Hashim Washingtoni i Kosovës që po kthehet kundër

Valon Syla

 

Hashim Thaçi që dikur krahasohej me Washingtonin, themeluesin e Shtetit Amerikan (SHBA), nga politikani Joe Biden, sot më së paku sillet si një themelues i Shtetit të Kosovës. Ai duket më shumë si një ‘Hashim Washington i Kosovës’ idhnak, i izoluar dhe i preokupuar vetëm me vetën.


Ishte 21 korriku i vitit 2010, kur burrështetasi amerikan Joe Biden, e cilësoi Hashm Thaçin si George Washingtoni i Kosovës. Ky cilësim erdhi pak kohë pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, bëri publik opinionin e vet pozitiv, për Pavarësinë e Kosovës.

Kjo deklaratë në konceptin amerikan lidhet me themelimin e shtetit të tyre më 1776, apo 13 vjet më herët se Revolucioni Francez 1789, si ‘Kombi Shtet’ i pari modern në histori të njerëzimit. Dhe njerëzit që e themeluan këtë entitet të ri politik ishin vizionarë të mëdhenj, të njohur si ‘etërit themelues’ apo baballarët themelues që edhe sot në shkollat amerikane mësohen obligatvisht si ‘founding fathers’, apo ata që e projektuan Amerikën dhe lirinë që nuk kishte koncepte feudaliste evropiane, duke e nënshkruar deklaratën e pavarësisë dhe përpiluan Kushtetutën e parë moderne në botë.

Ata ishin 7 burra të mëdhenj, kryesisht juristë, ndërsa njëri prej tyre ishte Geroge Washingtoni, për të cilin Biden, mori guximin ta krahasojë me Hashim Thaçin tonë, po ashtu njëri nga baballarët themelues të një koncept-shteti shumë modern për Ballkanin që po merrte formë, me mbështetjen e të gjitha demokracive të botës. T’i shkojmë me radhë;

1. George Washingtoni

Duke e thjeshtuar tregimin për prejardhjen e tij, Geroge është i biri i një ‘aristokrati britanik’Augustine Washington, me origjinë angleze, i lindur në koloninë amerikane Virginia. Ai ishte rritur dhe edukuar si një lojalist i Perandorisë Britanike, që atëbotë filloi të terrorizonte kolonitë e veta, me politika denigruese kolonialiste, pothuajse të ngjashme me ato që Jugosllavia i bënte në Kosovë.

Washington, vendosi t’i bashkohet një grupi kryengritësish intelektual që kërkonin pavarësi dhe liri, nga konceptet e Britanisë Kolonialiste të Londrës, që nuk përkonin më me konceptet moderne të asaj kohe, dhe kishin stagnuar në një feudalizëm të vonuar, ku skllavëria ishte ende e lejuar praktikisht.

Luftuan, dhe e fituan lirinë, pavarësinë dhe instaluan, demokracinë. Washington u zgjodh edhe President i Parë i SHBA’së dhe qëndroi vetëm dy mandate. Kur e lutën të vazhdojë të tretin, ai u tërhoq duke dëshiruar që të lë një mesazh për gjeneratat e reja. Një precedent, që ende vazhdon sot se asnjë President i Amerikës, nuk bënë t’i mbaj më shumë se dy mandate, sepse ashtu e kërkon demokracia, stabiliteti dhe prosperiteti i liberalëve amerikanë. Ai kurrë nuk shkeli më në tokë angleze. I mbeti lojal shtetit që e kishte themeluar, përjetësisht.

2. Hashim Thaçi

Që të e thjeshtojmë për më shkurt, Hashim Thaçi lindi në Burojë, në një familje bujqish shqiptarë. Ai ishte rritur dhe edukuar në frymë tipike anti-jugosllave, dhe i qëndronte lojal grupeve ilegale politike, me ideologji marksist-leniniste, që kishin koncept anti-jugosllav dhe ëndërronin bashkimin me Shqipëri. Në moshë të re, nisi aktivitetet e rezistencës dhe shpejt u bë pjesë e njohur te grupet që synonin themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Doli si përfaqësues politik i kësaj organizate, dhe shpejtë u ftua të negociojë në Rambuje. Atje, la anash konceptet markstiste dhe të bashkimit shqiptar, dhe filloi të forcoj konceptin për Pavarësinë e Kosovës. Kosova me ndihmën e demokracive më të fuqishme të botës u çlirua, jetoi lirinë në protektorat të NATO’së dhe OKB, instaloi demokracinë dhe shpalli Pavarësinë e Kosovës. Ishin disa burra themelues të këtij shteti dhe shumë miq amerikanë. Hashim Thaçi ishte njëri prej themeltarëve.

U themelua Shteti i Kosovës, filluan njohjet dhe u shpalosën simbolet, që përfaqësonin 6 komunitete në Kosovë. Për 10 vjet pavarësi, u punua në forcimin e identitet kosovar, me shumë vështirësi e pengesa, i penguar nga serbët, islamistët, turqit dhe marksist leninistët shqiptarë. Hashim Thaçi i mbajti 2 mandate si Kryeministër, dhe 2 mandate të tjera në Qeveri. Me gjasë, nuk e ka ndërmend të tërhiqet. Së paku as në opozitë.

3. Hashim Washingtoni i Kosovës

I cilësuar si George Washington i Kosovës, Hashim Thaçi nuk u tërhoq pas dy mandateve politike si themeltari që e përmendi Joe Biden. Ai po ashtu nuk la ndonjë precednet politik, që ta trashëgojnë gjeneratat e ardhshme, përveç nguljes së të gjithë partnerëve që e ndihmuan.

Edhe pse ngriti edhe ndihmoi seriozisht themelimin e Shtetit të Kosovës, bashkë me shumë të tjerë… në një takim zyrtar e shqelmoi gjithë këtë, nga fotelja e Presidentit, apo institucionit unifikues të Kosovës, duke bërë thirrje që kosovarët të marrin pasaporta shqiptare. Pas kësaj sa mund t’i besoj Kosovës një fëmijë i lindur më 1999, apo Kryediplomatja matufe e BE’së Mogherini.

E sa për bllokim, ndoshta ai vjen pikërisht për Hashim Washingtonin, e jo për të gjitha gjashtë yjet e Kosovës.

Ishte pikërisht deklarata e një miku amerikan, të Presidnetit Thaçi, James Rubin, që qartëson shumëçka për bllokimin, kur tha se “miqtë e mi të UÇK’së, që bënë shumë për të fituar lirinë, shpresoj se do ta kenë mençurinë të tërhiqen nga pozitat e larta, para se të bëhet shumë vonë”.

Rubin ishte zëdhënës i Qeverisë së SHBA gjatë luftës 1998/99, dhe amerikani i parë që menjëherë pas çlirimit, e piu makiaton e parë të pasluftës bashkë me Hashim Thaçin në një kafene të famshme të Prishtinës.

Ishin miq të mirë dhe bashkëpunëtorë të afërt. Rekomandimin për tërheqje e kishte thënë në shenjë dashamirësie miqësore për të gjithë komandantët politik, në nëntor, 2013.

U bënë afër 5 vite nga e gjithë kjo, dhe Hashimi i Kosovës, nuk po di të tërhiqet. Noshta Biden kur e ka cilësuar si Geroge Washington, nuk ja kishte theksuar mirë këtë histori.

Opinion nga Valon Syla – Drejtor i Gazeta Metro