Lubonja: Kadare, ky oborrtar i dy regjimeve (2)

enver-hoxha-ismail-kadare

 

lubonja-fax1

FATOS LUBONJA

(vijon nga numri i kaluar)

DOKUMENTET E SIGURIMIT

Manipulimi më i madh me librin “Kadareja në Pallatin e ëndrrave” është se ai shitet sikur kemi të bëjmë kryesisht me “DOKUMENTE të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit”. Në të vërtetë, përveç një dokumenti për të cilin do të flas më poshtë, libri, në fakt, ka dokumente mbledhjesh organizatash partie, mbledhjesh të Lidhjes së Shkrimtarëve, raporte nga këto mbledhje dërguar lart, artikuj gazetash, letra, ankesa e raporte drejtuar ndonjë udhëheqësi, faqe nga dosje hetimore dhe gjyqësore të burgosurish, por jo dokumente të Sigurimit që të provojë ndjekjen e Kadaresë.

fax2

Dokumentet e Sigurimit që provojnë ndjekjen e personave të ndryshëm janë në të tjerë sirtarë, të cilët autorët as kanë bërë ndonjë përpjekje për t’i kërkuar.

Po sjell për ilustrim disa të tilla nga arkivi im i dokumenteve familjare, që kam mundur të siguroj për të sqaruar edhe publikun për mashtrimin që kërkojnë të na bëjnë.

Faksimile e dokumentit qe tregon heqjen e pergjimit per familjen Lubonja, e internuar ne Torovice

Faksimile e dokumentit qe tregon heqjen e pergjimit per familjen Lubonja, e internuar ne Torovice

Materiali i parë është kartela e dosjes sime të Sigurimit.

Ajo tregon se, kur fillonte një ndjekje, hapej një dosje që në krye ishte e kategorisë PP (që do të thotë procesi i përpunimit) dhe caktohej një operativ, i cili vinte në lëvizje agjentët ose rekrutonte enkas informatorë të rinj. Kur mblidheshin të dhëna të mjaftueshme, dosja kalonte në kategorinë 2A, siç ka kaluar në janar të vitit 1974 dosja ime e hapur më 6 korrik 1973, që do të thotë se personi ka aktivitet armiqësor.

* * *

Dokumenti i dytë tregon se personat me kësi dosjesh ndiqeshin edhe nëpërmjet përgjimit të telefonave, kur kishin të tillë në shtëpi. Ai tregon për përgjimin e telefonave të shumë familjeve në vitet ’73, ’74, ’75 ku, përveç numrave të tjerë, do të bien në sy edhe numrat e disa Lubonjave dhe Paçramëve, që përfunduan më pas në burg. Po të vësh re me kujdes dokumentet, instalimi është bërë në datën 17 janar 1974 dhe vetëm pas 4 ditësh dosja ime ka kaluar në kategorinë 2A, mesa duket për shkak të interceptimit të ndonjë bisede.

Faksimile e shkresës së Sigurimit me emrat dhe telefonat e personave të përgjuar në ‘73-’75

Faksimile e shkresës së Sigurimit me emrat dhe telefonat e personave të përgjuar në ‘73-’75

Po ashtu, po botoj dy dokumente, ku i pari flet për ndjekjen e nënës sime Liri Lubonja, me dosje 2A, dhe i dyti për heqjen e përgjimit të familjes sime në vitin 1991, për të ilustruar se si vepronte Sigurimi për të “kopsitur” e futur në burg, nëpërmjet agjenturës së tij, dhe TO (teknikë operative) njerëzit me dosje. Aty bien në sy pseudonimet e agjentëve që ka vënë në aktivitet për këtë qëllim dhe instalimet e përgjuesve në shtëpi apo, te komshiu me të cilin ndaje murin.

E pra, asnjë dokument të tillë nuk na ka ofruar autori për të na provuar ndjekjen e Kadaresë nga Sigurimi. I vetmi dokument që vjen nga sirtarët e Sigurimit është ai që flet për kalimin nga një funksionar i Sigurimit në një tjetër të disa dosjeve dhe listave ku figurojnë 315 emra (disa edhe të njohur publikisht), ku është edhe emri i të shoqes. Së pari, vetë fakti që emri i tij nuk figuron ndër 315 emra flet për atë se intelektuali që kërkon të shitet si i vetmi thënës i së vërtetës në atë kohë, paska qenë më pak i rrezikshëm edhe se një numër kaq i madh intelektualësh. Së dyti, sikurse thotë edhe një ish-funksionar i Sigurimit që autori i librit e ka intervistuar, “lista apo dokumentet që botohen më poshtë, […] nuk ishin objekt ndjekjeje nga Sigurimi, por pika reference, për komunikim me udhëheqjen politike.” “… lista, […] nuk është listë e ndjekjes operative “… “kush të lexojë emrin e tij në ndonjë dokument si ky që po botoni ju, është i lirë që ta gjykojë vetë nëse ka qenë në ndjekje operative apo jo? Dhe kjo vlen veçanërisht për … të cilët janë në kërkim të një disidence të paqenë.” Autori nuk na shpjegon se ç’kuptim kanë tri pikat në mes të frazës së ish-funksionarit. Është përmendur ndonjë emër që ai s’ka dashur ta vërë, apo ish-funksionari, për të mos përmendur emra, ka thënë gojarisht “pika, pika.” E çuditshmja është se autori nuk e ka pyetur direkt për Kadarejtë, sepse ish-funksionari mund t’i jepte përgjigjen që kërkonte, siç i ka thënë për Petro Markon. Me gjasa nuk ka marrë përgjigjen që ka dashur. Megjithatë, manipulatorët nuk ngurrojnë t’i vënë dokumentit titullin: “Elena Kadare në dokumentin sekret të 315 intelektualëve që survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit.”

* * *

Në fakt është e kotë të zgjatesh me argumente për të provuar një gjë që e dinë të gjithë. Fakti që autori, në vend se të ngrejë pyetjen: pse hyri ky shkrimtar në Parti, shet si “riedukim” edhe stazhin e partisë të Kadaresë në vitin 1970, që e bënte çdo njeri që bënte lutje për t’u anëtarësuar, e bën qesharake këtë histori. Problemi këtu nuk është e vërteta, por se si mund të ngrihet një mekanizëm i tillë manipulimi e mashtrimi dhe pakkush guxon ta denoncojë atë. Çfarë po ndodh në këtë vendin tonë? Apo, më saktë, çfarë ka ndodhur në ato vite që s’po del e keqja?

Kur vdiq Enver Hoxha në vitin 1985, Kadareja i dërgoi gazetës franceze Le Monde një letër proteste për çfarë kishte botuar ajo me rastin e vdekjes së diktatorit ku, mes të tjerash, i shkruante: “Emri i Enver Hoxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet, me historinë dhe me ndërtimin e Shqipërisë së re. Ja çfarë e përcakton madhështinë e figurës së tij, dhe, për pasojë, se sa i madh është hidhërimi.”

Sigurisht, këto fjalë nuk ia ka nxjerrë Sigurimi pas torturash në ndonjë qeli. E pra, mjafton të lexosh këtë letër për të përgënjeshtruar atë që shkruan botuesi Çili në parathënien e këtij libri se “Ismail Kadare ka një meritë, sepse ka shkruar, ka folur dhe ka vepruar sikur të jetonte në tejkohë, sikur ta dinte që të nesërmen do të jepte llogari për aktet e tij”. Kjo letër Le Monde-it, ashtu si dhe vepra e tij, është shkruar në “kohë” jo në “tejkohë”. Në fakt, vulën e kohës në veprën e tij e ka pranuar edhe Kadareja vetë në shkrimet e tij të viteve ’90. Nuk ka njerëz që jetojnë jashtë kohës në të cilën kanë lindur dhe vdekur. Ka nga ata që bëjnë zgjedhje për ta refuzuar frymën dominuese të asaj kohe dhe nga ata që zgjedhin t’i përshtaten.

Kur vjen puna për zgjedhjet e njerëzve në atë kohë dhe kërkimit të llogarisë, fakti është se shoqëria jonë ka qenë në përgjithësi shumë mirëkuptuese. “Ashtu ishte koha” – është shprehja që përdoret për t’u rënë shkurt përgjegjësive që kemi të gjithë. Kjo, sepse aktet e asaj kohe janë kryer në mungesë të madhe lirie. Mungesë lirie për shkak të terrorit mbi ata që kishin mend dhe për shkak të padijes tek ata që s’kishin mend. Dhe sa më e madhe mungesa e lirisë, aq më e pakët përgjegjësia. Kjo e bën të vështirë të heqësh një kufi ndarës të prerë se ku fillon përgjegjësia për bashkëpunimin me të keqen. Sidoqoftë ka dy kritere që, sadokudo, i japin një përgjigje kësaj pyetjeje.

Së pari, ai se kush përfitoi privilegje në atë kohë dhe kush pësoi vuajtje; se cilin e promovoi pushteti lart e më lart dhe cilin e varrosi poshtë e më poshtë. Kadareja, qartazi, ka zgjedhur t’i përshtatet, t’i shërbejë me talentin e tij ideologjisë dhe propagandës së pushtetit dhe jo t’u kundërvihet atyre, duke marrë maksimumin e përfitimeve.

Së dyti, kriteri i së tashmes. Kush ka punuar për të krijuar kushtet që njerëzit të mos jenë më të detyruar të bëjnë zgjedhje që shkojnë kundër bindjeve e mendimeve të tyre (për shkak të shtrëngimeve që në kohën tonë janë më së shumti ekonomike); dhe kush vazhdoi të bashkëpunojë me regjimin e ri autoritar, mafioz e të korruptuar që u instalua pas viteve ’90, për të pasur përfitime dhe privilegje. Fakti që Kadareja nuk e ka ngritur një herë të vetme zërin kundër liderëve autoritarë, mafiozë e të korruptuar që kemi pasur dhe kemi në krye, por i ka shfrytëzuar ata për të marrë përfitime gjithfarëlloj, siç merrte dikur çmimet, rrogat e shkrimtarit profesionist, botimet jashtë shtetit e apartamentin me gjashtë dhoma, është kriteri më i mirë për të përcaktuar edhe raportin që ka pasur ai me regjimin e kaluar.

Fshehja në vend se denoncimi i kësaj të vërtete, me libra të kulturës së manipulimit dhe simulimit si ky, të sponsorizuar dhe trumbetuar nga njerëzit e kastës, që vazhdojnë të mashtrojnë e grabisin shqiptarët, është shenjë flagrante e vazhdimësisë së dominimit të kësaj kulture. Është, po ashtu, shenjë e vazhdimësisë së dominimit të modelit të intelektualit, që, për të arritur suksesin, zgjedh rrugën e bashkëpunimit apo vënies në shërbim të pushtetit duke përdorur këtë kulturë pushteti. Është virusi i kësaj kulture, që i kthen njerëzit në skllevër dhe intelektualët në oborrtarë, i futur në kohën e komunizmit, që po vazhdon të punojë me kaq virulencë, duke i dhënë Kadaresë, që është autori i vërtetë i këtij libri, titullin e oborrtarit të zgjedhur të të dy regjimeve. Vetëm kur të çlirohet nga dominimi i virusit të kësaj kulture dhe i sojit të intelektualëve që e përdorin atë, Shqipëria do të fillojë të shohë dritën e lirisë dhe të së vërtetës, që një ditë shpresojmë se do të duket në horizont.

PANORAMA