Halloween, mes shpirtërores dhe komerciales

halloween-tirane

Çapajev Gjokutaj

 

Duket jashtë logjikës që një festë e huaj të hyjë në jetën e një populli brenda një dekade. Kaq i shpejtë ka qenë huazimi, sa që as emër nuk i kemi gjetur. Po përdorim dhe, pas gjasash, do të vazhdojmë të përdorim emrin anglez “halloween”, që shqipja e ka kapërdirë pa përtypur. Anomalia bëhet bërtitëse sidomos në rrafsh drejtshkrimor, ku segmenti “ween” të kujton shishet plastike hedhur posht e lart që, vështirë se do të treten ndonjëherë.

Në këtë aspekt, ngjajmë me atë familjen që i lind një fëmijë prematur dhe që, bashkë me gëzimin e natyrshëm, sjell me vete edhe një varg  shqetësimesh.

1.

Parë historikisht, huazimi i një feste ka qenë gjë krejt e zakonshme, pothuajse po aq e zakonshme sa të shkoje te komshiu e të kërkoje një sahan miell a një filxhan kripë. Një pjesë e mirë e festave fetare janë strukturuar mbi skelete të mbetura nga festa të tjera, më të vjetra.

Isak Njutoni arsyetonte se Krishtlindjet përkonin jo rastësisht me solsticin dimëror apo fillimin e zgjatjes së ditës si dhe me një festival të famshëm romak që celebrohej në ditët rreth 25 dhjetorit.

Po në këtë kohë të vitit, kremtohet në Malësitë tona të veriut Buzmi, festë motmoti e drurëve dhe e pjellorisë, që disa studjues e lidhin me faktin se pikërisht në këtë kohë të vitit sythet e disa drurëve nisin një buthtim sado të vagëllt, buthtim që premton lindje e rilindje.

Kurban Bajrami përkundër faktit se motivohet me një narrativë nga Testamenti i Vjetër, duket se është strukturuar mbi skeletin e ritit universal të sakrificës, që konsiderohet një nga ritet më origjinare të të gjitha qytetërimeve.

Parë këshu, të huaje një festë dhe të merrje hua një grusht kripë ngjan se ishin e njëjta gjë, por në thelb kishte ndryshime thelbësore. Huajtja e kripës ishte akt që realizohej nga dy vetë, huajtja e festës ishte procedim shumë më i gjerë e më kompleks, u takonte jo dy personave, por dy bashkësish etnike, dy fesh konkurrente dhe ndonjëherë edhe dy qytetërimeve. Po kështu huajtja e kripës lokalizohej në një çast a në një ditë të caktuar, huazimi i festës matej me tjetër kalendar, jo me ditë, as me javë a vite, por me dekada dhe shekuj.

Sot festat e reja laike si Halloween-in, Shën Valentinin etj. i kemi huazuar në fare pak kohë. Kalimi i festave nga një kulturë te tjetra, nga një popull te tjetri jo në dekada e shekuj, por në fare pak vjet po bëhet një dukuri e zakonshme në kushtet e zhvillimeve globale. Gjithsesi, shpejtësia me të cilën kryhet ky huazim dhe ndikimi i tepruar i tregut duket se gjenerojnë probleme.

2.

Arsyet pse Halloween-i u përfshi kaq shpejt mes festave lokale shqiptare ngjan të jenë të shumta. Arsyeja e parë lidhet me prirjen e kësaj festë për të patur shtrirje globale.

Thuhet se Halloween-i është festë amerikane. Faktikisht patenta e saj amerikane është relativisht e re. Puritanët e vendosur qysh herët në ShBA nuk e kishin për zemër. Filloi të gjallonte në Botën e Re vetëm nga mesi i shekullit të 19-të, bashkë me valët e emigrantëve irlandezë e skocezë dhe ka në themel skeletin e një feste pagane kelte për mbarimin e verës dhe fillimin e dimrit.

Vetëm në shekullin e 20-të arrin të shtrihet nga bregu atlantik në atë pacifik për t’u bërë sot festa e tretë amerikane për nga numri i kremtuesve dhe për nga harxhet. Dekadat e fundit ia ka dalë të bëhet festë globale, sepse veç në ShBA dhe Evropën Perëndimore, festohet edhe në Ballkan, Indi e deri në Japoni.

Halloween-i është festë emblematike për të kundruar një dukuri universale të riteve: ndeshjen e përjetshme mes fillesave religjoze dhe atyre profane. Pagane në origjinat e saj, u funksionalizua nga kisha katolike në shekullin e nëntë, duke e lidhur me Ditën e Gjithë Shenjtëve që kremtohet në 1 Nëntor. Këndej dhe emri Halloween që në shqip do të thotë: vigjilje e Ditës së të Gjithë Shenjtëve.

Gjithsesi, ngjyrimi katolik duket se nuk i bëri dot ballë prirjes së brendshme për t’u kthyer në fillesat pagane ose, më saktë, për t’u laicizuar duke zbehur gjer në shuarje ngarkesën religjoze. Kjo ka bërë që sot kremtuesët e kësaj feste të jenë katolikë e ortodoksë, hebrej e myslimanë, budistë e konfucianistë.

Ecejakja shekullore e Halloween-it nga pagania te katolikja dhe më pastaj nga fetarja te laikja është projektuar mbi paradigmat adhurim – përjetim, arsye – emocion. Në thelb të këtyre shndërrimeve është prirja për t’i ikur religjozes, si adhurim i zotit  që buron nga koshienca, dhe për t’iu afruar frikës primitive, si emocion arketipor që buron nga subkoshienca.

Me terma jungianë do të thuhej: nëse pjesa e njeriut që quhet personae kërkon të shenjtën, të gjithëfuqishmin, tjetra që quhet hieja kërkon ankthin arketipor, atë ndjesi frike e tmerri që kapllonte stërgjyshët e motshëm në prag të muzgut a në vigjilje të dimrit.

Arratisja nga viset e arsyes te viset e emocionit, nga kultura te natyra, nga qytetërimi te primitivja ka qenë dhe mbetet tunduese për qeniet humane. Meqë këto lloj arratisjesh, kur ndodhin realisht rezultojnë tejet të kushtueshme, hera-herës edhe katastrofike, njerëzimi i ka zëvendësuar me ikje imagjinare, ikje nëpërmjet artit, nëpërmjet riteve etj.

Ky ka qenë një nga funksionet e romantizmit, konceptuar termi jo si art i një periudhe të caktuar historike, por si prirje universale që gjallon në mbarë krijimtarinë njerëzore. Ky është dhe njeri nga funksionet e Halloween-it: adolshentët dhe të rinjtë arratisen nga pushteti i arsyes, nga trysnia e racionales, nga robëria e teknikës dhe enden vrtualisht në mbretërinë e frikës iracionale.

Halloween-i bën të mundur që këto impulse zanafillore të kënaqen duke harxhuar vetëm një natë, madje duke qenë krejt të sigurt, pa rrezikuar kurrsesi veten. Sigurimi i një shërbimi kaq ngashënjyes, me një kosto tejet të ulët është mbase faktori themelor që ka lehtësuar huazimin e  Halloween-init edhe nga shqiptarët.

3.

Përfshirja e shpejtë e Halloween-it në listën e festave shqiptare duket se lidhet edhe me një faktor tjetër, thjesht lokal. Ndër festat laike që shqiptarët kanë synuar të huazojnë  dekadat e fundit vetëm dy kanë zënë rrënjë e hedhur shtat: Shën Valentini dhe Halloween-i. Që të dyja janë festa të brezit të ri, që të dyja janë festa që kremtohen në çift a në shoqëri.

Festat tradicionale shqiptare, fetare a laike qofshin, kremtohen përgjithësisht në familje. Kjo ishte mëse e natyrshme për një shoqëri që ka patur dhe ende ka tipare të theksuara patriarkale. Ngashënjimi i brezit të ri drejt festash të reja, që u shpëtojnë verigave të familjes dhe synojnë lirinë e personit, të çiftit a të grupit të strukturuar në bazë moshe, është një prirje konstante.

Përpara se kjo prirje të materializohej në huazim festash të reja, kishte nisur të sendërtohej  si një zgjidhje kompromisi në kremtimin laradash të natës së Vitit të Ri: gjysmën e parë në familje me prindërit dhe gjysmën e dytë në lokale me shoqërinë.

4.

Gjithsesi ndër  faktorët më të fuqishëm për globalizimin e Halloween-it mbetet tregu. Bizneset, të ndërgjegjshëm se kjo festë tërheq në mënyrë thuajse fiziologjike masa pa fund fëmijësh dhe të rinjsh, ndihmojnë popullarizimin e saj duke u mbështetur në parimin oferta kultivon kërkesën.

Kështu duket se ka ndodhur edhe në Shqipëri. Janë bizneset, kryesisht bare e disko ato që me oferta të thjeshta kanë nxitur kremtimin e Halloween-it. E menaxhuar kryesisht nga tregut, festa ka prirjen të mbitheksojë elementin konsumist dhe të denatyrohet në disa elementë të rrafshit social.

Në ShBA dhe në Evropën Perëndimore, Halloween-i priret të jetë mbarëshoqëror, përfshin prindrit që përgatisin dekore për shtëpitë dhe oborret, fëmijët që me vizita të llojit “qerasje ose reng” grishin në kremtim thuajse gjithë familjen dhe fqinjët, të rinjtë që festojnë nëpër mbrëmje me elementë horrori etj. UNICEF-i njofton se e ka përdorur Halloween-in, veçanërisht pjesën “qerasje apo reng” si instrument për të mbledhur fonde për fëmijët në nevojë.

Në Shqipëri, meqë Halloween-i po strukturohet kryesisht mbi oferta biznesesh, ka prirjen të mos jetë mbarëshoqërore, por vetëm e një grupi të rinjsh,  që shpesh janë edhe bjerrakohë të përhershëm kafenesh.

Kërkesa për të patur harmoni më të madhe mes elementit konsumist dhe atij social nuk qendron vetëm për Halloween-in. Shumica e festave tona tradicionale, si festa të një popullsie të varfër dhe me prirje të forta pagane, janë të strukturuara mbi paradigmën mish-raki. Thënë ndryshe kanë prirje prej vetiu të mbitheksojnë rrafshin hedonist e konsumist dhe zbehin rrafshin shpirtëror.

Arbër Xhaferri ankohej se Dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranët, një festë e re e promovuar në Kosovë vitet e fundit, ishte konceptuar nga ideatorët si ditë meditimesh e veprimtarish shpirtërore, por kish përfunduar si gjithë të tjerat, ha-pi e baj qef.

5.

Gjatë 30-40 viteve të fundit në Perëndim janë shtuar përpjekjet për ringjalljen e neo-paganizmit, term ombrellë ky që përmbledh një varg lëvizjesh, të cilat synojnë rikonstruktimin e feve dhe të riteve pagane. Synohet kështu një kthim në origjinë, në kohën kur njeriu i falej natyrës dhe e konsideronte hyjni, në kohën kur kulti i natyrës përzihej me kultin e gruas-mëmë.

Rikonstruktime të tilla vihen zakonisht në shërbim të lëvizjeve ekologjike, atyre feministe etj. Gjithsesi operacione të kësaj natyre nuk burojnë dhe as rregullohen nga tregu, por kurohen nga elita intelektualësh. Eshtë kjo një praktikë universale. Gjithë festat tradicionale fetare që janë konstruktuar mbi skelete festash pagane, nuk janë kuruar nga tregu as nga prirjet hedonistike të turmave, por nga kleri që në ato kohë kishte monoplin mbi punët e shpirtit dhe synonte edhe monopolin mbi diturinë në përgjithësi.

Lënia e gjërave herë në mëshirën e tregut dhe herë në prirjet hedoniste të njerzëve mund të shpjerë në denatyrim ekstrem. Rast emblematik për këtë paraqet Dita e Verës, që kremtohet masivisht në Elbasan, Tiranë e qytete të tjera. Gjithkush e di se në origjinë të kësaj feste qëndron një rit adhurimi për natyrën, për përtëritjen e saj.

Por të nesërmen e Ditës së Verës, kur sheh Kodrat e Liqenit në një Vaterlo shishesh e gotash plastike, qesesh e mbeturinash ushqimore, kupton se nga festë adhurimi të natyrës e kemi shndërruar në akt përdhunimi të saj.

Dita