Massimo Franco: Rilindja autoritare

Massimo-Franco

Massimo Franco / “Corriere della Sera”

 

 
Këngëtarët e virtyteve të një “Shteti iliberal” po shumohen, madje edhe në Perëndim. Dhe vizatojnë atë që përcaktohet “rilindja autoritare”, herë e dukshme, herë e zvarritur. Gjurmët janë mjaft të qarta para dhe pas 2015-s, vit ndarës i mërgimit të madh në Evropë; edhe para këtyre pesë muajve të 2016-s me valët e reja të të dëshpëruarve. Kanë të bëjnë vetëm pjesërisht me temën e të ikurve nga Lindja e Mesme apo Afrika. Ndoshta pohojnë se si dukuria është kthyer në një shpejtues të rrjedhës që kërcënon të thërrmojë solidaritetin dhe institucionet evropiane. Ka ndonjë që kujton një bisedë të mbajtur në korrikun 2014 në Baile Tusnad, në Rumani, në të cilën Viktor Orban teorizoi pikërisht nevojën për të ndërtuar një “Shtet iliberal” të ri.
Duke i vënë së bashku në mënyrë të pasaktë Kinën, Rusinë, Singaporin, Hindinë dhe Turqinë, Orban shpjegoi se në krizën financiare të 2008-s, modeli demokratik kishte funksionuar më keq se ai i sistemeve autoritare. Kundër stuhisë ekonomike kishin dalë fitues, sipas tij, “sisteme që nuk janë perëndimore, as liberale, që nuk janë demokraci liberale, e ndoshta as edhe demokraci.” Atëherë fjalët e tij dukeshin si deliri i një populisti të rrezikshëm e të veçuar. Dy vjet më vonë, Orbani u zbulua si pararoja e një mësymjeje kundër një demokracie evropiane në vështirësi, dhe mbi të gjitha, kundër institucioneve që e pasqyrojnë. Sfida, pra, shkon përtej zhgënjimit dhe sfilitjes që mbushin politikat e BE dhe Shteteve të Bashkuara.
Filozofia, në bazë të kësaj rrjedhe e të suksesit të saj në rritje, është ideja që “iliberale” është Evropa e sotme, “Brukseli” i konceptuar si selia e pushtetit kontinental. Prej këtej rrjedh dëshira e shpagimit të shteteve, “jo” çdo bashkërendimi me BE në jetën e qeverive kombëtare, menjëherë e interpretuar si ndërhyrje, përpjekje për të ndërtuar nën marrëveshje që vihen përbri atyre tradicionale, duke synuar t’i gërryejnë fuqinë e t’i zbrazin nga brenda.
I vërtetojnë mbledhjet e ngushta të disa vendeve të Evropës lindore, në polemikë me “globalizimin dhe vlerat perëndimore”, që drejtojnë gishtin kundër Komisionit, BE, BQE dhe FMN. Por e tregon edhe ngasja e disa kombeve të Veriut protestant për të krijuar një bërthamë “të fortë e të pastër” kundërjugore. Në këtë kuadër, valët mërgimtare në tokë e në det, janë një shkak shumë i mirë për të shpejtuar procese që vazhdojnë prej vitesh dhe për të rishkruar aleanca që nuk janë më të parashikuara. Kështu Kontinenti i Vjetër gjendet i ndarë në filamerikanë polakë dhe filorusë, si hungarezi Orban.
Por Putin tërheq në orbitën e tij edhe udhëheqësen e Ballit Kombëtar francez, Marine Le Pen dhe legistin Matteo Salvini: të gjithë të bashkuar nga mosbesimi kundrejt institucioneve perëndimore, të quajtura të korruptuara nga oligarkitë financiare, dhe nga rizbulimi i kombëtarizmit, në kah vetëqeverisës e veçues, të shtyrë nga kriza ekonomike dhe frika e mërgimit, veçanërisht islamik.
Sipas Michel Boyle, një analist i institutit të kërkimeve mbi politikën e jashtme të Filadelfias, janë hapat e parë të një “illiberal order” në mbërritje: një model që nuk pranon parimet demokratike, siç i kemi njohur deri tani. Në një ese në numrin e fundit të Survival, e përdymuajshmja e Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike të Londrës, kërcënimi që i bëjnë partitë populiste kombeve të ndryshme është përshkruar si një copë e krizës, por jo më shqetësuesja. Frika është që të humbasin qëndrueshmërinë e t’i përkulen “besojmës” së re autoritare institucionet ndërkombëtare. Kundërgoditja që ndruhet është “një hedhje poshtë e rendit ndërkombëtar të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara në fund të Luftës së Dytë botërore. Fati i brendshëm dhe i jashtëm i liberalizmit janë të lidhur me njëri-tjetrin më shumë se ç’mund të mendohet.”
Së fundi, institucionet që në dhjetëvjeçarët e fundit janë përpjekur të vendosin një rend botëror, kanë pasqyruar sistemet që i kanë rritur. Arkitektët e Kombeve të Bashkuara të lindura në 1945 në San Francisco, me nxitjen e presidentit Harry Truman “importuan” një pjesë të sistemit demokratik amerikan. Por ajo që tej shihet tani është një botë shumëpolare, e treguar me gisht nga udhëheqësi rus, Vladimir Putin, që në 2007, që si rrjedhojë mbi Evropën dhe Perëndimin do të shënonte edhe një rënie të parimeve mbi të cilat mbështeteshin ata. Bëhet fjalë për një sfidë ndërmjet një sistemi vlerash e një tjetri, të ndihmuar nga gabimet e Perëndimit nën drejtim amerikan. Në mënyrë paradoksale, modeli importohet nga bota jodemokratike e joperëndimore.
Nga ana tjetër, edhe vetë dukuria Donald Trump është prodhimi i kufizimeve të presidencës së Barak Obamës dhe skajshmërimit të Partisë Republikane. Magma evropiane duket e paracaktuar, jo aq të krijojë një rend të ri, se sa të rikthejë një “që prej kohësh ishte në gjumë”, siç thotë Michael Boyle. Përfundimi është që lidhjet dhe aleancat ndërkombëtare bëhen më të fluturueshme e të shkëmbyeshme, në fakt të paqëndrueshme.
Për Shtetet e Bashkuara veçanërisht, “ndërdyshja në rritje në zgjedhjen, si të aleatëve po ashtu edhe të armiqve, përfaqëson një ndryshim të papëlqyer në krahasim me parashikueshmërinë e Luftës së Ftohtë”. Evropa, me kundërshtitë e saj e mbi të gjitha me kombëtarizmat e saj, po kthehet në laboratorin e “rendit iliberal” dhe të “rilindjes autoritare”.
Deri para ndonjë viti, ishte e qartë në ç’anë qëndronte arsyeja dhe e kundërta. E reja është se sot tregimtaria e përcaktuar “populiste” dhe ajo e damkosur si “elitare dhe teknokratike”, përballohen me pesha politike pothuaj të barabarta, sepse secila mëton të përfaqësojë interesat e vërtetë të popullit evropian kundër dinamikave shkatërruese. Dyshimi në rritje është se, në mungesë të një rindërtimi mbi baza të reja të identitetit dhe strategjisë së Kontinentit të Vjetër, mund të mbizotërojë modeli i së shkuarës, me pasoja të cilat që tani tregojnë shenjat e para të konflikteve.
E përktheu: Eugjen Merlika