Histeria dhe eklipsi vijnë bashkë: Mirë se vini në Vitet e Çmendura

 

Glenn Harlan Reynolds

 

 

 

Shumë herët në karrierën e tij, aty nga viti 1940, shkrimtari fantastiko-shkencor Robert Heinlein krijoi një vijë kohore të një “historie të ardhshme” rreth së cilës rrotullohen shumica e shkrimeve të tij, duke shkuar nga mesi i shekullit të 20-të deri në shekullin e 24-t. Shumë nga ato që shkroi ai nuk janë bërë realitet, por një gjëje i ra në kokë: Ne po jetojmë në “Vitet e çmendur”.

Vitet e Çmendur, në vijën kohore të Heinleinit, erdhën kur ndryshimet e shpejta në teknologji, së bashku me ndryshimet e forta që ato shkaktuan në mënyrën e jetesës dhe ekonomi, e bënë shoqërinë të çmendej. Ato i përkasin periudhës nga dy dekadat e fundit të shekullit të 20-të deri në dy dekadat e para të shekullit të 21-të. Nëse disa nga romanet e tij të vendosur në këtë periudhë – për shembull Time Enough for Love (Kohë e mjaftueshme për dashuri) — ai përfshin një përzierje rastësore titujsh që mund të jetë dukur si çmenduri atëherë, por që duket krejt normale sot.

Nuk jam i pari që po e bëj këtë lidhje – shkrimtarët fantastiko-shkencorë John C. Wright e Sarah Hoyt e kanë përmendur me kohë dhe, siç vë në dukje Hoyt, “këta janë Vitet e Çmendur” është bërë diçka si material barcaletash mes adhuruesve të Heinlein.

Por çfarë do të thotë kjo? Siç vë në dukje Wright — duke sjellë në kujtesë jo vetëm Heinlein por edhe bashkëkohësin e tij A.E. Van Vogt, “çmenduria” vjen kur ajo çka beson nuk përputhet me faktet:

“Çmenduria mund të matet nga sjellja e papërshtatshme. Sjellja që shoqëria përdor për të zgjedhur një lloj problemi, kur aplikohet në kategorinë e gabuar, e çorienton atë. Kur kjo ndodh, e gjithë shoqëria, edhe nëse disa anëtarë janë të vetëdijshëm për çorientimin, nuk mundet të arrijë në konkluzionin e duhur ose të reagojë në mënyrë të tillë që të ruajë veten nga dëmet. Njësoj sikur shoqëria të ishte një delfin që e quan veten peshk. Kur peshku ka ndjesinë e mbytjes, zhytet poshtë. Por delfini është gjitar, anëtar i një kategorie të ndryshme qeniesh. Kur delfinët kanë nevojë për ajër, ata dalin në sipërfaqe, nuk zhyten. Vënia e vetes në kategorinë e gabuar çon në sjelljen e gabuar”.

Ne shqetësohemi për racizmin dhe varfërinë, kështu që rrëzojmë statuja. Ne shqetësohemi për terrorizmin, kështu që u konfiskojmë pasagjerëve të avionëve byzylykët me zbukurime në formë armësh të vogla. Ne shqetësohemi për ekonominë, kështu që shtypim më tepër pará dhe nxjerrim rregulla të reja.

Pasi që këto veprime nuk sjellin rezultatin e dëshiruar, problemet që ato supozohej të zgjidhnin vazhdojnë të rriten e përkeqësohen. Dhe zakonisht përgjigjja është duke dyfishuar veprimet që nuk zgjidhin gjë.

Kjo është çmenduri. Por, jemi në Vitet e Çmendur.

Ndonjëherë çmenduria është afatshkurtër, ajo që autori e karikaturisti Scott Adams e quan “një flluskë masive histerie”. Histeria masive nuk është gjë e re, siç e tregojnë gjyqet e shtrigave të Salemit dhe Mania e Tulipanëve (shek. 17, kur çmimet e tulianëve u rritën më tepër se ato të shtëpive). Por ndonjëherë – dhe besoj se kjo është tani, meqenëse jemi në Vitet e Çmendur – rrethanat krijojnë vazhdimisht flluska histerie masive.

Cilat janë rrethanat e sotme? Mendoj se Heinlein kishte të drejtë për sa i përket teknologjisë dhe ekonomisë në përgjithësi. Por në veçanti, mendoj se ngritja e medias sociale – e sidomos përdorimi i gjerë i Twitterit nga gazetarët e politikanët – e ka rritur shumë më tepër çmendurinë. Falë mundësisë për të bllokuar apo hequr nga lista e miqve ata që nuk janë dakord, është shumë më e lehtë se dhjetë vjet më parë të jetosh në një flluskë politike/ideologjike. Dhe më duket se shumë gazetarë tani postojnë në Twitter më tepër për të impresionuar miqtë e tyre se sa për t’i shërbyer audiencës.

Dhe cila është finalja? Hm, kjo duhet t’i shqetësojë njerëzit. Në historinë e ardhshme të Heinleinit, Vitet e Çmendur përfundojnë me ngjitjen e Reverendit Nehemiah Scudder, i cili krijon një diktaturë teokratike në Shtetet e Bashkua. Pasi u kishte ardhur në majë të hundës me çmendurinë, votuesit zgjodhën një lider që ofronte një kuadër të qëndrueshëm, ndonëse ishte shtypës.

Unë nuk dua një Nehemiah Scudder (apo versionet alternative si Pol Pot apo Hugo Chavez). Ndërsa Hitleri ishte përgjigjja e Gjermanisë për Vitet e Çmendur nën Republikën e Weimar-it. Por ti nuk e zgjedh Hitlerin për shkak të Hitlerit. Ka gjithmonë Hitlerë të mundshëm rreth e rrotull. Ti e zgjedh Hitlerin për shkak të Weimarit dhe ti gjendesh mes Weimarit për shkak se njerëzit që kanë për të detyrë të mbajnë një sistem politik liberal janë tepër të korruptuar dhe të paaftë – apo të çmendur – për të mbajtur një sistem politik liberal.

Nëse nuk ju pëlqejnë pasojat, mos bëni gjërat që sjellin pasojat. Çdo gjë tjetër është thjesht çmenduri.

*Glenn Harlan Reynolds, profesor juridiku në Universitetin e Tennessee, asht anëtar i Bordit të Kontribuesve të gazetes “USA Today”.