Fejton: Kur secili e shpijunonte secilin ne Shqipnine e Enver Hoxhes (pjesa II)

corbis-tirana-905x395

Në vitin 1974 kishte nga ata shkrimtarë e poetë, të cilët shqetësoheshin se nuk po zbatoheshin vendimet e Plenumit IV të PPSH-së në art dhe në letërsi. Ndaj dhe me zell përgjonin kolegët, mbanin shënime dhe shkruanin letra që i çonin deri në Komitetin Qendror. Së fundi ka dalë në dritë letra e poetit K.H., anëtar partie, dërguar ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ai vë në shënjestër shkrimtarë e poetë si Teodor Laço, Î Sotir Andoni, Faslli Haliti, Moikom Zeqo etj.

teodor laco n rini

Në vijim të numrit të djeshëm po publikojmë vazhdimin e letrës drejtuar Hazbiut dhe listën e “gabimeve ideore” të veprave të secilit. Po ashtu po publikojmë dhe një raport të drejtoreshës së botimeve, Afka Gambeta, në lidhje me disa libra të Laços, Gjozës, Andonit, apo edhe përkthime nga letërsia e huaj. Për disa syresh, ajo propozon heqjen nga qarkullimi. 

“Sotir Andoni, i dënuar me burg, boton libra me mendime të verdha, kisha, xhami, manastire, hoxhallarë e priftërinj” Të marrim dhe të analizojmë vetëm dy nga këta që prekëm më lart: Sotir Andonin dhe Teodor Laçon. Sotir Andoni në vitin 1948 tentoi të arratisej në Greqi, por u kap në kufi dhe u dënua nga gjyqi i popullit. Si doli nga burgu për të rehabilituar veten filloi të shkruajë tregime, ndërsa në vitin 1960 i hapet rruga e botimit dhe ka botuar disa libra nëpërmjet miqve që ka në organet botuese, dhe në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve.

Ajo që ka rëndësi se të gjitha librat dhe shkrimet e Sotir Andonit përbëjnë dyshime dhe fenomenet në to nuk janë trajtuar nga pozita e realizmit socialist. Librat e tij trajtojnë tema të viteve ‘20-‘40 dhe janë të mbushura me kisha, xhami dhe manastire, me mendime të verdha, me tregtarë, çifligarë, priftërinj, hoxhallarë dhe me dallaveraxhinj. Duke i pasqyruar këta në libra si të arsyeshëm, bamirës ndaj popullit tonë, në novelën “Pranvera e madhe” nazistët gjermanë paraqiten si njerëz të sjellshëm dhe të arsyeshëm ndaj popullit dhe jo si shtypës dhe gjakpirës.

Të ndalem konkretisht te disa libra të Sotir Andonit. Në librin me tregime “Trokthet e kuajve në mesnatë” ka tregime që nxijnë realitetin tonë socialist dhe që poshtërojnë dinjitetin e popullit tonë. Në novelën “Pranvera e madhe”, gjermanët paraqiten si njerëz të sjellshëm ndaj popullit tonë, sikur nuk kishin ardhur në Shqipëri si okupatorë, por sa për të kaluar në Greqi apo gjetiu, në këtë novelë poshtërohet lufta jonë Nacionalçlirimtare.

Në romanin “Shënime të shkruara natën”, lufta Nacionalçlirimtare pasqyrohet si një luftë komitësh që nuk udhëhiqet nga partia, po nga “intelektualët” e “kulturuar”, në novelën “I vogli e mund të madhin” se një nënoficer grek gjatë luftës italo-greke, “na i edukokërka” rininë dhe fëmijët tanë dhe u futkërka në gjak “idetë e çlirimit”. Sipas autorit, idetë importohen dhe nuk janë burim i forcës së brendshme të një populli.

“REGJISORI I DRAMËS SË SOTIR ANDONIT, ME VËLLA TË DËNUAR PËR SPIUNAZH”

Në tregimin “Shkelja gazit Xhixhi”, ky element ofendon figurën e veteranit të Luftës Nacionalçlirimtare dhe sekretarit të Komitetit të Partisë, duke i nxjerre këta si dallkaukë dhe njerëz të allishverisheve. Tani, kohën e fundit, ky shkroi dhe një dramë të titulluar “Orteku i Vjeshtës”, drejtori i Teatrit Profesionist të Korçës, Petraq Zoto, duke qenë se e ka fshatar ia vuri në skenë në Teatrin e Korçës nga një regjisor me qëndrim të keq politik (vëllai i tij është dënuar për veprimtari spiunazhi), për përgatitjen e kësaj drame dhe rrogat e aktorëve janë harxhuar mi 25 mijë lekë të rinj, kur erdhi puna që t’i shfaqej publikut, me të drejtë u ndalua, sepse në këtë dramë villej vrer për luftën Nacionalçlirimtare dhe sipas saj, lufta jonë nuk u bë për pushtetin politik, por thjesht për kërkesa ekonomike, duke bashkëjetuar me të gjithë tradhtarët e vendit pas çlirimit.

Më keq ndodh se në bazë të ligjeve qeveritare, kur një pjesë artistike nuk shfaqet duhet që aprovuesit e saj të zhdëmtojnë arkën e shtetit, pa lëre pastaj masat e tjera që nuk u morën, por u kalua në heshtje.

“TODI LUBONJA E MORI SOTIR ANDONIN REDAKTOR NË RADIO-TELEVIZOR”

Përveç krijimeve, Sotir Andoni nuk ka mbajtur qëndrim të mirë edhe gjatë kohës që ka qenë sekretar për propagandën Todi Lubonja. Ai, duke pasur miqësi të ngushtë me Todi Lubonjën, ishte përkrahës i shkrimeve liberaliste dhe i elementit të deklasuar, për shërbimet që i kishte bërë Todi Lubonjës, ky i fundit e mori në Radio-Televizor si redaktor dhe u dëbua nga Radio-Televizori, pas shkarkimit të Todi Lubonjës nga të gjitha funksionet. Po japim edhe një shembull tjetër.

Në revistën “Ylli”, Nr.1 Viti 1973, Sotir Andoni ka botuar një intervistë, ku ul sistemin tonë arsimor socialist për sa i përket mësimit të gjuhëve të huaja, duke ngritur lart sistemin arsimor në regjimin e fashizmit në Shqipëri. Po në këtë intervistë, ky “shkrimtar” lavdëron një mësues të asaj kohe, Virgjir Ballamaçi, i cili ka qenë anëtar i partisë fashiste “Garda di ferra” dhe pas çlirimit të atdheut ka mbajtur qëndrim të keq armiqësor ndaj pushtetit popullor.

Atëherë lind pyetja, si ky njeri (S.Andoni), që njihet për këto njolla në vend që t’i hiqet e drejta e botimit dhe të merren masa e të mbahet qëndrim ndaj tij, vazhdon akoma të botojë, ndërsa kritikët tanë dhe drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk i kursejnë fjalët e mira në adresë të tij, duke thënë se “është shkrimtar i talentuar”? Këto i kanë shkruar në shtypin e Lidhjes, në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori”.

“TEODOR LAÇO MERR DOLLARË NGA I ATI NË SHBA DHE I JEP KOSTUME TODI LUBONJËS, QË E TRANSFEROI NË LIDHJEN E SHKRIMTARËVE”

Teodor Laço (kunati i Sotir Andonit), i ati ka jetuar dhe ka vdekur në SHBA. Në SHBA, i ati i Teodor Laços ka zotëruar pasuri kolosale, një pjesë të së cilës ua dërgonte dhe fëmijëve në Shqipëri në dollarë. Po ashtu, T.Laços dhe familjes së tij vazhdojnë t’i vijnë kartëmonedha nga SHBA. Edhe T.Laço, si S.Andoni, ka pasur shoqëri të ngushtë familjare me T.Lubonjën, duke i dhënë këtij të fundit edhe kostume dhe materiale të tjera, derisa T.Lubonja ndërhyn duke e transferuar në Tiranë, në Kryesi të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku punon edhe sot në sektorin e edukimit të këtij dikasteri.

Teodor Laço, me të vajtur në Tiranë, përkrahu pa hezitim krijimet letrare me shfaqje liberale. Në gazetën “Drita” shkroi një artikull për një dramë të Fadil Paçramit, ku e ngriti në qiell “talentin e madh” të Fadil Paçramit, sikur ky na paskësh qenë dramaturgu më i madh i Shqipërisë dhe si kjo dramë, rekomandonte Teodor Laço, duheshin shkruar.

Të njëjtin qëndrim mbajti Teodor Laço edhe ndaj poemës antisocialiste “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Halitit, me një artikull që botoi në gazetën “Drita”, sigurisht për të fshehur gjurmët në ndonjë rast edhe kritikonte, por në të njëjtën kohë edhe e mburrte Faslli Halitin, sikur na paskësh në shtyp një libër me vjersha shumë të mirë.

Libri me vjersha që lavdëronte Teodor Laço, për tendenca revizioniste, nuk u botua. Vitin e kaluar, pas fjalimit të shokut Enver të 15 marsit, kur po bëhej një luftë e madhe kundër shfaqjeve liberale në letërsi, e sidomos në poezi, Teodor Laço boton një artikull në gazetën “Drita”, duke lavdëruar pikërisht ato krijime dhe ata letrarë të rinj, që partia i kritikonte për shfaqje të huaja në shkrimet e tyre.

Në vitin 1972, Teodor Laço ka botuar një libër me tregime “Ajri i ftohtë i mesnatës”, ku shtrembërohet realiteti ynë socialist, ky shkrimtar shpif ndaj realitetit tonë në këtë libër, duke i veshur anët negative të panumërta, pa thënë asgjë pozitive ndaj socializmit, por që t’i zbulosh anët negative këtij libri, sigurisht është e vështirë, sepse i ka veshur me marifete artistike.

Përveç novelës armiqësore që përmenda më lart “Ditë dhe netë që mund të vijnë”, “Ajri i ftohtë i mesnatës”, Teodor Laço shkroi dhe një dramë me titull “Të jesh njeri”, në të cilën propagandon vetminë dhe diskrediton organet tona gjyqësore të R.P. të Shqipërisë, këtë dramë e paraqiti për ta vënë në skenën e Teatrit Popullor të Tiranës dhe Teatri i Korçës, por për të meta të tilla nuk u vu në skenë.

Ja cili është Teodor Laço, që sot çuditërisht drejton sektorin e edukimit në Lidhjen e Shkrimtarëve. Mendoj, shoku Ministër, se këto aktivitete nuk duhen parë si të shkëputura dhe të rastit, por duhet t’i analizojmë më thellë dhe me përgjegjësi, sepse këtu duket se ka kundërvënie ndaj Plenumit IV të Komitetit Qendror të PPSH-së, për letërsinë dhe artet.

Sidomos Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, duhet t’u rikthehen edhe një herë për studim dhe zbërthim fjalëve të shokut Enver të vitit të kaluar, dhe vendimeve të Plenumit V të K.Q të Partisë dhe të nxjerrin konkluzione për të marrë masat konkrete në këtë fushë, siç është letërsia dhe artet.

Korçë dt.14.11.1974

Me respekt revolucionar

Anëtari i Partisë

K……………H…………

RAPORTI/ “Librat e Laços dhe Andonit, me gabime ideore”

MENDIME MBI DISA LIBRA

1. ”Pranvera e madhe”, i Sotir Andonit. Është një libër për fëmijë me gabime ideore. Këtu ndihet pikërisht ajo influencë e letërsisë revizioniste lidhur me qëndrimin ndaj armikut (gjerman), krijohen situata jorealiste, që nuk i shërbejnë edukimit të fëmijëve. Jemi të mendimit që të hiqet nga qarkullimi.

2. “I vogli e mund të madhin”, i Sotir Andonit. Është një novelë me mjaft shqetësime ideore. Në disa raste nuk konceptohet drejt Lufta Nacionalçlirimtare. Ka nuanca që nxjerrin në pah frikën e Luftës. Shtrembërohet qëndrimi i fshatarësisë ndaj luftës, lidhja e fshatarësisë ndaj partizanëve etj. Pra vepra nuk i edukon mirë të vegjlit. Mendojmë të hiqet nga qarkullimi.

3. “Shënime të shkruara natën”, i Sotir Andonit. Edhe ky roman ka të meta dhe gabime të karakterit ideor, sidomos në trajtimin e figurës së komisarit e komandantit. Vetë çeta partizane na jepet e izoluar, nuk janë të qarta qëllimet dhe lidhjet e saj, ndonëse bën mjaft aksione. Pra, pasqyrimi i Luftës Nacionalçlirimtare nuk i përgjigjet realitetit. Mendojmë të hiqet nga qarkullimi.

4. “Ajri i ftohtë i mesnatës”, i Teodor Laços. Libri ka disa gabime që konsistojnë në mosvënien e theksit sa duhet tek anët pozitive të realitetit, por merret më shumë me ato negative. Duhet vënë në dukje se ndaj anëve negative ai mban qëndrim, i stigmatizon. Prandaj mendojmë që vepra të mbetet në qarkullim.

5. “Mozaik” nga Roland Gjoza. Ka disa momente që nuk tingëllojnë mirë dhe përbëjnë gabime apo lënë shteg për keqkuptim. Por dobësitë më të mëdha të këtij vëllimi janë koncepte të karakterit artistik, prandaj mendojmë që të mos hiqet nga qarkullimi. Kuptohet se të gjitha këto vepra po të ishin paraqitur tani për botim, do t’u ktheheshin autorëve për ripunime, ose si të pabotuara.

6. “Tre vetë në një barkë”. Kjo është një vepër e lehtë e një autori englez, Xherom Xherom, me skena humoristike e aventura që nuk trajtojnë probleme shoqërore. Ai e ndërton humorin më shumë ndaj tipave dhe jo për probleme. Por me që nuk ka edhe ndonjë gabim të rëndë, mendojmë të mbetet në qarkullim.

7. “Qeni i verdhë”, i Simonovit. Kjo është një vepër që nuk duhej botuar, sepse i mungon fare sensi klasor. Komisari Megre, që në fakt është përfaqësues i borgjezisë, paraqitet si njeri i mirë dhe bamirës. Është një vepër me aventura, me një gjuhë të tipit të romaneve policore. Mendojmë që edhe kjo vepër të hiqet nga qarkullimi, meqë nuk ka vlera edukuese për lexuesit tanë. Veprat që përmendëm, sot nuk ndodhen në libraritë, por vetëm në biblioteka, prandaj do vihen në fondet e rezervuara. Shënojmë se menjëherë pas përfundimit të studimit që po i bëjmë literaturës politiko-shoqërore që nga Çlirimi e deri më sot, do të merremi me literaturën artistike, për të konkluduar për veprat që do të hiqen nga qarkullimi ose do korrigjohen.

18.XI.1975

DREJTORI

(Afka Gambeta)  

(firma)