Kriza e Bajraktarizmit (lidershipit)

shaqirislami

Shaqir Islami

 

 

Erani, punon në një ujdhesë të Adriatikut si shumë kurbetçi tanë. Në tarracën e vet e kish pasur mysafir eurodeputetin slloven Jelko Kacin. Falë Zotit, gurbetqarët tanë anembanë botës i kemi si ambasadorë, të cilët me mish e shpirt mundohen t’i bëjnë ndonjë të mirë vendit të vet; këta bëjnë më shumë se ambasadorët që dergjen dhe paguhen majmë nga paratë e popullit. Shyqyr Zotit, kurbetçinjtë tanë ende nuk janë lodhur duke dhënë kontribut të madh për sa i përket patriotizmit dhe atdhedashurisë.

Erani pasi e kishte nderuar eurodeputetin Kacin me mikpritjen a la shqiptarçe, në bisedë e sipër, e kishte pyetur: si vajnë punët politike të shqiptarëve në Maqedoni. Jelko Kacin i kishte thënë prerë me zhgënjimin më të madh se: “pas vdekjes së Arbër Xhaferit, më nuk kemi njeri ndër shqiptarët për të biseduar për politikë. Ai u mungon shumë.”

Duke e vëzhguar skenën politike aktuale, mu kujtuan fjalët e thënë nga ky eurodeputet. Pasi, opozita akoma nuk arriti ta artikulojë interesin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Përtypet akoma fjalori politik i vjetruar nga koha. Asnjëra parti nuk ka një argument të qartë politik, që e dallon nga garuesit tjerë. Mungon vizioni politik i kohës. Interesi personal i politikanëve akoma ka përparësi ndaj interesit publik. Mendësia politike ka ngec në moçalin politik të sajuar nga qarqe jo dashamirëse. Nga ky aspekt, edhe kësaj radhe do të shërbejmë si dash për kurban, dhe do dështojmë që ta ndryshojmë gjendjen socio-ekonomike, politike dhe kulturore.

Mungon bajraktari (lideri) politik i opozitës. Ai i cili është i vendosur, guximtarë për ndryshime rrënjësore, si në komunikim, sjellje dhe artikulim të interesit publik. Demokracia dallon nga sistemet politike autokrate, mu në domosdoshmërinë e krijimit të konsensusit. Një lider që akoma nuk e ka kuptuar se politika e suksesshme është arritja e konsensusit, nuk është politikan. Këtu me të vërtetë duhet guximi, jo vetëm rrahagjoks inatesh dhe grindje absurde që më shumë krijojnë mjegullnajë se sa shpresë për ardhmërinë e qytetarëve. Një lider politik me çdo kusht e bashkon opozitën për ta luftuar sundimin zullumqar. Historia është përplot me shembuj. Me sa duket opozita nuk e ka ‘kaçikun’.

Mos artikulim i qartë i gjendjes sociale, ekonomike dhe politike të qytetarit, keqkuptimi i nevojës së kohës, krijon kushte reale për depërtimin e partive politike Maqedonase në hambarin e votës Shqiptare. Të dy blloqet politike Maqedonase bëjnë hesap me votën tonë. Alo, a nuk e shihni se kësaj radhe vota jonë do vendos se çka do ndodh me shtetin. Ky moment politik duhet t’i këndellë të gjithë aktorët politikë, krijuesit e opinionit, gazetarët si aktorë kryesorë të sferës publike, qarqet akademike e fetare po ashtu, studentët dhe nxënësit si forca sociale më dinamike, e sidomos gratë, të gjithë duhet të aktivizohen. Ky është imperativ i demokracisë.

Kapitali social duhet të ngjallet nga apatia e krijuar qëllimisht nga sundimi fashist i VMRO’së dhe BDI’së me PDSH’në në hije. Ky trinom i së keqes duhet të mposhtet përfundimisht, ky është obligimi i secilit qytetarë. Mobilizimi i votës shqiptare është kusht për shpëtimin dhe shërimin e shtetit tonë. Përndryshe, do vazhdojmë edhe më tej avazin tonë si ‘vajtojcat e Zajazit’.