Humbja e Hillary Clinton ka shumë fytyra!

hillary-clinton-zgjedhjet-2016

Paolo Valentino*

Çatia e qelqtë e Javits Center rezultoi e pathyeshme. Nën mbulesën transparente të qendrës së kongreseve mbi lumin Hudson, nuk pati revolucion, por dëshpërim. Hillary Clintoni nuk ia doli, nuk do të jetë ajo gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E saja është një humbje e trishtë, e vetmuar dhe përfundimtare, ajo e një kandidateje të destinuar, që nuk ia doli të bëjë kilometrin e fundit, e penguar një hap larg finishit prej një cikloni zemërimi, pakënaqësia, refuzimi të politikës, që një si Donald Trumpi e transformoi në lëvizje kryengritëse.

Ka qenë një natë surreale. Dramatike. E gabuar. Ku kalimi i orëve, ka çmontuar pjesë pas pjese çdo iluzion, duke ngurtësuar në mënyrë progresive optimizmin e relaksuar të prag numërimit dhe duke i hapur rrugë fillimisht habisë, më pas shastisjes, dhe në fund një dhimbjeje të lehtë dhe shpuese. Por ndërkohë që rrjetet televizive i vendosnin shtetet në kolonën e kuqe të Donald Trumpit, populli demokratik përpiqej të reagonte, sikur të mos donte t’i besonte realitetit. Një sërë dinjitarësh të partisë, që duhej të përgatisnin platenë për momentin e madh, i zunë vendin njëri-tjetrit në një spektakël grotesk: nga senatori njujorkez Chuck Schumer, që hidhej përpjetë duke kënduar “mendoj se Hillary do të fitojë”, deri tek i gjori ANdreu Cuomo, guvernatori i Nju Jorkut, i detyruar të kujtojë babanë e tij Mario, që “do të kish qenë i lumtur po të ishte këtu dhe të festonte për Hillarynë”. Shfaqeshin të shpërfytyruar burra dhe gra të ekipit të Hillary Clintonit, që kishin ardhur në qendrën e kongreseve në Nju Jork, duke rrezatuar siguri dhe besim. “Duket mirë”, kish thënë John Podesta, shefi i fushatës.

Fushata anti Trump

Hillary ka humbur keq, duke paguar me siguri një strategji në thelb negative, ku argumenti i vetëm i fushatës së saj ka qenë ai i ndalimit të Trumpit, uzurpatorit, sharlatanit të rrezikshëm pa asnjë aftësi dhe kualifikim për të hyrë në Zyrën Ovale, gjaknxehti me gishtin në butonin bërthamor, një rrezik për sigurinë e botës. Shumë pak, për një ambicie kaq të madhe sa presidenca e Shteteve të Bashkuara. Shumë pak për të fituar hendekun e besueshmërisë, i hapur prej shumë vitesh të kaluar në politikë. Shumë pak për të eleminuar antipatinë e thellë dhe të vjetër, që kandidatja demokratike shkakton tek një pjesë e madhe e Amerikës. Shumë pak, mbi të gjitha, përballë thjeshtësisë çarmatosëse, vulgare dhe të dhunshme të kundërshtarit të saj, në gjendje të depërtonte në zemrën e një vendi të zemëruar, i bindur se loja është e trukuar dhe se klasa politike e profesionistëve në Uashington punon vetëm për ta manipuluar.

Gabimet e fushatës

Pjesën tjetër e bënë gabimet e një fushate, që ka nënvlerësuar shumë impaktin e skandaleve të vegjël dhe të mëdhenj, që ia rënduan krahët ish Sekretares së Shtetit: emailet në serverin privat, ndoshta të parëndësishme por gjithësesi të fshehura, e si pasojë të dyshimta; marrëdhëniet jo shumë të qarta me financuesit me famë të dyshimtë të CLinton Initiative, programi filantrop i Billit, në emër të qëllimti që justifikon mjetet; shpërblimet me gjashtë shifra për fjalimet; shoqërimi me të mëdhenjtë e financës, me një fjalë, i gjithë ai kontekst që vështirë se mund të bënte të besueshëm angazhimin e premtuar në fushatë për më të dobëtit, humbësit e klasës së mesme, që nuk e njeh më ëndrrën amerikane.

Natyrisht, nuk është vetëm kjo. Në metamorfozën e shumëfishtë të historisë së saj, bashkëshorte e një politikani, avokate e suksesshme, zonjë e parë, senatore, Sekretare Shteti, Hillary Clintoni me siguri që e ka ripërcaktuar rolin e grave në shoqërinë amerikane, sa herë që ka ditur të rishfaqet. Dhe në fund të fundit, antipatia e shumë amerikanëve dhe amerikaneve buron edhe – por jo vetëm – nga vështirësia e asaj pjese të thellë të Amerikës, për t’u mësuar me ndryshimin e rolit të gjinisë, në familje, në tryezë, në politikë, rol për të cilin ajo ishte simboli konkret dhe i gjallë.

Humbje kolektive

Nga ana e vet, Hillary shfaqi aftësinë e saj strukturore për t’u shfaqur e sinqertë, për të hyrë në sintoni me opinionin publik. Jo se nuk e ka provuar, si përshembull kur e pranoi sinqerisht se nuk ka talentin politik të Obamës, apo të bashkëshortit të saj, Bill. Por kanë qenë momente që të vetëm nuk mund të ndryshonin perceptimin e një personi gjithmonë shumë të programuar, asnjëherë e natyrshme. Nuk mund të funksiononin si mbështetës as edhe kampionët e saj të mrekullueshëm, vetë Bill Clintoni, apo Barack e Michelle Obama. Dhe nuk është një humbje jetime, por është një humbje me shumë fytyra, kjo e Hillary Clintonit. Eshtë humbja e Billit, që duke kontribuar për suksesin e bashkëshortes, donte ndoshta të shlyente shumë prej fajeve të tij të të kaluarës. Dhe është mbi të gjitha humbja e Barack Obamës, që tani e sheh të rrezikuar seriozisht trashëgiminë e tij. Me zgjedhjen e Hillarysë, kundërshtarja e tij e dikurshme, ishte lidhur në mënyrë të dyfishtë konsolidimi përfundimtar i reformave të tij. Tani Trumpi, me një kongres tërësisht republikan, mund të çmontojë pjesë pas pjese të gjithë arritjet politike të Obamës. Mund të emërojë gjykatësit e ardhshëm të Gjykatës së Lartë, gjë kjo shumë e rëndësishme si “hipotekë”.

Këto zgjedhje duhej të ishin fillimi i fundit të Partisë Republikane. Rrezikon të shndërrohet në një makth, nga i cili demokratët amerikanë mund të mos zgjohen për një kohë të gjatë. A do të jetë më mirë Amerika?

*Corriere della Sera-Bota.al