Mafia Shqiptare = Korrupsion + Krim + Kanabis

droga-itali3

islami-150x150

KASTRIOT ISLAMI

Shqipëria, nga vendi më i izoluar e më i varfër i Europës për 50 vjet, pas 25 vjetësh “demokraci”, pa mohuar progresin e konsiderueshëm, cilësohet si një nga vendet më të korruptuara e të inkriminuara, duke mbetur gjithnjë vendi më i varfër në Europë. Në këto 25 vjet, veçanërisht në vitet ’91 e ’97, por edhe pas vitit 2013, për shkak të varfërisë së trashëguar, por edhe të pasigurisë e mungesës së shpresës, shqiptarët janë ndoshta të parët në Europë, që kanë lënë vendin e tyre.

Gati 30-40 për qind e tyre janë larguar me idenë se “ky vend nuk bëhet” dhe “s’ka përse u prishim të ardhmen fëmijëve të tyre”. Arsyeja, pas 2013-s, lidhet me vendosjen e një regjimi të një pakice të korruptuar e kriminale, të quajtur Rilindje. Gjithkush, që është jashtë Rilindjes, është i diskriminuar, i përjashtuar, i dënuar të nënshtrohet ose të largohet nga vendi, përndryshe anatemohet “armik”, dhe për rrjedhojë sulmohet, poshtërohet, ofendohet, hiqet nga puna, i mbyllet biznesi, i ngushtohen të gjitha hapë- sirat për të jetuar, punuar, mësuar…

Ky regjim ka vrarë shpresën duke asgjësuar çdo alternativë. Ka vrarë të ardhmen, duke asgjësuar të tashmen. Ka vrarë ndjenjën e reagimit, duke ngjallur frikën. Ka vrarë të mirën duke promovuar vetëm të keqen, madje duke e konsideruar të keqen model suksesi. Ka shkatërruar sistemin e meritës duke promovuar mediokritetin, klientelizmin, paaftësinë, krimin, banditizmin, mashtrimin, demagogjinë, arrogancën… Dhe së fundmi, Rilindja, me ose pa ndërgjegje, me ose pa dashje, thjesht për të ruajtur pushtetin e saj, po i hap rrugën krijimit të mafies së organizuar që shumë shpejt do të futet në konflikt me shtetin për ta kontrolluar apo sfiduar atë. Kjo do të jetë një gjëmë që shqiptarët do ta vuajnë për shumë kohë e, ndoshta, pa mundur ta çrrënjosin lehtësisht. .

1. VARFËRIA PO ZGJEROHET, PASURIA E PALIGJSHME PO PËRQENDROHET NË MË PAK DUAR…

Pas 2013-s, mungesa e shpresës dhe ndjenja e emigrimit janë rritur në një shkallë të konsiderueshme. Mungesa e shpresës lidhet me një realitet që e ndjejnë pothuajse të gjithë: i) është rritur numri i të varfërve dhe varfëria e tyre është bërë edhe më e gjerë edhe më e thellë; ii) është zvogëluar ndjeshëm deri në zhdukje klasa e mesme, e cila sapo kishte filluar të formohej dhe iii) është zvogëluar numri i të pasurve, por pasuria që ata zotërojnë është bërë shumë më e madhe. Të pasurit jolegjitimë po zhvatin të gjithë pasuritë e asetet kombëtare, kurse të tjerët po mbijetojnë në varfër,i vetëm me asistencë, duke u detyruar të nënshtrohen ose të emigrojnë. Përse ndodh kështu?

2. RILINDJA, NJË QEVERISJE KLIENTELISTE, E KORRUPTUAR, KRIMINALE, KANABISTE…

Arsyeja është e thjeshtë: vendi qeveriset nga Rilindja, që është një amalgamë e i) politikanëve të korruptuar në mënyrë të paligjshme; ii) individëve me rekorde të tmerrshme kriminale, iii) biznesmenëve të lidhur me politikanët e korruptuar dhe/ ose individët e inkriminuar që kanë zhvatur asetet e fondet publike; iv) e pinjollëve të nomenklaturës së lartë ish-komuniste me një ndjenjë ekstreme revanshiste e sjellje arrogante; v) e manjatëve të medias klienteliste që pasurohen duke promovuar lidhjen politikë-biznes-media dhe sulmuar, sharë, ofenduar të gjithë kundërshtarët e regjimit dhe vi) e perversëve të të gjitha llojeve e ngjyrave që me mënyrat e sjelljet e tyre tipike, janë maska dhe kostumi i këtij regjimi.

3. RILINDJA, NJË REGJIM I CENTRALIZUAR DHE AUTORITAR OLIGARKIK…

Pas vitit 2013, kjo amalgamë ka ardhur në pushtet dhe ka ngritur një regjim qeverisjeje të një pakice oligarkike, që gjatë tre vjetëve ka vendosur nën kontroll pjesën më të madhe të bizneseve të mëdha duke falimentuar të tjerët. Ka vendosur nën kontroll shoqërinë civile, duke e asgjësuar një pjesë të konsiderueshme të saj. Ka vënë nën kontroll pothuajse të gjithë median, duke e çuar pjesën tjetër në kufijtë e mbijetesës, duke mbyllur shumë programe investigative apo kritike të qeverisë apo duke tentuar të asgjësojë deri edhe portalet e rrjetet sociale. Ka lidhur politikën me krimin duke e futur atë në politikë. Ka blerë votat dhe kërcënuar votuesit. Së fundmi, Rilindja po përpiqet me një agresivitet ekstrem të vendosë nën kontroll të plotë sistemin e drejtësisë.

4. RILINDJA, NJË REGJIM NË SHKËRMOQJE QË KËRKON ZGJIDHJEN TE KANABISI…

Pavarësisht të gjitha këtyre veprimeve, mbështetja popullore për Rilindjen ka rënë ndjeshëm dhe gjasat janë që mbështetja ndaj saj të vazhdojë të bjerë në mënyrë eksponenciale, pra ajo po vithiset, shkërmoqet. Arsyet janë i) mosmbajtja e premtimeve; ii) represioni policor mbi qytetarët e bizneset; iii) demagogjia, mashtrimi e arroganca në komunikimin me të gjithë; iv) goditja apo deri eliminimi i çdo opozitari a kundërshtari të regjimit.

Shumica e shqiptarëve, të majtë e të djathtë, e urrejnë në ekstrem Rilindjen dhe e konsiderojnë një të keqe kombëtare, një fatkeqë- si, një rrezik për të ardhmen. Por, megjithatë, Rilindja po tenton të organizohet për të fituar zgjedhjet e ardhshme duke blerë votat përmes i) përdorimit të parave të korrupsionit, ii) premtimeve mashtruese për vende të përkohshme pune për socialistët e abandonuar; iii) premtimeve për rritje të pensioneve dhe krijimin e listave selektive për asistencë sociale; iv) kërcënimeve të bizneseve nga administrata fiskale dhe rrjeti policor e të qytetarëve nga individët me rekorde kriminale; v) dhe së fundmi, përmes organizimit të kultivimit masiv e kapilar të kanabisit me mbështetjen e rrjetit të policisë. I gjithë ky organizim ka krijuar të gjitha kushtet që Kuvendi, Qeveria dhe administrata e ardhshme të kontrollohen nga një amalgamë individësh që zotërojnë juridiksionin lëndorterritorial, tipike për një mafie të organizuar.

5. MAFIA QË PO LIND DO TA LUFTOJË PËR JETË A VDEKJE SHTETIN…

Asnjëherë deri më sot, përveçse në formën e retorikës politike, s’do të mund të flitej për ekzistencë të mafies së organizuar në Shqipëri, të mafies në kuptimin e vërtetë. Ndryshe nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiqet që kanë qenë prezente, dhe pak apo shumë të lidhura apo në bashkëpunim me politikën, herë më shumë e herë më pak, në disa raste të lidhura me politikanë të nivelit të lartë e në disa raste të tjera me zyrtarë të lartë, apo herë duke qenë të luftuara nga drejtuesit e lartë të shtetit e herë duke qenë të toleruara apo bashkëpunuese, mafia e vërtetë është gjithnjë e në çdo rast në luftë me politikën, sepse mafia ka pushtetin e saj, organizimin e saj, rregullat e saj, dhe juridiksionin e saj lëndor-territorial, duke kërkuar gjatë gjithë kohës të rrisë pushtetin e saj përballë shtetit.

Prandaj, sa herë shteti tenton të rrezikojë pushtetin, organizimin apo juridiksionin e saj, ajo hidhet në veprim, e sulmon shtetin, duke kërkuar ta vendosë nën kontroll. 6. Mafia do të vrasë biznesmenë, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë, politikanë… Veprimet e dukshme të mafies janë gjithnjë rezultat i vendimeve të kupolës së saj, kundër shtetit, më konkretisht kundër policëve, kundër prokurorëve, kundër gjykatësve deri edhe kundër politikanëve, biznesmenëve apo gazetarëve që cenojnë veprimtarinë e tyre, ekzistencën e tyre. Prandaj në vendet ku mafia e organizuar ekziston, ka vrasje të organizuara të politikanëve, policëve, prokurorëve, gjyqtarëve.

Sulme ndaj policëve, prokurorëve, gjykatësve apo politikanëve mund të ndodhin edhe nga bartësit e korrupsionit, krimit të organizuar apo trafiqeve, por ato nuk janë rezultat i vendimeve për shkak të prekjes së juridiksionit, por janë më shumë rezultat i përplasjeve të rastësishme, janë spontane e në ndonjë rast janë si rezultat i reagimet të tyre spontan mbrojtës ndaj veprimit të shtetit.

7. MAFIA S’MUNDI TË ORGANIZOHEJ NË PERIUDHËN 2013-2017…

Në Shqipëri, me ardhjen në pushtet të Rilindjes, kur individët me rekorde kriminale e trafikantët veshën kostum politik dhe qeverisja rezervoi poste lukrative për përfaqësuesit e tyre në qeverisjen e vendit apo administratën publike, u krijuan në këtë mënyrë kushtet për organizimin e tyre në formën e mafies së organizuar. Po ata s’arritën të organizohen në formën e një mafieje të vërtetë.

Ata krijuan një lidhje pengmarrjeje reciproke me Ramën, pa pasur mundësi të kenë organizimin e tyre dhe juridiksionin lëndor-territorial. Gjatë kësaj kohe, herë ata kishin nevojë për Ramën e herë Rama kishte nevojë për ta. Disa prej tyre, Rama i mbajti më afër e disa të tjerë i margjinalizoi, por asnjëherë s’i largoi. Ata prej kohësh po mendojnë se në çfarë mënyre të organizojnë “pushtetin e tyre” të ardhshëm, pra po presin momentin e përshtatshëm, që për shkak të nevojës që Rama ka për ta, për të fituar zgjedhjet e 2017-s, ata të ndërtojnë sistemin e tyre të mafies së organizuar. Pra, të mos bëjnë të njëjtin gabim që bënë gjatë 2013-2017, duke mbetur peng të Ramës.

8. KULTIVIMI I KANABISIT PO FAVORIZON KRIJIMIN E MAFIES…

Kultivimi i kanabisit i ka dhënë të gjithë këtij kontingjenti mundësinë e kapjes së “juridiksionit territorial”. përveç “juridiksionit lëndor”. të cilin e zotërojnë prej kohësh. E thënë më thjesht, me zotërimin e “juridiksionit territorial”. Rama po u krijon të gjitha kushtet që në Shqipëri ata të organizohen si mafie e vërtetë. Ata po presin zgjedhjet e ardhshme që ky projekt i tyre të marrë jetë. Dhe nëse s’do të ketë kundërveprim qytetar a veprim ndërkombëtar, kjo është një ngjarje e sigurt.

Rama po ju jep mundësi të plotësojnë “ekuacionin”: Mafia=Korrupsion+Krim+Kanabis. 9. Nëse Rama manipulon zgjedhjet, vendin do ta drejtojë mafia… Nëse kjo amalgamë do të “përdoret” nga Rama në zgjedhjet e ardhshme për të realizuar synimin e tij personal të ruajtjes me çdo kusht e çmim të kolltukut të Kryeministrit, siç duken gjasat, atëherë pas zgjedhjeve të ardhshme, ata do të zotërojnë edhe pushtetin politik (sigurisht në një proporcion më të lartë se aktualisht), edhe juridiksionin lëndor-territorial, që nis me territorin e kultivimit të kanabisit (ku kandidati i Ramës drejton “republikën” e vogël të kanabisit), e vijon me krimin e organizuar, trafiqet e deri korrupsionin, evazionin fiskal apo gjobëvëniet ndaj bizneseve.

Menjëherë pas zgjedhjeve, drejtuesit e këtyre “republikave” apo ndryshe embrionet e mafies së vërtetë, pasi të kenë siguruar pozicionin politik të deputetit, s’do të bëjnë gabimin e pas 2013-s që të jenë peng të Ramës, por do të bashkohen për të realizuar “masën kritike king-maker” që të kontrollojnë formimin e qeverisë, emrat e ministrave, madje shumë shpejt edhe emrin e Kryeministrit apo deri edhe sistemin gjyqësor.

10. RAMA I VERBUAR PËR PUSHTET DHE/OSE NGA FRIKA E HUMBJES SË TIJ PO MBJELL FARËN E MAFIES…

Me veprimet e tij, Rama është futur për shkak të ambicies së tij të shfrenuar, po jo vetëm, në këtë rrugë, qoftë edhe sikur ndokush të arsyetojë se kjo do të ishte kundër qëllimeve apo dëshirës së tij. Kjo dukuri është e pashmangshme, pavarë- sisht nëse Rama e ka favorizuar atë me ndërgjegje apo i verbuar nga synimi për të ruajtur me çdo kusht e çmim karrigen e Kryeministrit, gjë që duket sheshit dhe me shumë gjasa do të përforcohet edhe për shkak të frikës së largimit nga pushteti.

Nëse Rama do të përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë një numër më të madh individësh me rekorde kriminale apo përfaqësues direkt të tyre (kukullat apo maskat e tyre, testim që u bë në Dibër) dhe oligarkë që dinë vetëm të blejnë votat e manipulojnë zgjedhjet, dhe nëse atyre do t’u vërë në dispozicion mekanizmin e kultivimit të kanabisit si një mekanizëm elektoral për fitimin e zgjedhjeve, ai në këtë mënyrë veçse ka mbjellë farën e mafies së vërtetë që do të lindë menjëherë pas zgjedhjeve.

11. NË VEND TË PËRFUNDIMIT: APEL PËR SHQIPTARËT DHE PARTNERËT…

Nëse qytetarët shqiptarë s’do të reagojnë masivisht e energjitikisht dhe nëse partnerët do të heshtin e s’do të veprojnë me shpejtësi për të frenuar apo çrrënjosur këtë dukuri para zgjedhjeve të ardhshme, atëherë gjasat janë që pas zgjedhjeve të ardhshme, mafia e vërtetë të organizohet dhe shumë shpejt të fillojë të kontrollojë qeverinë e ta vendosë shtetin nën kontroll, duke i kërkuar çdo ditë e më shumë pushtet ose duke e luftuar atë me çdo mjet deri për forcimin e pozitave të saj dhe dobësimin apo eliminimin e shtetit.

Kjo do të ishte mafia e organizuar në kuptimin e vërtetë të fjalës, një pushtet kriminal, politik e financiar që do të zotëronte juridiksion lëndor-territorial, dhe për rrjedhojë do të sfidonte shtetin. Ky organizim do të ishte në konflikt të hapur me shtetin, pra cilëndo qeveri të ardhshme, nëse shteti apo qeveria do të refuzonin t’i realizonin të gjitha kërkesat, deri kontrollin e konsiderueshëm mbi shtetin.

Ky do të ishte shembulli i parë në botë i mafies së krijuar nga vetë shteti në luftën për pushtet, por që shumë shpejt do të futej në luftë me shtetin; pra kjo do të ishte një “mafie atëvrasëse” si autori i saj. Çmontimi i kësaj mafieje të organizuar në të ardhmen do të ishte një sfidë shumë e vështirë, madje, gati-gati e pamundur, sepse ajo do të krijonte të gjitha lidhjet eventuale me të gjithë faktorët e tretë që janë në një betejë globale me Perëndimin (SHBA, BE dhe NATO)…