Fejton: Kur secili e shpijunonte secilin ne Shqipnine e Enver Hoxhes (dokument)

corbis-tirana-905x395

Letra, si i spiunonte shkrimtari kolegët e tij te Kadri Hazbiu (PJESA I)

Vetëm pak ditë pasi festoi 80-vjetorin e tij, Teodor Laço u përcoll te dielen për në banesën e fundit, duke u ndarë vetëm fizikisht nga familja, të afërmit, miqtë, kolegët, por edhe lexuesit e shumtë të veprës së tij. Ndonëse u diplomua për Agronomi në Institutin Bujqësor të Kamzës, nuk e ushtroi për shumë kohë profesionin e tij, pasi pasioni dhe dëshira e tij ishin librat dhe shkrimet, të cilat nuk i hoqi nga dora deri ditën e fundit të jetës.

teodor laco n rini
Teodor Laço në Rini

Ndonëse arriti shumë në karrierën e tij të gjatë si shkrimtar, skenarist, dramaturg, prozator, drejtor i Kinostudios, deputet, ambasador, diplomat dhe ministër, koha nuk i ofroi dhe aq shumë qetësi, madje iu desh që të përballej edhe me mjaft të papritura që fare mirë mund t’ia ndryshonin rrjedhës së jetës. Dhe jo vetëm atij, por edhe familjes e të afërmve. Ndërsa ishte larguar nga vendlindja e tij, Korça, dhe kishte ardhur në Tiranë, duke punuar plot pasion e dëshirë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, papritur, diku aty nga fundi i vitit 1974, një letër e shkruar nga një “koleg shkrimtar” në adresë të ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, me akuza tepër të rënda bëri që Teodori të hiqej nga Tirana dhe të dërgohej në rrethin e Fierit, ku punoi për dhjetë vjet me radhë larg familjes.

Letra-e-Hazbiut
Letra per Kadri Hasbiun

Por asgjë nuk mbaroi me kaq, pasi letra që “kolegu shkrimtar” shkroi për Teodorin alarmoi udhëheqjen e lartë të PPSH-së, e cila vuri në lëvizje të gjitha strukturat e saj, deri edhe Sigurimin e Shtetit, për të zbuluar e goditur jo vetëm Teodor Laçon, por edhe disa shkrimtarë të tjerë si Sabri Godo, Sotir Andoni, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Koçi Petriti, Flora Mullaymeri etj., që përmendeshin dhe akuzoheshin në atë letër. Dhe nuk vonoi shumë që të merreshin masat ndaj tyre, ku si fillim iu hoqën nga qarkullimi edhe disa prej librave që Teodor Laço dhe kolegët e tij kishin botuar deri në atë kohë…

Letrën e plotë të “shkrimtarit” që denoncoi kolegët e tij e publikojmë sot në këtë shkrim dhe numrat në vijim, së bashku dhe me të gjitha dokumentet e tjera zyrtare të Ministrisë së Brendshme, Sigurimit të Shtetit, Drejtorisë së Botimeve, Lidhjes së Shkrimtarëve etj., etj., institucione që u vunë në “alarm” prej saj. Këto dokumente janë sekrete dhe janë marrë nga arkivi i Ministrisë së Brendshme dhe botohen për herë të parë.

LETRA DENONCUESE E SHKRIMTARIT PËR KOLEGËT E TIJ

Shokut Kadri Hazbiu, Ministër i Punëve të Brendshme

I dashur shoku Ministër,

Po ju drejtoj këtë letër për disa nga ato problemet e letërsisë e të artit që më kanë shqetësuar dhe sipas porosisë së më dhatë Juve, kur ishit në aktivin e Partisë së Korpusit të Korçës, po i rendit si më poshtë: Pa mohuar punën e mirë dhe sukseset që janë arritur në letërsi dhe artet te ne, pas fjalimeve të shokut Enver Hoxha të vitit të kaluar dhe pas Plenumit të IV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe pa mohuar luftën që është bërë kundër shfaqjeve të liberalizmit në këto sfera shumë të rëndësishme të frontit ideologjik kulturor; mendoj se akoma nuk janë goditur deri në fund disa tendenca e shfaqje negative dhe nuk po kritikohet si duhet në shtypin tonë letrar (në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori”), disa vëllime me tregime, poezi, romane dhe drama; apo tregime poema dhe poezi të veçanta, një pjesë e të cilave për gabime të theksuara antisocialiste u goditën nga Komiteti Qendror i Partisë dhe më vonë nga lexuesit.

“SHKRIMTARËT S.GODO, S.ANDONI, T.LAÇO, R.GJOZA, M.ZEQO, ME VËLLIME TË THEKSUARA ANTISOCIALISTE, QË I GODITI PLENUMI I IV-TË”

Kështu p.sh. janë kritikuar zyrtarisht tregimi “Fushata” i Sabri Godos, që nuk është i përmbledhur në librin me tregime “Zëra nga burime të nxehta”, “Pranvera e madhe”, dhe “Shënime të shkruara natën” të Sotir Andonit, libri “Ajri i ftohtë i mesnatës”, i Teodor Laços (këta të dy janë kunetër dhe kanë pasur miqësi të ngushtë me Todi Lubonjën). Librat me poezi “Mozaik” të Roland Gjozës (ky është element i deklasuar dhe i është hequr e drejta e botimit), libri me poezi i Moikom Zeqos.

Gjithashtu, Faslli Haliti dhe Flora Mullaymeri për përbërje të keqe familjare e për shfaqje të imoralitetit e liberaliste në qëndrimin dhe shkrimet e tyre pas Plenumit të IV-të të K.Q. Partisë, për të dy u muarrën dhe masa administrative nga organet tona. Por e keqja qëndron se librat që përmënda më lart vazhdojnë të lexohen, sepse nuk u muarrën masa përkatëse nga Ministria e Arsimit e Kulturës për t’i hequr ata nga qarkullimi.

“F.RRESHPJA, M.KALLUPI E A.PODRIMJA, ME VEPRA REVIZIONISTE”

Gjithashtu në vënd që të ndalohej botimi i librave me përmbajtje revizioniste, akoma vazhdon të botohen të tilla nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Dhe një gjë e tillë ndodh pikërisht pas vendimeve të Plenumit të IV-të të K.Q Partisë. Libra të tillë janë botuar “Në këtë qytet”, “Erdhi një nënë”, me vjersha të Frederik Rreshpjes dhe Milianov Kallupit, apo disa libra me vjersha të poetëve kosovarë si ato të Enver Gjergjekut dhe Ali Podrimjes etj. Shumica e vjershave në këto libra janë me ide të errëta, pacifiste dhe formaliste në thelb ato janë të shthurura si në përmbajtjen e tyre dhe në formën artistike. Edhe në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori”, po vazhdohet të botohen poezi të shthurura nga forma poetike, prozaike dhe jo të mbështetura në tabanin kombëtar. Le të marrim p.sh. një rast konkret:

“NOVELA E LAÇOS, SIPAS PIKËPAMJEVE ARMIQËSORE TË BEQIR BALLUKUT”

Në revistën “Nëntori”, Nr.3, 1974, është botuar novela e Teodor Laços, “Ditë dhe netë që mund të vijnë”. Në këtë novelë, autori paraqet një pjesë të territorit tonë jugor të pushtuar (në kohën e sotme), brenda tre ditëve dhe tre netëve, nga një divizion grek (siç dihet një divizion ka 13 deri 14 mijë ushtarë, ja ku arrin absurditeti dhe fallsiteti); pa u bërë asnjë rezistencë nga ana e forcave tona të armatosura. Bile qysh në fillim të luftës, autori paraqet se ushtria jonë shpërndahet në çeta partizane dhe futet në guvat e maleve.

Në këtë novelë janë pasqyruar pikëpamjet armiqësore të Beqir Ballukut, i cili mohonte luftën e shkallës së parë në front të organizuar. Në novelë ekspozohen dhe variantet taktike që ne i përdorim në stërvitje, por që i mbajmë në konspiracion të plotë. Gjithashtu, kjo novelë tek ata që lexojnë përhap frikë dhe panik, sepse në atë mënyrë janë pasqyruar ngjarjet dhe situatat. Propozoj që t’i kërkohet autorit, me cilët specialistë ushtarakë është konsultuar për materialet e novelës, ndërsa ndaj tij të mbahet edhe qëndrim, sepse nuk e ka rastin e parë që shkruan kështu.

“OFICERI YNË VRAU VETEN, LEXONTE PËRKTHIME KU PROPAGANDOHEJ JETA BOSHE”

Në mënyrë masive te ne nga lexuesit, dhe sidomos nga rinia, lexohen librat artistikë që përkthehen nga gjuhë të huaja. Kam vënë re se disa libra të tillë të përkthyera kanë në qendër seksualizmin, vetminë, jetën boshe, vetëvrasjet, aventura dedektive, të botës perëndimore dhe imperialiste. Të tilla libra janë: “Familjet e mëdha”, “Vdekje në anije”, “Tre veta në barkë”, “Qeni i verdhë”.

Dhënia për lexim brezit të ri libra që përshkohen nga fenomene negative të shthurjes dhe degjenerimit; I dëmtojnë të rinjtë tanë dhe në radhët e tyre do të kemi të infektuar. Fakte të veçanta flasin se po përkthehen me shumicë libra artistikë të pakontrolluar nga përmbajtja dhe që të rinjtë, në mënyrë masive i tërheqin këto libra, duke nënvleftësuar botimet tona origjinale. Dhe çfarë ndodh më tej, të rinj të veçantë imitojnë në jetën e tyre veprime të personazheve negative libreske. Këtë do ta ilustroj vetëm me një shembull: megjithëse ka edhe raste të tilla.

Një oficer i ri, i quajtur Dashamir Turhani, efektiv i reparteve tona, vrau veten, prirej për të lexuar vetëm libra artistikë të Î përkthyera që pasqyronin vetminë; dhe vetëvrasjet nga që i mungonte formimi i duhur ideologjik, që me vështirësinë e parë që u ndesh në jetën personale, (përveç shfaqjeve të tjera negative që pasqyronte), u thellua në leximin e librave që trajtonin aktin e vetëvrasjes; ndërsa ditën që do të vriste veten kishte marrë për lexim romanin “Pjesëmarrës në vrasje”, në këtë roman kish nënvizuar paragrafë të tëra që e shtynin drejt aktit kriminal.

Mendoj se në qoftë se do të vazhdohet të botohen libra artistikë të përkthyera, apo origjinalë që nuk do të kenë përmbajtje revolucionare dhe që do të jenë të mbushura me filozofizma të sëmura dhe të përshkruara nga ide të ndërlikuara, siç e preka më lart do të na dëmtojnë edukimin e brezit të ri në të ardhmen.

“JA SHKRIMTARËT ME BIOGRAFI TË KEQE: K.PETRITI, DH.QIRJAZI, S.ANDONI, K.FUNDO, K.RISTANI, T.LAÇO, R.GJOZA, GJ.ZHEJI, F.HALITI”

Një çështje tjetër që më ka tërhequr vëmendjen dhe që mendoj të ngre në këtë letër është dhe ajo e përbërjes klasore së shkrimtarëve dhe artistëve. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ka marrë në analizë këtë problem dhe u është hapur rruga e botimeve shumë shkrimtarëve me përbërje të keqe biografike.

Të tillë janë disa nga ata që njoh unë si: Koçi Petriti, Dhori Qirjazi, Sotir Andoni, Klito Fundo, Koço Ristani, Flora Mullaymeri, Teodor Laço, Roland Gjoza, Gjergj Zheji, Faslli Haliti, Niko Dako e ndonjë tjetër, që sigurisht në situata të ndryshme, duke qenë elementë të tillë, disa prej tyre kanë nxjerrë kokën në forma të heshtura si në krijimet e tyre, ashtu dhe në qëndrimet ndaj diktaturës së proletariatit…(vazhdon)

Panorama/ Tirane