne bëjmë maskën, ne jemi në rolin e maskës, se interesat janë të atyre”, tha më tej Lubonja.