Mos e prekni kishen ne kampusin e UP!

kisha-780x439-1200x630

ceku-kishaHajrullah Çeku

 

Cili është identiteti urban i Prishtinës?

Diskutimi mbi këtë kishë si rast i izoluar paraqet vazhdimësi të qasjes parciale ndaj hapësirës publike të Prishtinës. Në gjithë këto vite të pasluftës, debati publik – ndonëse rëndom i kufizuar – ka qenë i orientuar në trajtimin veç e veç të rasteve mbi ndërtesat publike, sheshet, infrastrukturën, memorialet dhe elementet tjera përbërëse të hapësirës publike. Ndër rastet më të ndjeshme të kësaj periudhe kanë qenë katedralja katolike, xhamia e re, sheshet qendrore të qytetit, hotel “Unioni”, qendra historike dhe të ngjashme.

Asnjëherë deri më tani banorët e Prishtinës nuk e kanë zhvilluar diskutimin mbi Prishtinën që ata e dëshirojnë. Pyetjet si “Çfarë identiteti duhet të ketë qyteti?”, “Si ndikon hapësira publike në formësimin e identiteteve partikulare?”, “Cili duhet të jetë balanca mes sekulares dhe fetares në hapësirën publike?” vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qartë.

Si ilustrim, të marrim shembullin e katedrales katolike në qendër. Si u bë që një shkollë publike, që përfaqësonte një histori të rëndësishme sociale dhe kujtesë kolektive të qytetit, të rrënohet me aq lehtësi dhe pa kurrfarë debati publik, për t’i krijuar hapësirë një objekti fetar. Dhe kjo nuk është e vetmja periudhë e paqartësisë urbane në qytet. Së paku nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Prishtina është në transformim të përhershëm. Nga interpretimet moderniste të periudhës së socializmit, te post-modernja e viteve të 70-ta që synoi rikthimin e së vjetrës orientale, nga vitet e okupimit që e zhvendosi në margjina të hapësirës publike gjithçka që nuk ishte serbe, deri te kaosi urban i ndërtimeve pa leje të pasvitit 1999, Prishtina me dekada është duke e zhvilluar betejën e gjetjes së vetvetes.

Prandaj, paralelisht me diskutimet për rastet e veçanta, shoqëria ka nevojë për një diskutim demokratik mbi identitetin e Prishtinës. Dhe, pa një vizion më të gjerë mbi hapësirën publike të qytetit si burim identitetesh, çdo zgjidhje e prodhuar për rastet e veçanta, si ai për kishën në kampusin e UP-së, rrezikon të prodhojë pasoja degraduese.

90-at e aparteidit në hapësirën publike

Dekada e okupimit serb të Kosovës nën regjimin e Millosheviqit u manifestua edhe me zaptimin e hapësirës publike të qyteteve të Kosovës dhe Prishtina nuk bënte përjashtim. Ndërtimi i një objekti kishtar në hapësirën e Universitetit të Prishtinës ishte manifestim i politikës së dominimit dhe aparteidit. Ky akt përbënte sulm të drejtpërdrejtë në vetë qenien dhe rrugën e emancipimit të një shoqërie, pra në sistemin e arsimit, që veç tjerash kishte edhe funksion të rezistencës politike ndaj regjimit shtypës të Millosheviqit. Ndërtimi i kishës ishte projekt i përbashkët i shtetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe që synonte të ndërhyjë edhe fizikisht në sistemit arsimor të Kosovës. Nuk ka asnjë dilemë që kjo kishë nuk ka asnjë element fetar e shpirtëror dhe kryekëput është intervenim politik, pjesë e një ndërmarrjeje më të madhe të dhunës së shtetit serb ndaj shoqërisë kosovare.

Kujtesa dhe harresa kolektive

Pikërisht për arsyet që u përmendën më lart, ne duhet ta ruajmë kujtesën për këtë kishë dhe ta përcjellim tutje gjithë narracionin politik rreth saj. Ky objekt paraqet dëshminë më të qartë fizike të një prej periudhave më të vështira të shoqërisë sonë. Dhe është obligim yni që narracionin që fshihet brenda mureve të kësaj kishe t’ua bartim gjeneratave të ardhshme. Prandaj edhe objektin duhet ta lëmë ashtu si është, të përfunduar, të ndërprerë. Njëjtë si projekti i dhunës politike i Serbisë për spastrim etnik që ka mbetur i papërfunduar, i ndërprerë. Përveç simbolikës, për t’i dhënë asaj hapësire edhe një funksion komunitar, kopshti përreth këtij objekti mund të rregullohet dhe të shndërrohet në një hapësirë mikpritëse për qytetarët. Gjithashtu, kisha mund të nominohet edhe për Listën e Trashëgimisë Kulturore dhe t’i ofrohet mbrojtje ligjore. Ta ruajmë atë si shoqëri dhe si shtet si një sajt të kujtesës (memory site), ashtu si ruhen sajtet e Holokaustit apo copëza të Murit të Berlinit, apo të ngjashme.

Edhe ashtu, ne i kemi zhdukur pothuaj të gjitha dëshmitë dhe gjurmët fizike të rezistencës paqësore dhe luftës së fundit. Rreziku më i madh i harresës kolektive është mundësia për të mos nxjerrë mësime nga e kaluara shkatërruese, që shpesh rezulton me përsëritje të së keqes. Kisha le të mbetet aty ku është dhe ashtu si është dhe le të na shërbejë si një përkujtues i bukur dhe i shëmtuar në të njëjtën kohë se nëpër çka kemi kaluar si shoqëri. Si përkujtues i asaj që na kanë bërë dhe që ne nuk duhet t’ia bëjmë të tjerëve.