Kosova, Edi Rama e Blendi Fevziu

ramavucic
nexhmedin-spahiu-prof-dr

Nexhmedin Spahiu

 

 

Shkuarja e Edi Ramës në Beograd duhet të shihet si interes i qytetarëve të Shqipërisë në radhë të parë. Si kryeministër i një vendi sovran ai ka të drejtë të takojë kë të dojë dhe në këto takime të përmendë kë të dojë, ta ndhmojë një shtet të tretë apo edhe të bëjë pazare në dëm të një shteti të tretë. Llogarinë për këtë ai ua jep vetëm qytetarëve të Shqipërisë.

Rregullimi i marrëdhënie Shqipëri -Serbi është interes i Shqipërisë. Ai është edhe interes i Kosovës,  perderisa Shqipëria është aleati i saj më i natyrshëm.  Edi i ndihmoi Kosovës me batutën për Trepçën, por i lëndoi kosovarët duke përmendur Ivo Andriqin, të cilit Edi, mbiemrin ia shqipton rusisht “Andriç”, ndoshta sepse nuk e kupton se mbiemrat serbë e rusë dallohen pikërisht me këtë “iq” apo “iç”. Të përmendesh shkrimtarin Ivo Andriq për kosovarët është sikur të përmendesh Hitlerin për hebrenjtë.  Andriq ishte shkrimtar i madh, fitues i Nobelit, por edhe Hitleri ishte një orator i madh dhe një gjeni, por po t’i përmendesh këto fakte lëndon hebrenjtë.

Pikërisht ky lëndim që u bëri Edi i zgjoi ndjenjat kosovariste sa që edhe ata që deri më dje më shanin mua e Halil Matoshin për kombin kosovar,  u bënë zëdhënës të identitetit kosovar.  Për ironi,  benzinë zjarrit i hodhi Blendi Fevziu. Jo vetëm me debatin që organizoi në këtë temë po edhe me shkrimin “Shqipëria,  Kosova  dhe kombi!”, duke tentuar të relativizojë Edi Ramën u fut në një temë ku u tregua shumë jokompetent.

Në debatin televiziv, por edhe në shkrimin e tij ai hodhi “argumente” të cilat në opinionin publik të Kosovës, por edhe të Shqipërisë kaherë kanë marrë përgjigjie dhe kësisoji u zhvlerësua në sytë e atyre që mendonin se është i ditur.

Blendi shkruan “Nëse ka dy kombe, pra një shqiptar dhe një kosovar, ku duhet të klasifikohen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit? Po ata që jetojnë në Mal të Zi? Po shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Çamërisë, cilit komb do t’i përkasin? “.

Për shqiptarët etnikë që bëjnë jetën e minoritetit në vendet fqinjë me Kosovën e Shqipërinë Blendi pyet se cilit komb i takojnë!?. Në kushtetutën e Maqedonisë shqiptarët në Maqedoni  njihen si minoritet etnik. Në kushtetutën e Malit të Zi, shqiptarët në Mal të Zi  njihen si minoritet etnik. Në kushtetutën e Serbisë shqiptarët në Serbi  njihen si minoritet etnik.  Në kushtetuten e Kosovës (dhe planin e Ahtisaarit) shqiptarët e Kosovës njihen si komb.  Pra shqiptarët e Kosovës janë komb. Komb shqiptar i Kosovës, komb kosovar,  komb dardan, ç’rëndësi ka emri. Me rëndësi janë komb. Kanë shtetin e tyre, siç e kanë edhe shqiptarët e Shqipërisë shtetin e tyre. Shqiptarët në Maqedoni nuk e kanë shtetin e tyre, ata kanë aq të drejta sa u japin maqedonët, apo aq sa ata janë të zotë t’i imponojnë ato.

Pse shqiptarët  në Shqipëri dhe ata në Kosovë janë dy kombe të ndryshme?  Janë spse jetojnë në dy shtete të ndara. Vetë fakti se Blendi Fevziu  e Edi Rama të cilët para sa ditësh deshën t’ia nxirnin sytë njëri tjetrit, tani janë në një taborr, dhe Halil Matoshi e Enver Hoxhaj, në raporte hiq më të mira se Blendi Fevziu e Edi Rama, me këtë rast janë në një taborr, është argument se bëhet fjalë për dy kombe të ndryshme. Këto kombe nuk i dallon as gjuha as gjaku, as prejardhja (pra nuk i dallon etnia) por i dallon qasja ndaj disa vlerave.  Për derisa Edi Ramës e Blendi Fevziut u duket normale përmendja e një shkrimtari të kalibrit botëror si Ivo Andriq, për Halil Matoshin e Enver Hoxhajn (dhe kosovarët e tjerë) kjo është një tmerr.

Edhe kombi shqiptar edhe kombi kosovar  kanë heronjtë e tyre të përbashkët: Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, Nënë Terezen, Adem Jasharin, Indrit Carën etj, por kanë edhe  heronjtë që për kombin tjetër janë antiheronjë. Psh. Presidenti Rugova ka dekoruar Rexhep Mitrovicen dhe emrin e tij e mbajnë rrugë e institucione në Prishtinë e Mitrovicë.  Emrat e Xhafer Deves, Asllan Boletinit  dhe vlonjatit Ago Agaj poashtu mbajnë rrugë të Kosovës, por këta në Tiranë konsiderohen tradhtarë të kombit.

Derisa Aleksandar Rankoviq është figura më e urryer në Kosovë (madje më shumë se sa ajo e Sllobodan Millosheviqit),  Tirana zyrtare atë e mbanë akoma për hero.

Pra jemi dy kombe dhe shyqyr që jemi. E mira është që raportet të jenë vëllazerore dhe jo një komb që i nxjerr sytë njeri tjetrit.

Edi Rama mund të shkojë në Beograd sa herë të dojë, t’i rregullojë marrëdheniet me Serbinë.  Mirë është që ta ndihmojë Kosovën,  por në radhë të parë nuk ka përse t’i lëndojë kosovarët duke iu vardisur serbëve.  Kosova ka interes nga afrimi reciprok i Shqipërisë me Serbinë. Çdo takim i Edi Ramës me Vuçiqin është i mirëseardhur për Kosovën. Nëse epilogu i këtyre takimeve do të jetë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë Rama do të jetë hero i Kosovës e Vuçiqi mik i Kosovës.  Nëse epilog i takimeve të tyre do të jetë marrëveshja për ndarjen e Kosovës , atëherë Rama e Vuçiqi do jenë armiqtë e Kosovës.