Mbi vizitën e parë të Nanës Tereze n’Shqipni

nene-tereza-1
k.krisafi Ksenofon Krisafi

Ngjarja e bukur e shenjtërimit të Nënë Terezës, ceremonia e së cilës do të zhvillohet këto ditë në Selinë e Shenjtë, ka ngjallur me të drejtë dëshirën për të folur e për të shkruar sa më shumë për të. Ajo më nxiti që t’iu rikthehesha shënimeve të mia në Ditarin Diplomatik, për të rifreskuar një episod nga veprimtaria ime e dikurshme në shërbimin e jashtëm, që lidhet me Nënë Terezën. Gjeta të plotë një shënim të gjatë të datës 2.12.1992, me titullin Refleksione Mbi vizitën e parë të Nënë Terezës në Shqipëri, shkruar në atë kohë, mbi bazë të dokumenteve autentike të muajve shtator – tetor 1989, fotokopjet e të cilave ndodhen edhe në arkivin tim personal. M’u duk interesant për evidentimin e rrethanave të ardhjes së saj në Shqipëri në vitin 1990. Për të qenë sa më pranë realiteteve përkatëse, në vijim po e jap të plotë, me ndonjë shkurtim të parëndësishëm.

“Mbi tavolinën time të punës në zyrë ka disa kohë që kam vendosur fotografinë e njërës prej bijave më të shquara të kombit shqiptar, njërës prej personaliteteve me famë botërore, bamirëses së mirënjohur, Gonxhe Bojaxhi, e njohur në mbarë botën me emrin domethënës Nënë Tereza e Kalkutës. Ja se si mbeti fotoja e saj aty.

Para disa muajve kur isha drejtor i Drejtorisë së Çështjeve juridike, Konsullore dhe Traktateve ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme, fotografi i ministrisë, Meksi Xhufka, solli disa fotografi të Nënë Terezës. Do të përgatisnim pasaportën diplomatike, sipas dekretit të Presidentit, që i jepte asaj shtetësinë shqiptare. Pasi u bë gati pasaporta, më mbetën dy copë fotografi të saj dhe që në atë çast vendosa që njërën prej tyre ta mbaja para syve, mbi tavolinë, në shenjë nderimi dhe homazhi për këtë njeri me zemër të madhe dhe fisnike dhe njëkohësisht si një shtysë të përditshme për t’u frymëzuar për mirësi. Prandaj e vura në një minikornizë shumë të bukur, që më ishte dhuruar nga një miku im i huaj. Aty ka mbetur ajo edhe sot e kësaj dite. Por pati edhe një arsye tjetër që më nxiti. Sa herë bie fjala për nënë Terezën, provoj përherë, një ndjesi kënaqësie, sepse rasti e solli që, ndoshta mund të kem dhënë edhe unë, një kontribut personal për përshpejtimin e ardhjes së saj të parë në atdheun e vet.

Në dhjetëditëshin e parë të shtatorit të vitit 1989, isha me shërbim në Romë, për të marrë pjesë në një aktivitet që organizonte Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, në kuadrin e Nismës së Adriatikut. Në një nga ditët shkuam me Dashnor Dervishin, ish-ambasador i Shqipërisë në Itali, në një kafe, ku zakonisht shkojnë punonjësit e ambasadës sonë. Aty takuam rastësisht prof. Xhiusepe Katapano, një arbëresh i kultivuar, me ndjenja të thella dashurie për vendin e të parëve të vet. Për shkak se kishte qenë disa muaj i rekrutuar në ushtrinë italiane në kohën e luftës në Shqipëri, i mohohej e drejta për të ardhur. Por, i mirë, fisnik e i gjerë nga shpirti, siç është, me gjithë trishtimin dhe nostalgjinë, nuk shfaqte hapur pakënaqësi. Mundohej ta justifikonte këtë veprim.

Qëndruam dhe folëm për çështje të historisë së Shqipërisë, për tema që ai i kishte trajtuar në shkrime e punime të ndryshme, një pjesë të të cilave i kisha lexuar më parë. Në to, krahas kompetencës profesionale dhe trajtimit shkencor vërehej gjithashtu edhe njëfarë subjektivizmi e romantizmi rilindës. Biseduam edhe për shumë gjëra të tjera dhe Katapano hera-herës, kur fliste për Shqipërinë, për Kosovën dhe tragjeditë që kishin përshkuar historinë tonë si komb,  përlotej. Në një moment, duke iu drejtuar Dashnorit (Dashit), i tha pak a shumë: “Thuaj Ramizit (Ramiz Alisë) ta lejojë Nënë Terezën të vijë në Shqipëri, qoftë edhe për një vizitë private, të shohë varret e të afërmve të saj. Ajo e ka merak të madh këtë dhe më është lutur disa herë që të ndërmjetësoj.”

teresa_1991_03_12_IMG_2319a

Vura re se Dashi e dëgjoi disi pa vëmendje dhe aty për aty i thashë se duhet bërë diçka. Përsëri nuk u shpreh. Kur u ndamë nga prof. Katapanua, rrugës për në ambasadë, ia hapa çështjen e vizitës së Nënë Terezës në Shqipëri. Ai më tha se nuk ishte rasti i parë që e dëgjonte një gjë të tillë nga profesori dhe të tjerë, por e shihte të pamundur realizimin e saj, për shkak të një mentaliteti negativ që ekzistonte në qarqet tona politike, që ishte e vështirë të kapërcehej. I thashë se së paku kërkesa e saj duhet të transmetohet institucionalisht. Me kaq kjo çështje u mbyll në Romë. Kur u ktheva në Tiranë, i raportova ministrit Reis Malile për veprimtarinë për Nismën e Adriatikut dhe në mbarim i thashë se kisha diçka që nuk lidhej me të,  i tregova gjithë ngjarjen e mësipërme, takimin dhe bisedën me Katapanon.

Duke përfituar nga një raport i veçantë miqësor dhe mirëbesimi korrekt, i krijuar gjatë punës së përbashkët disavjeçare, nuk hezitova t’i thosha se unë mendoj që Nënë Tereza duhet lejuar të vijë në atdheun e vet, madje duhet ftuar zyrtarisht. Rendita disa argumente të improvizuara në çast. I thashë p.sh. se ajo është bijë e këtij trualli që e nderon atë, që nuk ka bërë asgjë kundër interesave të vendit, përkundrazi, është personalitet me famë botërore, mbajtëse e çmimit Nobel, që me emrin dhe veprën e saj ka lartësuar edhe prestigjin e Shqipërisë. Kudo që ka shkuar është pritur me nderime të veçanta nga kryetarë shtetesh dhe kryetarë qeverish.

Është paradoksale që vendi i vet nuk e pranon dhe nuk e lejon të vijë as si qytetare e thjeshtë. Ftesa për të vizituar Shqipërinë do të ishte gjithashtu edhe shprehje e mirënjohjes ndaj saj, sepse siç tha prof. Katapano, ajo mbante me të holla veprimtaritë e disa shoqatave dhe grupeve kosovare dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi për kultivimin e ndjenjës kombëtare dhe kundërshtimin e pushtimit serb. Me ardhjen e saj në Shqipëri plotësohet jo vetëm një ëndërr e hershme e vetë Nënë Terezës, por fitohet edhe kapital politik nga qeveria shqiptare.

Vizita e saj do të shërbejë për një imazh tjetër të Shqipërisë, sepse politika ateiste e ndjekur nga qeveria ka shkaktuar reagime negative dhe qëndrime të ftohta nga qarqet klerikale në vende të ndryshme të botës. Ardhja e Nënë Terezës do të ndikonte për një opinion tjetër ose së paku për një kthesë në opinionin negativ ndaj nesh. Ndoshta mund të kem përmendur edhe argumente të tjera, por kujtoj mirë që ministri Malile më dëgjoi me vëmendje. Nuk u shpreh, as miratoi dhe as kundërshtoi çka i thashë. Kjo më inkurajoi që t’i sugjeroja se ndoshta duhet të njoftohej presidenti Alia, që ta thotë ai fjalën e vet, si kryetar shteti.

Pas kësaj më porositi që të shihja në arkivin e Ministrisë se çfarë kishte në fondin  ose dosjen e Nënë Terezës. Nuk gjeta asgjë. Më tha të bisedoja me Rako Naçon, i cili, disa vjet më parë, duke qenë ambasador i Shqipërisë në OKB, në Nju Jork, kishte marrë pjesë në një kongres ndërkombëtar për gjendjen e grave, që ishte zhvilluar në Meksiko. Ministri mbante mend që Nënë Tereza, e pranishme në kongres, kishte tentuar të takohej me delegacionin shqiptar, që kryesohej nga Vito Kapo, presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, por nuk dinte hollësi se ç’ishte biseduar midis tyre. Rakoja dinte që Nënë Tereza i ishte afruar delegacionit tonë, por ai nuk ndodhej në atë çast. Sidoqoftë i kujtohej që pjesëtarët e tjerë të delegacionit ia kishin treguar ngjarjen, e cila ishte e pakëndshme. Nënë Tereza i ishte afruar Vito Kapos në korridoret e kongresit, i kishte folur disa herë zonja Kapo, zonja Kapo, por ajo kishte bërë sikur nuk e  kishte dëgjuar dhe vazhdonte të ecte. Më së fundi, duke kujtuar se vërtet nuk e kishte dëgjuar, e preku lehtas te krahu dhe i tha se jam shqiptare dhe kam dëshirë të takohemi e të bisedojmë. Vitoja ia kishte prerë shkurt, i hoqi dorën nga krahu dhe i tha që nuk kemi ç’të bisedojmë. Ajo ishte larguar e pezmatuar.

Ia tregova ministrit gjithë sa më tha Rakoja. Ai shfaqi shenja habie dhe  dëshpërimi dhe më tha që të përgatisja një informacion për “udhëheqjen”- presidentin dhe kryeministrin, me propozimin që Nënë Tereza të ftohej për një vizitë në Shqipëri, duke renditur edhe argumentet përkatëse për justifikimin e këtij veprimi. Përgatita shpejt e shpejt informacionin. Përpara se ta niste në destinacion, ministri, i cili shquhej për skrupulozitet dhe kujdes maksimal, më tha që të komunikoja me Dashnorin në Romë me radiogram të mbyllur. T’i kërkoja të na përgjigjej nëse kishin pasur ndonjë propozim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për ndonjë dëshirë të Nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë. Dashi, pasi mori dhe lexoi radiogramin, më telefonoi dhe më pyeti nëse e kisha biseduar me ministrin ngjarjen me Katapanon. Ia pohova dhe i shpjegova se nuk kishte arsye pse të mos raportohej. Pas pak kohe erdhi përgjigja pohuese nga ambasada dhe informacioni u firmos nga ministri Malile dhe iu dërgua “udhëheqjes”.

Këtu mbaron lidhja ime me këtë ndodhi, të cilën po e tregoj pa pretenduar ndonjë rol protagonisti. Sepse Nënë Tereza është e dashur për të gjithë dhe iu përket njëlloj jo vetëm çdo shqiptari, por çdo qenieje njerëzore në çdo skaj të rruzullit, sepse zemra e saj rreh për të gjithë, shpirti i saj i madh ndjen dhimbje për të gjithë fatkeqët, të cilëve dora dhe fjala e saj e ngrohtë iu jep shpresë, besim, shërim e forcë për ta fituar jetën. Më pas të tjerë kolegë u ngarkuan për të komunikuar me njerëzit e saj dhe për të përgatitur ardhjen në Shqipëri.

Kaluan disa muaj dhe ajo erdhi në dheun e të parëve të vet, ku u prit ngrohtë dhe me nderime. Unë e kam takuar rastësisht shumë vonë në aeroportin e Rinasit. Ndodhesha aty, së bashku me disa kolegë të tjerë të ministrisë për të pritur një delegacion nga Italia. Atë ditë, Nënë Tereza, e cila kishte gati një vit që vinte shpesh në Tiranë, po priste gjithashtu dikë që udhëtonte me të njëjtin avion. Erdhi me një mikrobus deri në pistë, së bashku me disa nga motrat. Kur e pamë, na kapluan ndjesi të veçanta, hyjnore dhe iu afruam mikrobusit. E përshëndetëm, e takuam, na dha nga një kryq duke na thënë “Zoti ju bekoftë” dhe u largua gjithë mirësi e sharm njerëzor, si shenjt, siç është ai njeri i jashtëzakonshëm. Tiranë, më 2.12.1992”./Mapo.al/

*Autori është Dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës