Letër një miku amerikan

anastasijevic_0

 

I dashur mik,

E them me plot kuptimin e fjalës: është pikërisht ashtu si u ndjeva kur Sllobodan Millosheviç mori kontrollin e Partisë Komuniste Serbe në vitin 1987 dhe pastaj zhdukur opozitën demokratike në zgjedhjet e para shumëpartiake tre vite më pas.

Ashtu si ju, pashë i terrorizuar ndërsa bashkëpatriotët e mi në dukje të denjë, papritur të liruar nga prangat e korrektësisë politike dhe të ledhatuar nga media e Millosheviçit, filluan të bërtisnin gjëra të tmerrshme për miqtë dhe fqinjët e tyre me etni të ndryshme.

Ashtu si ju, shpresova dhe u luta që kjo të ishte thjesht tymnajë që do të shpërndahej. Ashtu si ju tani, unë ende shpresoj që Trump nuk do t’i bëjë të gjitha ato gjëra të tmerrshme – si burgosja e kundërshtarëve politikë, dëbimet në masë, legalizimi i torturës, Muri – që premtoi në fushatë se do t’i bënte.

Por më duhet të të them mik, është një shpresë e brishtë. E imja u shkatërrua një mbrëmje vere në Beograd, teksa shihja tankët e Ushtrisë Jugosllave të mësymnin drejt Vukovarit, një qyteti kroat barok që më pas u kthye në rrënojë. Dhe pastaj sërish në pranverën e vitit 1992, kur filloi rrethimi i Sarajevës.

Gjëra të paimagjinueshme dhe të frikshme së shpejti u bënë shumë reale. Kështu e ka realiteti – qëndron aty sado që të urosh shumë që të largohet.

Më parë më lejo të theksoj se e di shumë mirë që Trump nuk është Millosheviçi dhe se ka ndryshime të mëdha në stil, përmasë dhe përmbajtje mes të dyve. Por ka edhe ngjashmëri: ata të dy e morën pushtetin duke luajtur me anën më bazike të natyrës njerëzore; të dy nxorrën në pah anën më të keqe të kombeve të tyre dhe ndërsyen komunitetet, madje grupe të tëra etnike vetëm për të mbajtur pushtetin.

Gjatë sundimit të tij, Millosheviçi i bëri një dëm të madh Serbisë dhe fqinjve, por ai ishte vetëm një lider vendas në Ballkan, në fund të fundit. Nëse lejohet, Trump do të mund të bëjë shumë më tepër se kaq ndaj Amerikës dhe botës. Gjithsesi, unë po ofroj simpatinë time dhe disa këshilla.

Këshilla ime e parë është të bëheni realistë dhe të përgatiteni për vështirësitë që do të vijnë. Brenda disa muajve mund të shihni sesi fqinjët dhe kolegët tuaj do të mblidhen dhe do të largohen nga trupa të armatosur (sot, Trump tha se ka qëllim të deportojë rreth “dy, ndoshta tre milionë” imigrantë).

Mund të ketë përleshje racore dhe masa ndaj komuniteteve myslimane. Dhe njerëz si ti, të cilët nuk janë aq të paligjshëm dhe as myslimanë, por që ndjejnë neveri nga masa të tilla, mund ta gjejnë veten nën presion të madh për të qenë dakord ose ndryshe do të damkosen si tradhtarë ose të paktën si problematikë dhe jopatriotë, ashtu sikurse unë, bashkë me shumë të tjerë, u cilësuam si tradhtar gjatë kauzës serbe.

Kjo është këshilla ime e dytë: mos diskuto, vepro. Nuk mund të luftohen fanatikët me fjalë apo duke i provuar se ti je po aq amerikan sa ata, edhe nëse arrin t’i mundësh me zgjuarsi, ata do të përgjigjen më dhunë.

Këtë bëjnë ata që tallin të tjerët, veçanërisht kur ndihen të fuqizuar e madje me autoritet nga qeveria (të kujtohet shprehja “do të doja ta shkelmoja në fytyrë” në një prej takimeve të Trump?). Në vend të kësaj, bëj çfarë të mundesh për të ndihmuar të dobëtit, të shtypurit dhe të frikësuarit.

Ndonjëherë edhe një gjest i vogël, një fjalë e mirë apo një buzëqeshje mjafton; ndonjëherë duhet të bësh më shumë. Mos harro fjalët e Mary Sarton se në kohë të këqija “duhet menduar si hero për t’u sjellë si një qenie e denjë njerëzore”.

Ata do të të thonë se ka marrë fund tashmë, se njerëzit kanë votuar dhe ti ke humbur. Mos e beso këtë: ki parasysh se më tepër amerikanë votuan për Hillary Clinton sesa për Trump dhe se vetëm një e katërta e atyre që kishin të drejtë vote, votuan për klounin. Larg nga të qenët vetëm, ti në fakt je shumica – unë e di sepse jam takuar me shumë amerikanë dhe shumica prej tyre janë të sjellshëm, qenie të mira njerëzore, ashtu si ti. Dhe shumë prej tyre refuzojnë të lihet mënjanë nga banditët.

Në vendin tim, ne luftuam kundër Millosheviçit për shumë kohë dhe shumë fort (meqë ra fjala, bombardimi i NATO-s në vitin 1999 ndaj Kosovës nuk ndihmoi). Disa, ashtu si unë, punuam për ekspozimin e krimeve dhe abuzimeve të tij që e gjithë bota t’i shihte; të tjerë u përballën me policinë në rrugë gjatë protestave masive që ndonjëherë zgjatën për javë. Ne u organizuam dhe në fund, Millosheviçi u hoq nga pushteti me votë.

Kur refuzoi të binte dakord (siç la të kuptohet Trump kur mendoi për humbjen e tij), ne e nxorrëm atë nga zyraa dhe me kalimin e kohës e çuam në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë. U desh ca kohë, por në fund funksionoi.

Për njerëzit e mirë, Amerika është një fushëbetejë më e përshtatshme sesa ishte Serbia në vitet 1990. Duke e marrë veten mezi nga sundimi njëpartiak, institucionet tona ishin të dobëta, ndaj u shkatërruan lehtë nga Millosheviçi dhe miqtë e tij. Ju keni Kartën e të Drejtave, një sistem gjyqësor të fuqishëm, keni ende shumë media të lira, jeni të mbrojtur nga Amendamenti i Parë, diçka që Trump kurrë nuk mund ta përmbysë lehtësisht.

Pjesë të shërbimeve ushtarake dhe të sigurisë kanë deklaruar tashmë se nuk do të marrin pjesë në krime luftes si torturim apo vrasje të familjeve të dyshuarve si terroristë, edhe nëse urdhrat vijnë drejt nga kryekomandanti.

Le të shpresojmë të gjithë se sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, Trump do të përballet me një rezistencë të tillë saqë do të tërhiqet nga planet e tij dashakeqe. Por siç e thashë, shpresa është e dobët dhe kur është gjithçka që ke, nuk mund të mbështetesh vetëm te ajo.

Duke iu kthyer Serbisë, ka edhe diçka tjetër: gjatë viteve të përpjekjeve, ne kishim një gjë të mirë nga i kthenim sytë: Xhaxhai Sem. Dhe ai ndihmoi, duke mbështetur politikisht dhe financiarisht rezistencën anti-Millosheviç.

Ishte një Amerikë e ndryshme atëherë, përpara 11 shtatorit dhe Afganistanit e Irakut, përpara Guantanamos dhe programeve të fshehta të CIA-s me të dyshuarit si terroristë. Jo tamam një Qytet i shndritshëm mbi Kodër, por duke folur përgjithësisht një perandori dashamirëse, që respektonte të drejtat e njeriut për shtetasit e saj dhe ndonjëherë ato të vendeve të tjera.

Ajo amerikanë thuajse është zhdukur tashmë. Osama Bin Laden dhe George Bush u kujdesën për këtë dhe përpjekjet e Barrack Obamës për ta rindërtuar kanë qenë të suksesshme vetëm pjesërisht. Tani Trump do ta kthejë atë në një vend shumë më të ndyrë. Ai duhet të ndalohet dhe ju takon juve kjo detyrë. Por ndryshe nga ne, ju nuk mund t’i kërkoni ndihmë Amerikës. Juve do t’ju duhet ta rikrijoni atë.

Juaji, Dejan Anastasijevic

BIRN