Maqedoni: Opozita Dështoi

protesta shkup

shaqirislami

Shaqir Islami

 

Nuk e kuptoj dot veprimin (aksionin) politik të opozitës, sepse është i paqartë në artikulimin e çështjeve politike. Le ta thotë troç, nëse e kundërshton pushtetin apo opozitën! Lufta absurde me të dy palët nuk ka kuptim. Nuk mund të ketë sukses politik me dilema dhe dyshime edhe aty ku nuk duhet. Aksioni politik kërkon guxim dhe vendosmëri edhe për veprime jo të zakonshme. Aleanca me opozitën e bashkuar të Zajevit është imperativ i kohës, nuk varet nëse dikush do apo s’do, për shkak se duhet menduar për të mirën publike, jo atë personale. Mendimet stereotipike dhe paragjykimet se Zajevi nuk dallohet nga Gruevski, janë hamendje të dëmshme dhe qëllimkeqe, vetëm e vetëm që të mos mobilizohet vota dhe të mos ngjizet opinioni publik i shqiptarëve.

Opozita jonë duhej dhe ishte domosdo të bashkohet, këtë herë dhe vetëm këtë herë me opozitën maqedonase për një koalicion parazgjedhorë, për ta shëruar demokracinë në vend dhe për ta rimëkëmbë shtetin e zhvatur dhe të rrënuar nga një bandë kriminale shqiptaro-maqedonase. Mbase, banda kriminale mund të bashkohet për qëllime të errëta, pse jo edhe opozita për ta shpëtuar shoqërinë nga zullumi i tyre dhe demokracinë? Më i sinqertë është një bashkim eksplicit i opozitës, se sa bashkimi implicit i bandës zullumqare. Paragjykimet dhe mendimi stereotipik ka qenë pengesa kryesore për mobilizimin e votave për ta ringjallë demokracinë dhe institucionet e saj. Opozita jonë gaboi rëndë që nuk u orvat ta shemb murin psikologjik të dyshimit dhe të mosbesimit ndaj ofertës së Zajevit. Ky është suksesi më i madh i Gruevskit. Midis këtyre dyve, opozita nuk arriti ta përcaktojë qartë kush është zullumqari, dhe kjo do t’i kushtojë shumë në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa, unë e kam përshtypjen, a mendoj se edhe publiku i përgjithshëm e percepton të njëjtën gjë, se më shumë janë duke e kundërshtuar opozitën e bashkuar qytetare që e përfaqëson Zajevi se sa ta ‘kallin’ zadrugën zullumqare Gruevski&Ahmeti &Thaçi. Nga hamendja e tyre, duke e kundërshtuar herë njërën palë, herë tjetrën në komunikimin politik, me kollaj mund të lexohen hesap-bërjet naive dhe hileqare personale. Synimi i vetëm, sipas asaj që mund të vërehet, është se për ta nuk ka rëndësi se kush vjen në pushtet, me rëndësi është që t’u ngjiten fituesve qeverisës si stolisje demokratike. Mirëpo, për këtë rol nuk ka nevojë fare për aktorë të ri, mbase këtë rol tashmë e bën BDI dhe PDSH, edhe atë, për atë rol janë të stërvitur për mrekulli.

Opozita e përçarë në çastin më kritik të vendit nuk mund t’i bind qytetarët se duhet ta votojnë atë. Në politikë përçarja është dobësia dhe dëmi më i madh. Nëse liderët e përçarë, për çfarëdo arsye, nuk arrijnë ta bindin anëtarësinë e vet se domosdoshmërish duhet mobilizuar votat, si do t’i bindin qytetarët e rëndomë sidomos të ‘pa vendosurit’ që të mobilizohen kundër pushtetit aktual? Në politikë gjithmonë votat e grupit të ‘pa vendosurve’, e përcaktojnë fitimtarin.

Opozita dështoi. Përçarja fëmijërore është dëshmi e fortë se kemi opozitë të papjekur dhe axhami. Liderët e saj nuk e paskëshin perceptuar dhe kuptuar situatën e rëndë që e përjeton shoqëria! Në çdo kohë tjetër mund të tolerohet kjo sjellje politike, por sot jo.