Gjenetika përmbys paragjykimet mbi Historinë

Prof. Dr. Myftar Barbullushi

 

Askush nuk mund ta imagjinonte se varri madhështor i një oficeri të lartë viking, i vendosur në një kodër të bukur, ku peizazhi natyror me pemë të larta e të dendura, të veshura me një kostum gjithëvjetor të bardhë dëborë, shkrihet e plazmohet krejt natyrshëm me peizazhin kulturor, të qenësuar me fshatin e rindërtuar viking, me shpellat tipike të kahershme, kabinat e endura me lëkurë të regjur pemësh, dhe zhurmën e rrëmujën e turistëve të panumërt që në fund të ditës mbajnë frymën në muze, do të mbante të fshehur një sekret njëmijëvjeçar që do të zbulohej vetëm pak ditë më parë.

Ky varr i veçantë, i zbuluar në vitin 1880, në qytetin suedez të Birka-s, një nga vendet më të famshme prehistorike të Suedisë, dhe për shumë një simbol i epokës së vikingëve, ditët e fundit është bërë objekt i lëvizjeve të shumë studiuesve nga Universiteti i Uppsales dhe Stokholmit. Që nga zbulimi i tij subjektet e varrit, një shpatë, një sëpatë, një shtizë, shigjeta të mprehta, një thikë beteje, dy mburoja dhe dy kuaj, pajisje të zakonshme të një luftëtari profesionist, kishin zgjuar një interes të madh në fushën e shkencës e veçanërisht të arkeologëve, për të cilët prania në varr edhe e disa mjeteve shpjeguese mbi taktikat dhe strategjitë, konfirmonin pozicionin e individit të varrosur si një oficer i rangut të lartë.

Pak ditë më parë, njëqind e tridhjetë vjet pas zbulimit dhe rreth 1000 vjet pas varrosjes, analiza gjenetike e dhëmbit të qenit dhe krahut të sipërm të skeletit treguan se ky luftëtar i rangut të lartë viking, rreth të 30-ave, me një trup të gjatë për kohën, rreth 167 cm, në të vërtetë ishte një grua. Edhe më parë në këtë zonë ishin zbuluar varre të grave vikinge të rëna në beteja e të varrosura me armë, por një luftëtare femër e këtyre përmasave në hierarkinë ushtarake nuk ishte zbuluar kurrë më parë. Prania aktive e grave në majat e historive të luftërave është perceptuar më shumë si pjesë e legjendave, sagave apo historive mitike në të cilat gratë konsideroheshin kryesisht si “shieldmaiden”, (në mitologjinë skandinave përfaqësonte një grua të zgjedhur të luftojë si luftëtar), apo si Valkyrie (në mitologjinë norvegjeze është një figurë femre që në betejë duhet të zgjedhë se kush duhet të vdesë e kush të jetojnë).

Këto luftëtare janë bërë edhe personazhe të shumë poemave dhe sagave epike. Brünnhilde, një Valkyrie, do të mëshirojë personazhin kryesor në veprën “Richard Cycle”, të Richard Wagner. Mendohet që personazhi i saj të jetë frymëzuar nga princesha Visigote Brunhilda e Austrisë. Por konfirmimi i analizës gjenetike se skeleti i luftëtarit udhëheqës ishte ai i një gruaje do të konsiderohej si një “tërmet i bindjeve” të studiuesve të vikingëve, sipas të cilëve në hierarkinë sociale e sidomos atë militare të vikingëve qëndronin vetëm burrat.

Në konceptin e tyre, mbështetur nga disa zbulime arkeologjike, lufta ishte një veprimtari ekskluzive për burrat – gratë nuk mund të gjendeshin në rreshtat e parë të fushës së betejës apo të ishin në gjendje të bëheshin pjesëtare të sferave strategjike të dominuara vetëm nga burrat. Kërkimet mbi evolucionin, neuroshkenca dhe së fundi studimet gjenetike, nëpërmjet ADN-së së skeleteve, përkundër paragjykimeve të lulëzuara hershëm në mendjet tona dhe fatkeqësisht edhe të disa shkencëtarëve, po bëhet gjithnjë e më e qartë se shkenca nuk i ka konsideruar kurrë dhe nuk i konsideron burrat superiorë ndaj grave; atë e kemi bërë ne nëpërmjet interpretimeve tona të gabuara, sikurse ka ndodhur për njëqind e tridhjetë vjet me varrin viking të një luftëtari në vend të një luftëtareje.

Përkundrazi, të dhënat shkencore recente insistojnë nëpërmjet fakteve se gratë janë më të forta se burrat. Gratë jo vetëm jetojnë më gjatë se burrat, por ato shërohen dhe riaftësohen nga sëmundjet e ndryshme shumë më shpejt se meshkujt. Sipas shkencës, ato janë jo vetëm fizikisht më të forta, por edhe më të zgjuara, më të zonja për të udhëhequr, duke merituar një trajtim të përgjithshëm më të mirë se çfarë ndodh në shoqërinë e sotme moderne kur femrat distancohen jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në paga për të njëjtën detyrë.

Ndaj, është ë rëndësishme për shoqërinë dhe për secilin prej nesh që në jetën tonë të përditshme ta konsiderojmë seriozisht, e pse jo refuzojmë, me të gjitha mënyrat “idiomën” e parafabrikuar nga vetë burrat, se ata janë superiorë ndaj grave, në forcë dhe në çdo gjë tjetër, pasi e vërteta është diçka shumë e ndryshme. Nëse na kanë ushqyer me historira të rreme për forcën mashkullore, do të na duhet të heqim dorë si të vjetruara dhe krejtësisht seksiste edhe nga shumë pretendime të tjera për superioritetin mashkullor. Ndërsa shkencëtarët sa vijnë e bëhen më rigorozë, duke folur me fakte e logjikë shkencore, nëpërmjet armëve moderne të gjenetikës e ADN-së, ne sa vijmë e qartësohemi më shumë se cilët jemi në të vërtetë./ *FERA në Nefrologji

 

Shperndaje në: