Maqedoni: Diaspora, shpresa e madhe

protesta-9

shaqirislami

Shaqir Islami

Në kryeqytetin zviceran Bern, portali Аlbinfo.ch kishte organizuar një debat për ngjarjet aktuale në Maqedoni. Organizatori kishte ftuar politikanët Zaevin dhe Selën si përfaqësues të opozitës. Më la përshtypje prania e përbashkët e tyre në panelin e diskutimit. Një ngjarje e këtillë nuk kishte ndodhur më parë. As kisha dëgjuar as kisha parë më parë, dhe prandaj, ndjeva një mbresë pozitive. Ta them sinqerisht, pavarësisht se çka dhe si është diskutuar, më pëlqeu fryma e diskutimit të përbashkët. Nisma e komunikimit është shenjë e mirë për shërimin e shtetit dhe demokracisë në vendin tonë. Aty ku komunikohet ka shpresë për ardhmëri.

Kjo nismë flet se diaspora është mjaft e interesuar për zgjedhjet e 11 Dhjetorit. Ndonëse, shteti dhe institucionet, deri më tani nuk kanë shfaqur ndonjë interes për diasporën përveç remitancave të saj. Këtu mbarон kjo marrëdhënie perverse, midis shtetit dhe diasporës. Diaspora është injoruar dhe përbuzur nga shteti! Dhe akoma nuk sillet siç duhet me të. Maqedonia ka një diasporë të konsiderueshme anekënd botës, e cila përveç se e ndihmon vendin amë me remitancat, mund ta ndihmojë edhe në aspektet si investimet, idetë e ndryshme të sipërmarrjes, e sidomos, mund të na e sjellin frymën e bashkëjetesës si përvojë e tyre pozitive nga vendet perëndimore ku punojnë dhe jetojnë. Ta them shkurtë, diaspora është pula jonë e artë, që bën vezë të arta. Por, është tërësisht e pashfrytëzuar, jam i bindur, vetëm për shкак të politikave të gabuara.

Por, qëllimi i këtij teksti, ka një dimension tjetër, për atë se si mund të ndihmojë diaspora me kontributin e vet për të bërë ndryshime politike në vendin tonë. Po, po mendoj se opozita maqedonase dhe shqiptare duhet ta kërkojë ndihmesën e diasporës edhe për zgjedhjet e Dhjetorit. Por, kjo kërkesë apo lutje duhet bërë bashkërisht, edhe për shkak të krijimit të një fryme pozitive për ndryshimet që do të ndodhin pas largimit të zullumqarëve nga pushteti. Kërkesat e diasporës ndaj shtetit, janë krejtësisht humane dhe minimaliste. Diaspora kërkon që kurbetçinjtë të respektohen dhe të trajtohen si qenie humane nga institucionet dhe zyrtarët e saj duke nisur nga doganierët, policët, mjekët, … Pra, kërkesa e diasporës është vetëm funksionimi normal i institucioneve ashtu siç e përcakton ligji, dhe shteti ta kryej obligimin ndaj qytetarëve dhe asgjë më shumë. Deri sot, shteti dhe institucionet lëre se nuk janë sjellë mirë, përkundrazi, çdo kurbetçi ka përvojë të hidhur në marrëdhënie me të.

Historia dhe përvojat botërore flasin se diaspora e çdo populli është e lidhur shpirtërisht me vendin amë dhe shtetit i sjell bereqet në çdo aspekt. Irlandën e ndihmoi diaspora e vet në bumin e zhvillimit ekonomik në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Por, mua mu kujtua rasti politik i diasporës së Italisë, e cila e kishte shpëtuar nga fatkeqësia e komunizmit! Më 1948’ën, në zgjedhjet politike, ka pas rrezik të madh që partia komuniste ta merr pushtetin në Itali. Rrethanat kanë qenë të atilla, se populli italian ka dalë nga lufta e dytë botërore e dërmuar dhe se ideologjia komuniste ka qenë joshëse për pjesën dërmuese të qytetarëve të saj. Prandaj, simpatia e qytetarëve ndaj partisë komuniste ka lulëzuar. Italia duke u përballur me këtë rrezik, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara i janë drejtuar për ndihmë diasporës së madhe Italiane në Amerikë, (nëse nuk gabohem është e katërta me radhë). Komunikimi me mjetet e atëhershme: me letra, telefonata dhe telegrafi të diasporës me familjarët dhe miqtë në vendlindje ka ndikuar që të qytetarët ta ndryshojnë sjelljen politike dhe të mposhtet komunizmi në Itali.

Jam i bindur se përvoja italiane mund të funksionojë tek ne. Ky shembull, duhet të shfrytëzohet edhe në rastin e vendit tonë. Shanset janë të mëdha, sidomos kur sot komunikimi është lehtësuar si kurrë më parë, bile dhe duke krahasuar me kontekstin italian, shpenzimet për komunikim janë gati se badihava dhe i shumëllojshëm, mund të ketë një ndihmesë të madhe nga diaspora jonë për ta mposhtur qeverisjen zullumqare në Maqedoni.