Hajgare me Kosoven!

Nga Mero Baze

Kur vjen Bexhet Pacolli në Tiranë është në rregull puna. Këtu shteti e do. E para se është i pasur dhe të gjithë piramdës së shtetit dhe rrethit vanitoz të tyre, u ka vënë herë pas here avionin personal në dispozicion. U tregon histori të pazakonta pasurimi. U flet sa lehtë bëheshin paret në Rusinë e viteve 90–të, çfarë burri ka qenë Jelcini, e bija akoma më e mirë. Pastaj u tregon për Kazakistanin, çfarë burri është Presidenti Nabajev, babaxhan, i fort, krejt gjërat bëhen po tha ai, dhe kështu duhet me funksionu shteti, s’lejon me bë gëk mëk opozita, se e zien në kazan. Pastaj si ka ndërtu aty, pastaj si ka nis lufta, si ka tentu me i ndreq do punë e si është mbarë etj.

Për shtetin e Shqipërisë dmth zyrtarët e saj, ai është njeriu i duhur që ata duan të kenë nëpër këmbë. Nuk e marrin seriozisht për Kosovën, as për Ministër të Jashtëm, as si president 40 ditësh. E dinë që është kot për këto punë, por ama është “interesant” se ka pare dhe avion privat.

U ka kërkuar nja 400 hektarë tokë në Parkun më të bukur kombëtar që kemi si revervat natyror në Divjakë, dhe ja kanë dhënë dhe ato nën premtimin se do bjerë një investim 6 milardë euro. Thellë thellë e dinë që nuk bie dot as 20 milion euro dhe nuk duan ti ngelet qejfi ja kanë dhënë ca letra. Dhe ai mund ti shes diku.

Nuk përtojnë ta presin asnjëherë, as Nishani, as Meta, as Edi Rama jo e jo, dhe të tjerët më poshtë. Kanë një buzagas kur e takojnë, që nuk ka lidhje me detyrën, por me përpjekjen për të qenë zyrtar. Por pastaj kalon mirë.

Dhe për tia thjeshtuar suksesin këtë radhë patën një përfundim formal me të, që mbledhjet e ardhëshme të qeverive të bëhen më 27 nëntor në Korçë, si qyteti i arsimit të Shqipërisë, meqë kryeministri Haradinaj e ka shpall prioritet arsimimin edhe të gazetarëve dhe më 28 nëntor në Vlorë si qytet i Flamurit. Deri këtu në rregull. Kaq data i mban mend dhe Pacolli.

Nuk di çfarë bisedash konfidenciale mund të bëhen me të për probelemet e Ksoovës në perëndim dhe botë, por dhe nëse bëhen, janë të tipit, “filan shteti e njof unë Presidentin”, “po i jap një drek me avion privat diku e ndoshta na e njef Kosovën”.

Problemi është kur Bexhet Pacolli e përfaqëson Kosovën në Uashington, në Bruksel, në Francë, në Londër, në Berlin, në gjithë shtetet që u investaun që Kosova të bëhet shtet i pavarur , që bombarduan Serbinë , të cilën as Bexheti nuk e ndali dot.

Çfarë mund të bisedojnë këta diplomatë me Bexhet Pacollin? Kur ja lexojnë biografinë kanë ndjesinë se kanë para një sekser të republikave kaukaze, kur e dëgjojnë çfarë flet me siguri numurojnë minutat e takimit dhe nuk ndajnë dot me të asnjë konfeidencë, vetëm nëse dikush është i pasionuar të dëgjoj që ka qenë ushtar në kohë të Titos dhe gjyshi ushtar në kohë të Mbretit. Imazhi që i jep Kosovës një portret i tillë kryediplomati, është imazhi i një vendi në hall, që ka nxjerr një pasanik të blej ndonjë njohje ndërkombëtare. Është fjala për një vend të cilin Perëndimi e lindi mes hirit të bombave dhe po e shikon si digjet në hirin e korrupsionit dhe pengmarrjes së shtetit. Është fgjalapër një vend që Perëndimi e njohu falas, dhe ditën e parë që u shpall e pavarur dhe poltikanë si ky tipi po e lodhin.

Nuk them që Bexhet Pacolli të mos jetë në qeverinë e Kosovës, meq ëi ka tre vota, një prje të cilëve që di edhe të këndoj. Ka plot poste që mund ti bënin punë dhe atij. Ndonjë Ministri Ekonomie meqë i ka ngel në gjysmë dhe privatzimi i Grandit. Ndoshta dhe Bujqësia i bëne punë. Të paktën të kishte punë me shqiptarët dhe serbët aty. Aty nuk prish dot më punë.

Imazhi i Kosovës në botë, ka nevojë së paku për një fytyrë që të ngjall dëshirën ta ndihmosh atë vend të bëhet Perëndim, për një fytyrë perëndimore, që së paku të mos i bëjmë të pendohen ata që i dolën zot. Dhe Kosova ka plotë të tillë. Me dhjetra për të mos thënë me qindra. Por problemi i tyre është se ata nuk bindin dot Kosovën për ta përfaqësuar, kurse ky e bind. Dhe kjo është drama reale e asaj shoqërie, e cila po përballet me pafuqinë për të qenë, edhe demokratike, edhe properëndimore.

 

Shperndaje në: