“Luftë civile” në diplomacinë shqiptare këtej dhe andej kufirit

enverhoxhaj

Fatos Tarifa*

 

Kanë bërë mjaft përshtypje këto ditë deklaratat e ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj, mbi vendin dhe rolin e Shqipërisë në Ballkan, posaçërisht në lidhje me qendrimin e Tiranës në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë. Deklaratat e tij lënë të nënkuptohet, madje qartë, se Prishtina nuk e dëshiron përkrahjen që qeveria shqiptare mendon se duhet t’i japë—dhe përpiqet t’i japë—çështjes së njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës nga ato qeveri, që deri më sot nuk e kanë njohur, përfshirë edhe qeverinë sërbe, si dhe normalizimit të marrëdhënieve të saj me Republikën e Serbisë.

Deklaratat e z. Hoxhaj tingëllojnë tërësisht jodiplomatike dhe nihiliste, për të mos thënë edhe megalomaniake. Ajo çfarë deklaron kryediplomati i Prishtinës është se, Kosovës, shtetit Tjetër shqiptar në Ballkan, nuk i nevojitet mbështetja e Tiranës në dialogun që ajo zhvillon me Serbinë, pasi për këtë, Prishtina gëzon mbështetjen amerikane dhe europiane. Sipas tij, Shqipëria nuk është një aktor global, ndaj edhe nuk mund të luajë ndonjë rol për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Kosova”, deklaron ai, “është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, si SHBA dhe BE. Prandaj, në raportet mes Kosovës dhe Serbisë ne natyrisht kërkojmë mbështetjen amerikane dhe atë europiane, meqë këta kanë edhe instrumentet që të ushtrojnë ndikim”.

Nëse deklarata të tilla do të ishin bërë nga individë të veçantë, qoftë edhe përfaqësues të partive politike kosovare, ato nuk do të meritonin shumë vemendje dhe as do të duhej të merreshin seriozisht. Kushdo ka lirinë të mendojë e të shprehet siç dëshiron. Por jo një ministër i jashtëm. Të thëna nga ministri i Jashtëm i Kosovës, këto deklarata tingëllojnë diplomatikisht amatoreske dhe absurde.

Duke deklaruar publikisht se Shqipëria nuk është një fuqi globale, z. Enver Hoxhaj nuk thotë ndonjë gjë të re, madje as ndonjë gjë të zgjuar. Ai thotë një gjë që e dimë të gjithë. Por, z. Hoxhaj nuk thotë, ose nuk do që të pranojë se Shqipëria ka luajtur deri më sot një rol shumë të rëndësishëm në të mirë të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj. Diplomacia shqiptare ndikoi mjaft në kancelaritë europiane dhe në Uashington për t’i dhënë fund genocidit serb në Kosovë në vitin 1999. Shqipëria priti qindramijëra motra e vëllezër shqiptarë nga Kosova, që ushtria dhe milicia kriminale serbe i përzuri me dhunë e barbarisht nga shtëpitë dhe trojet e veta. Kjo sjellje kolektive humanitare e pashoqe bëri shumë përshtypje në Bruksel e në Uashington. Misionet diplomatike të Shqipërisë, kur Kosova nuk kishte ende shtetin dhe ambasadat e saj, kanë qenë vazhdimisht të angazhuara për t’u bërë të njohura Fuqive të Mëdha dhe vendeve të tjera kudo në botë çështjen e Kosovës, duke thënë të vërtetën për të, ashtu siç Pashko Vasa, 137 vite më parë, u thoshte kancelarive të Europës të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përvoja ime në shërbimin diplomatik të Shqipërisë në vitet 1998-2005, si dhe përvoja e shumë diplomatëve të tjerë shqiptarë në atë kohë dhe sot, dëshmojnë përgjegjësinë dhe interesimin e veçantë të qeverisë shqiptare për ta ndihmuar në arenën ndërkombëtare çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe të njohjes e përfshirjes së saj në bashkësinë e vendeve sovrane të globit. Natyrisht, Shqipëria nuk e ka bërë—dhe kurrësesi nuk mund ta bënte—këtë e vetme. Pa mbështetjen dhe pjesëmarrjen energjike të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive kryesore europiane, veçanërisht të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë e të Francës, Kosova nuk do të ishte sot kjo që është. Në përpjekjen e madhe ndërkombëtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës roli dhe kontributi i Shqipërisë mund të duken modestë, por kanë qenë shumë të rëndësishëm. Nëse ministri i Jashtëm i sotëm i Kosovës e mohon këto, ky do të ishte një akt i turpshëm dhe skandaloz. Por unë nuk besoj se nihilzmi dhe solipsizmi i tij arrijnë deri këtu.

Sidoqoftë, përmbajtja e deklaratave të z. Enver Hoxhaj mua personalisht më lënë të kuptoj se ky diplomat nuk e konsideron Shqipërinë një partner strategjik të Kosovës. Unë nuk besoj që ai të mos e dijë se ç’do të thotë partneritet strategjik mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm i çdo vendi, pra edhe i Kosovës, me siguri e di se partneritetet strategjike krijohen mbi bazën e faktorëve të tillë, siç janë: natyra politike e shtetit, qëllimet strategjike dhe prioritetet e politikës së jashtme të tij, pozita gjeopolitike e tij në rajon e më gjerë, si dhe konjukturat gjeopolitike ndërkombëtare.

Në përputhje me këta faktorë, Shqipëria, ashtu si Kosova, binjaku demografik i saj, kanë qëllimet e tyre strategjike afatmesme dhe afatgjata, si shtete dhe si shoqëri. Qëllimet strategjike, që të realizohen, kërkojnë përcaktimin e objektivave strategjike të veçanta, që përfaqësojnë përparime graduale në realizimin e planit të përgjithshëm strategjik për secilin vend. Për Bashkimin Europian, në të cilin Shqipëria dhe Kosova dëshirojnë të anëtarësohen, partneritetet strategjike synojnë që, përmes përpjekjesh të përbashkëta, të promovojnë multilateralizmin efektiv dhe t’u japin përgjigje sfidave të përbashkëta. Më konktretisht, BE-ja synon që, përmes partnerëve strategjikë të saj, “të gjejë terren të përbashkët lidhur me çështje të një intreresi të përbashkët, mbështetjen e axhendave politike të njëri-tjetrit dhe veprimet e përbashkëta politike në nivel rajonal ose global”.

Koncepti “partneritet strategjik” përbëhet nga dy terma: “partneritet” dhe “strategji”. Termi i parë (Partneritet), nënkupton një ideal kulturor për formën e përbashkët të një marrëdhënie (të drejta dhe detyrime të barabarta e reciproke, diskutim konstruktiv për zhvillimin bashkërisht të marrëdhënies, si dhe pritshmërinë e ekskluzivitetit). Termi i dytë (Strategji), i përdorur në marrëdhëniet mes shteteve, mund të krahasohet me konceptin ekonomik të “aleancave strategjike”, i cili mbështetet në bashkëpunimin mes aktorëve (ekonomikë) që bien dakord të prodhojnë diçka së bashku, për të realizuar qëllime të përbashkëta. Bashkëpunimi, në këtë rast, nënkupton avantazh të përbashkët dhe sukses. Nga kjo perspektivë, strategjia mund të shihet si një synim i mirëplanifikuar për arritjen e një qëllimi afatgjatë, që ka objektiva të përcaktuara saktë, afate kohore dhe plane veprimi.

Unë besoj se z. Hoxhaj e di se konceptet mbi strategjinë e zhvillimit ekonomik e social të një vendi, mbi strategjinë e politikës së jashtme, si dhe mbi partneritetet strategjike nuk mund të jenë të ngurta e të pandryshueshme. Ato pasqyrojnë dhe u përshtaten realiteteve dinamike të zhvillimeve rajonale e globale dhe nevojave që krijohen për të akomoduar interesat kombëtare të vendit në këto realitete të reja, si dhe për të konkurruar me aktorë të tjerë në mjedisin rajonal dhe në skenën globale.

Po kështu, unë besoj se z. Hoxhaj e di se mundësitë për t’iu përshtatur realiteteve te reja dinamike, rajonale e globale, përcaktohen nga aftësitë kompetitive të çdo vendi për të konkurruar me aktorë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar. Ky parim është i vlefshëm jo vetëm për suksesin ekonomik të një vendi, por edhe për suksesin politik të tij në radhët e komunitetit ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, ashtu sikurse suksesi i një vendi në industri dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë kushtëzohet nga kapacitetet e tij për inovacion dhe përmirësim të vazhdueshëm dhe, ipso facto, nga aftësitë konkurruese të tij në tregjet globale, po kështu, edhe suksesi politik i një vendi kushtëzohet e përcaktohet nga aftësitë e tij për të konkurruar ekonomikisht e politikisht me vendet e tjera të rajonit ku bën pjesë dhe më gjerë. Çdo vend krijon strategjinë e tij të rritjes, mbështetur në procese që marrin shtysë së brendshmi, në përgjigje të kapaciteteve institucionale dhe të kushteve ekonomike të tij. Pa një strategji të tillë nuk mund të jesh kompetitiv dhe, në një botë si kjo e sotmja, shkruan Michael Porter, “nëse nuk je kompetitiv, je i humbur”.

Vështruar nga ky prizëm, politika e jashtme e Shqipërisë është dhe duhet të mbetet një politikë parimore, pra një politikë që udhëhiqet gjithnjë nga po ato vlera, parime dhe norma që karakterizojnë politikën e jashtme të një vendi demokratik. Por, politika e jashtme e Shqipërisë, ashtu si dhe politika e jashtme Kosovës dhe e çdo vendi tjetër demokratik, duhet të jetë, gjithashtu, realiste, fleksibile, pragmatiste dhe largpamëse, për të konkurruar për një pozitë sa më dinjitoze në rajon dhe në sistemin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Qasja double-track (në dy drejtime), si një qasjeje transparente, sa normative, aq dhe e mbështetur në interesat kombëtare, është një qasje e arsyeshme dhe e dobishme në zgjedhjen e partnerëve strategjikë. Për këtë arsye, Shqipëria e konsideron Kosovën partnerin e saj kryesor në Ballkan dhe, po për të njëjtën arsye, Shqipëria ka qenë, është e do të mbetet përherë partneri strategjik kryesor i Kosovës në këtë rajon, edhe nëse z. Hoxhaj nuk e kupton, për të mos thënë nuk e dëshiron këtë. Dhe ja përse.

Ndër të gjithë fqinjët tanë, Kosova është dhe vlerësohet nga qeveria shqiptare si partneri ynë strategjik i natyrshëm. Siç thashë më sipër, Kosova është binjaku demografik i Shqipërisë. Kosova është vërtet një shtet i ri dhe me një peshë të vogël në rajon, madje i panjohur ende zyrtarisht nga dy prej Fuqive të Mëdha, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Kina dhe Rusia), nga pesë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian (Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania—dy të fundit vende të rajonit tonë), si dhe nga vetë Serbia, por asnjë vend tjetër i rajonit nuk ka për Shqipërinë atë rëndësi strategjike dhe nuk përbën për interesat tona kombëtare atë faktor mbështetës që ofron Kosova.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për rëndësinë strategjike të dorës së parë që ka Shqipëria për Kosovën. Nëse z. Hoxhaj, si individ, mendon ndryshe, këtë edhe mund ta kuptoj. Por, nëse ai, si minister i Jashtëm i Kosovës, mendon se Shqipëria, duke mos qenë një aktor global, duhet të “mbajë vendin e saj”, sepse nuk është një partnere strategjikisht e rëndësishme për Kosovën, më duhet t’i them atij se gabon rëndë, teorikisht dhe praktikisht, diplomatikisht dhe politikisht.

Historia, gjeografia, kultura, gjuha dhe shumë tradita të përbashkëta kushtëzojnë një marrëdhënie të një lloji të veçantë mes Shqipërisë dhe Kosovës, të ngjashme (edhe pse për arsye krejt të ndryshme) me marrëdhënien e veçantë që ekziston prej mëse një shekulli mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Ajo që pritet dhe duhet të ndodh mes dy vendeve tona është jo izolimi politik, i motivuar nga interesat partikulariste—reale ose të perceptuara—të klasës politike këtej dhe andej kufirit, por hapja e mëtejshme në të gjitha drejtimet, për të shkuar eventualisht drejt heqjes së të gjitha barrierave që pengojnë shkëmbimet dhe integrimin ekonomik, arsimor e kulturor mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.

Që partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës të forcohet edhe më shumë e të bëhet efektivisht më i rëndësishëm për të dyja palët, janë të domosdoshme njohja e mëtejshme ndërkombëtare e sovranitetit të Kosovës dhe anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Beteja politike e diplomatike për të fituar kauzën e njohjes së Republikës së Kosovës si një vend anëtar me të drejta të plota në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara ende nuk është fituar. Edhe pse ky mision nuk është përfunduar, ai nuk është i pamundur.

Fatos Tarifa

Fatos Tarifa

Analogjitë historike jo gjithmonë qendrojnë. Por, shpeshherë, ato janë domethënëse. Shqipëria nuk ishte një vend më i madh, më i zhvilluar ose më i rëndësishëm në fillimin e viteve 1970 nga ç’është sot. Por, z. Hoxhaj duhet ta dijë se ishte pikërisht një mocion i Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në tetor të vitit 1971, për ta njohur Republikën Popullore të Kinës si të vetmen përfaqësuese të ligjshme të popullit kinez, ai që çoi në miratimin e Rezolutës 2758 të Asamblesë së Përgjithshme. Ajo rezolutë u mbështet jo vetëm nga shumica e vendeve komuniste (përfshirë dhe Bashkimin Sovjetik) dhe e vendeve të paangazhuara (përfshirë dhe Indinë), por edhe nga disa prej vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara, si Britania e Madhe dhe Franca. Ishte pas kësaj, një vit më vonë, që presidenti Nikson vizitoi Kinën, duke çelur periudhën e normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy fuqive të mëdha.

Unë mendoj se qeveria e Shqipërisë mund t’u vijë në ndihmë më shumë se deri më sot përpjekjeve të lavdërueshme të qeverisë së Kosovës, përmes një diplomacie dypalëshe më të përqendruar e më aktive, veçanërisht me ato vende të Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe Rusinë dhe Kinën. Edhe pse kjo detyrë duket shumë e vështirë, ajo mund të mos jetë krejt e pamundur. Për njohjen e Republikës së Kosovës nga Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro mund të shfrytëzohen më shumë e më mirë marrëdhëniet dypalëshe të Shqipërisë me këto vende, si dhe ndërmjetësimi i qeverive të vendeve kryesore të BE-së, sidomos i Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. Kjo, natyrisht, kërkon intensifikimin, zgjerimin dhe zhvillimin në një shkallë më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë me këto vende, përmes një angazhimi më të madh të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe, veçanërisht, të ambasadave tona në kryeqytetet e tyre.

Unë besoj, gjithashtu, se nuk është krejt e pamundur që pavarësinë e Kosovës ta njohin edhe Rusia dhe Kina. Kundërshtimi i Moskës në këtë drejtim shpreh më shumë luajalitetin e saj tradicional ndaj Beogradit sesa është një politikë pragmatiste. Veçanërisht pas aneksimit prej saj të Krimesë, në marsin e vitit 2014, nuk ka arsye të mjaftueshme që të besojmë se Moska i trembet realisht precedentit që mund të krijojë pavarësia e Kosovës për shkëputjen nga harta e sotme e Rusisë e Çeçenisë dhe e republikave të tjera myslimane të Kaukazit Verior. Fati i këtyre territoreve objektivisht nuk ka të bëjë aspak me fatin e Kosovës dhe rusët e dinë fare mirë këtë. Nuk është e pamundur që, në një të ardhme të afërt, Moska të adoptojë një qëndrim realist bismarkian për të mos hyrë më tej në konflikt me Fuqitë e tjera të Mëdha thjesht për shkak të Kosovës.

Nga ana tjetër, është gjithashtu e mundur që Moska ta konsiderojë pavarësinë e Kosovës si një precedent për të justifikuar edhe më tej shkëputjen e Abkazisë dhe të Osetisë Jugore nga Gjeorgjia, në gushtin e vitit 2008, shkëputjen e Krimesë nga Ukraina dhe aneksimin e saj, si edhe, eventualisht, shkëputjen e Transnistrias nga Moldavia (dhe ndoshta edhe aneksimin) e kësaj republike nga Rusia, për të krijuar një tjetër eksklavë ruse, me gjysmë milion banorë, si Kaliningradi, midis territoreve të Moldavisë e të Ukrainës. Nuk do të duhej të ziheshim në befasi nëse kjo do të ndodhte një ditë. Edhe pse Rusisë nuk i nevojitet “precedenti” i Kosovës, për të justifikuar dhe legjitimuar politikën e saj ndaj vendeve të të ashtuquajturit Komunitet për Demokraci dhe për të Drejtat e Kombeve, ku përfshihen Transnistria, Nagorno-Karabaku, Abkazia dhe Osetia Jugore, përpjekjet e diplomacisë shqiptare dhe të partnerëve kryesorë të vendit tonë për njohjen prej saj të Kosovës duhen intensifikuar e sofistikuar më tej.

Për sa i përket Pekinit, ne nuk dimë se sa e shqetëson realisht udhëheqjen e sotme kineze eventualiteti i njohjes prej saj të pavarësisë së Kosovës, për shkak të precedentit që mund të ketë ky veprim lidhur me të ardhmen e Tibetit, të Xinjangut, të rajoneve të largëta veriperëndimore të saj të banuara nga ujgurët turkë, ose të provincave të tjera me tendenca separatiste. Sidoqoftë, për shkak se Kina nuk ka interesa të veçanta në Kosovë, Pekini, i cili vazhdon t’i përmbahet politikës së “buzëqeshjeve në shumë drejtime”, mund të tregohej fleksibël dhe të pranonte çfarëdolloj zgjidhjeje që do të mund të arrihej nga anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Në fund të fundit, Kosova nuk përbën një shqetësim global, i cili të meritonte vëmendjen serioze të Kinës si një fuqi globale. Kina, nëse perifrazojmë një shprehje të ish-kryeministrit britanik, Neville Chamberlain, nuk do të rrezikonte një përplasje me Perëndimin “për popullin e një vendi të largët, për të cilin di fare pak”. Si edhe në raste të tjera, Pekini mund të mos angazhohet në një rol aktiv për të kundërshtuar edhe më tej pranimin e Kosovës në OKB, pasi ai nuk dëshiron të dëmtojë sadopak marrëdhëniet shumë më të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara për një çështje që nuk është esencialisht dhe drejtpërsëdrejti e lidhur me axhendën e tij aziatike.

Nga sa u tha më sipër, diplomacia shqiptare lipset të argumentojë më mirë se shqetësimi që gjoja njohja më e gjerë e pavarësisë së Kosovës do t’i destabilizonte Ballkanin ose territore të tjera në skaje të ndryshme të globit, është krejt i ekzagjeruar dhe se përvoja e viteve të fundit në Ballkan tregon se, përkundrazi, krijimi dhe njohja e Republikës së Kosovës e ka stabilizuar më tej këtë rajon. Diplomatët shqiptarë mund dhe duhet të argumentojnë më mirë se Kosova është një rast unik; ai dallon shumë nga rasti i baskëve dhe i katalanëve në Spanjë, nga Qiproja turke, nga Çeçenia, Nagorno-Karabaku, Tibeti, Xinjangu apo Mongolia e brendshme. Sepse, ashtu siç është jo realiste—dhe e gabuar—të aplikojmë koncepte ngushtësisht sempliste në kontekste të ndryshme kombëtare e rajonale, po ashtu është jorealiste dhe e gabuar të përgjithësojmë mbi situata të ndryshme që ekzistojnë në kontekste gjeopolitike krejt të ndryshme.

Ministri i Jashtëm i Kosovës është shprehur jo si një diplomat, dhe aq më pak si një ministër i jashtëm. Ai ka bërë një deklaratë që është tejet e gabuar, që nuk u shërben as interesave të Kosovës, as interesave kombëtare të shqiptarëve. Ajo deklaratë u shërben më shumë serbëve dhe qeverisë së tyre. Sepse deklarata e z. Hoxhaj denigron dhe nuk vlerëson; ajo përçan dhe nuk bashkon. Një deklaratë të tillë unë mund ta prisja nga ministri i Jashtëm i Serbisë, por në asnjë mënyrë jo nga ministri i jashtëm i Kosovës, i vendit ku jeton një pjesë e madhe e kombit shqiptar.

Zotit Hoxhaj mund të mos i pëlqejnë shumë gjera në Shqipëri, në politikën e qeverisë shqiptare, ose në jetën e përditshme të njerëzve të këtij vendi. Kjo është veçse e natyrshme. Mua, gjithashtu, si shumë të tjerëve, nuk na pëlqejnë shumë gjera që ndodhin në vendin tonë, sikurse nuk na pëlqejnë mjaft gjera që shohim e dëgjojmë se ndodhin në Kosovë. Por, kjo nuk i bën shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës të huaj për njëri-tjetrin, as qeveritë e dy vendeve tona. Bashkëpunimi mes tyre është sot më i domosdoshëm se kurrë. Për mua, përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe angazhimi personal i kryeministrit të Shqipërisë për të krijuar një atmosferë miqësore e bashkëpunimi mes Tiranës dhe Beogradit, që do të ndikonte pozitivisht edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për zgjidhjen gradualisht të divergjencave mes tyre, janë politika dhe diplomacia e duhur. Koha dhe interesat kombëtare kërkojnë pikërisht këtë, jo xhelozitë krahinore-folklorike të llojit që sugjerojnë deklaratat e ministrit të Jashtëm kosovar, të cilat u shëmbëllejnë përpjekjeve për të provokuar një “luftë civile” në diplomacinë shqiptare këtej dhe andej kufirit.

Disa kohë më parë, në Prishtinë, m’u desh të darkoja në një restorant, në qendër të atij qyteti, ku preferova të zgjedh salmon. Pyetjes sime se nga e merrnin salmonin në atë restorant i dhanë këtë përgjigje: “Nga Tirana”! Të nesërmen, në qendrën Boro-Ramiz, në Prishtinë, bleva një palë këpucë për tim atë. E pyeta shitësen se nga i merrnin këpucët në atë dyqan, dhe ajo m’u përgjigj: “Në Tiranë”.

Tirana nuk është e rëndësishme për Prishtinën për këpucët e saj dhe aq më pak për salmonin, që edhe këtu vjen nga diku tjetër. Tirana është e rëndësishme për Prishtinën—dhe kjo e fundit njëlloj e rëndësishme për Tiranën—sepse në dejet e organizmit tonë biologjik, si shqiptarë, dhe në dejet e politikës sonë bashkëkohore, që pasqyron dhe mbron interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që janë, rrjedh i njëjti gjak. Edhe nëse “gjaku i përbashkët” përdoret, në këtë kontekst, si metaforë, besoj se z. Hoxhaj e di se “all politics are linguistics” dhe se “all linguistic forms are political”. Mesazhit tim për të unë i vura këtë kornizë metaforike pasi, siç thoshte George Orwell, metafora e bën mesazhin më të qartë, më të kuptueshëm dhe, here-herë, më të pranueshëm për masat e qytetarëve.

Jam kurioz të di se si do t’ua shpjegonte z. Enver Hoxhaj deklaratet e tij të fundit kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në takimin e radhës me ta, në Tiranë ose në Prishtinë, dhe, po kështu, shqiptarëve, në këtë dhe atë anë të kufirit që ende na ndan.

 

*****

Autori ka qenë ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Aktualisht ai është profesor i sociologjisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në University of New York Tirana dhe Rektor i këtij universiteti, si dhe President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.