Media dhe prodhimi i njerëzve të fjetun

nga-antonia-case
Antonia Case, New Philosopher

 

 

Sociologët e kanë ditur prej kohësh që shumica prej nesh janë goxha të mirë. Punojmë mirë në grup dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Përgjithësisht themi të vërtetën, kujdesemi për të vegjlit dhe të moshuarit. Në thelb, jemi pozitivë dhe zemërgjerë. Shpirti i gjerë ndihmon për të shpjeguar pse jemi kaq të suksesshëm si specie, dhe pse sot jemi shtatë miliardë njerëz. Shumica jonë nuk kërkojnë histori vrasjeje, degjenerim dhe dhunë. Këto na ngjallin neveri.

Megjithëse e pranojmë se një përqindje e vogël e popullsisë mund të jetë pak e paqëndrueshme, ne s’i kalojmë ditët tona në ndjekje të tyre. Media po. Nëse do të çonim bisedat mediatike te psikiatri, cila do të ishte diagnoza? Aparati mediatik i sotëm është një rrejt i ndërlidhur informacioni për njerëz, vende dhe ngjarje – dhe këto ide bëhen tuajat kur i lexoni, i shikoni në ekran, i dëgjoni që i diskutojnë të tjerët, ose rastësisht i dëgjoni të transmetuara në radio ndërsa zgjidhni sallatë për darkë në dyqan.

Megjithëse ju nuk i ndoqët vetë këto histori, këto leksione të jetës dërgojnë valë në nënvetëdijen tuaj, duke nxitur frikë, babëzi, xhelozi, urrejtje – ndjenja që ju as e dinit që i kishit. Dhe sigurisht nuk i kishit. Këto nuk janë idetë tuaja. Njerëzit e famshëm dhe sipërmarrësit u japin një dimension human historive mediatike. Mbi njëqind vjet më parë, një grusht njerëzish zbuluan një instrument për krijimin e një publiku intelektualisht të fjetur. Jo, kësaj here nuk ishte një pushkë ose bombë, nuk ishte as ilaç, por një sistem komunikimi që do t’i ndalte në vend masat.

Ky sistem është ajo që njihet sot si marrëdhënie publike. Ju mund t’i falënderoni ata njerëz sa herë që i hakërreheni televizorit, ose kur shani gazetën të fyer nga broçkullat që përcillen si “lajme” ose “informacion i vlefshëm.” Praktikuesit e marrëdhënieve publike mësuan që arti i paketimit të informacionit në një kuti aq të ëmbël e tunduese saqë njerëzit nuk do t’i rezistonin dot: katastrofa, luftëra, terror, vrasje, seks, ikona stili, divorc, modele, miliarderë, e kështu me radhë. Brenda këtyre lajmeve vijnë gjëra të tjera, gjëra më të rëndësishme që ndikojnë në mënyrën si ju shikoni dhe perceptoni botën dhe ku e shikoni veten në skemën e gjërave.

Edward Bernays, një nga njerëzit e parë të marrëdhënieve publike, dikur tha: “Çdo banor është vazhdimisht i ekspozuar ndaj ndikimit të rrjetit tonë të gjerë të komunikimit që shtrihet në çdo cep të vendit, pavarësisht sa i largët apo i izoluar është. Fjalët godasin vazhdimisht sytë dhe veshët.”

Sot, industria e marrëdhënieve publike është një gjigant në shumë miliarda dollarë. Një narrativë e mirë, prodhim cilësor, imazhe dhe tituj – të gjitha të lustruara dhe të përcjella me makinën mediatike. Sukses i marrëdhënieve publike konsiderohet kur një emër (individ apo kompani) bëhet “publik”, pavarësisht mënyrës si bëhet i tillë.

Këta njerëz dhe reklamat e marrëdhënieve publike konsumojnë jetën mendore të lexuesve dhe shikuesve, të cilët thjesht nuk mund t’i rezistojnë goditjes. Dhe me rutinën e konsumit të lajmeve që është bërë pjesë e jetës së shumicës, kontrolli i mendjes publike është po aq i lehtë sa hedhja e peshkut në një fuçi. Ata mendojnë për ju haptazi.

Mesazhi i fshehur, ose supozimi i pranishëm në shumicën e lajmeve, është që njerëzit janë të këqij, bota është jashtë kontrollit,  dhe se në botë ka shumë njerëz më të suksesshëm se ju. Pronarëve të pasurive që sigurojnë fitime të majme duke blerë me çmim të ulët dhe shitur me çmim të lartë – që i japin me gëzim shtëpinë një familjeje që do të jetë në borxh për pjesën tjetër të jetës – u rrihen krahët me respekt. Pronarët e bizneseve që krijojnë perandori dhe grumbullojnë pasuri masive janë ikonat tona kombëtare.

Kompanitë që shtrihen jashtë kufijve dhe përfitojnë nga vendet e varfra janë më të dashurat në tregun tonë. Aparati mediatik na mëson se jeta është një spektakël për t’u parë, por jo për të marrë pjesë në të. Ajo ushqen sindromën e motrës më të vogël – dëshirën të arrijmë motrën e madhe, t’i zotërojmë dhe ne ato gjëra që zotëron ajo. Ne mendojmë gabimisht se këto “histori” mediatike thuajse e thonë gjithçka – që pjesa më e madhe e popullsisë bën një jetë në harmoni me këndvështrimin e shfaqur në lajme; kurse, në realitet, shumica e popullsisë jeton përditshmërinë në humor relativisht të mirë, në përpjekje të sigurojë bukën.

Njësoj si ushqimet e dëmshme, problemi me këto paketa “të personazheve pozitivë” është se, pasi futen në mendjen tuaj, nuk mund ta zhdukni efektin e tyre. Bota në media projektohet si një vend biznesi, jo një planet që rrotullohet në hapësirë. Biznesi është burimi, jo toka ose natyra. Ne jemi individë dhe jo qenie të ndërlidhura me një shumësi speciesh të tjera.

Mikrokozmosi mediatik është si një molekulë pluhuri në një univers në zgjerim. Nuk reflekton asgjë me rëndësi. Nëse kërkimi i lumturisë është heqja e aspekteve negative nga jeta e njeriut, atëherë është i dukshëm vendi nga duhet nisur.