Musolli: Pësimi, mësim për Opozitën!

Petrit Musolli

 

Nuk fitohen të gjitha, me 30 deputetë! As nuk fitohet simpatia qytetare me lojë dyfytyrëshe! Nuk mundesh me legjitimu e delegjitimu një proces e institucion, simbas tekeve prej sjelljeve fëminore. Sepse, fëminore (lojë tezesh) dukej tendenca e opozitës me lujt rolin e diktatit, dje, në Kuvend.
Gjatë gjithë kësaj kohe refuzimi të legjitimitetit të Kuvendit, dhe si rrjedhojë të këtij argumenti, opozita pengonte (me dhunë) zhvillimin e çfarëdo debati në Kuvend. Dje, vendosi me legjitimu vetëm për pak kohë, deri sa i’u duhej ta përdornin si mikrofon, apo amplifikues të kauzës së saj. Kur e përfunduan, vendosen prapë (arbitrarisht dhe dhunshëm) me deligjitimu. Sepse, sipas logjikës së opozitës, ata kanë diktatin mbi kauzën nacionale. Dhe, ajo u tha, nga ta, në Kuvend! Me ta fillon e përfundon argumenti!
Sikur nuk ju mjaftoi, cirkushanen e vazhduan me emërimin e tërheqjen – prapë emërimin, e anëtarit të Komisionit për verfifikimin e procesit të votimit për president. Populli thotë: Kur nuk t’pren ‘sakica’ me nji vend!
Kur e humbën betejën politike, iu kthyen rrugës së dhunshme në rrugë – me djegie e shkatërrim. Kur e humbën edhe atë betejë, nisën m’i sha partitë tjera politike, pse s’i kanë dëgjuar këta!
Nuk ka të bëjë me zgjidhjen e Thaçit President. Është apo nuk është Thaçi për President. Ka të bëjë me parimet politike, dhe, mbi çfarë parimesh ndërtojmë argumentet politike!
Opozita është dashtë me kuptu (pavarësisht kauzës së saj) se me 30 deputetë nuk mund të pretendojë m’i fitu të gjitha. Atë përkrahje qytetare që e pat me një pjese të shoqnisë civile duke e joshur me listën e përbashkët zgjedhore edhe me ta brenda – ta kapitalizojë si instrument fuqie për me i’a imponu kompromiset pozitës së madhe në numra.
Në momentin kur pozita u ka bërë thirrje për dialog, opozita është dashur ta kapë shansin e saj. Paraprakisht, tri partitë opozitare, është dashtë të arrijnë një kompromis mes vete, cilat procese janë prioritare për ta dhe, deri ku mund të arrihet kompromisi me pozitën.
Opozita ka nisur të bindur në faktin se kaosi krijon premisat për revolucion dhe përmbysje të pushtetit, por rrugës janë ndeshur me fuqinë e vet reale për një ambicie kaq të madhe. Prandaj, dje, kanë qenë aq të hutuem e të paqëndrim si me vazhdu, duke rënë në kontradiktë me veten në çdo veprim që bënin. Dhe, dje e kuptuan se demokracia (sado e brishtë) është sistem procedurash. Edhe e kontratave politike/partiake.
Vetëm me programe/platforma politike dhe respektim procedurash, në një demokraci (sado të brishtë) mundesh me zhvillu beteja politike.
Interesat nacionale janë debat i vazhdueshëm, sepse janë evoluive dhe të varura nga rrethanat dhe zhvillimet. Ato nuk janë fikse!
Opozita, ish dashtë me kuptu se ata nuk janë interpretuesit ekskluziv të interesave nacionale, por janë pjesëmarrës në debatin mbi këto interesa dhe me ndikim vendimarrje në identifikimin dhe përcaktimin e tyre. Largimi nga ky debat dhe intenca me i zhvendos, imponu dhe përvetësu ato, nëpërmjet rrugës, ka qenë gabimi fatal i opozitës, ku dje e mori goditjen e parë. Sepse dje, u dëshmua se si funksionon një rend demokratik (sado i brishtë) dhe ku fitohet legjitimiteti i përfaqësimit!
Nëse opozita dëshiron me vazhdu luftën politike, duhet me ndrru kursin dhe me provu me fitu përfaqësimin në Kuvend dhe jo me bart legjitimitetin e Kuvendit në shatora (tenda)! Atë presion qytetarë që tashmë e ka ndërtuar kundrejt Qeverisë, duhet ta shfrytëzojë për me imponu dialog dhe arritjen e një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme në një afat të arsyeshëm. Ai afat mund të jetë, shembull, viti i ardhshëm kur mbahen edhe zgjedhjet lokale.
Përndryshe, nëse vazhdojnë me të njëjtin naivitet, edhe pas goditjes së djeshme dhe me të njëtën huti të veprimit brenda një procesi, goditja e ardhshme ka me qenë fatale.
Argumenti i ri që po mundohen ta ndërtojnë (për të vazhduar luftën në të njëjtën formë) se, tash, Thaçi nuk përfaqëson unitetin, sepse, votat i’a ka siguruar Lista serbe – është qesharake. Nëse jem fanatik të Kushtetutës, me mbrojtë edhe me mollotov, Lista serbe e bën Thaçin Presidentin më unifikues në Kosovës! Një President të votuar nga të gjitha etnitë! Sepse, populli i Kosovës (kushtetueshmërisht) nuk janë vetëm shqiptarët!
Opozita duhet të shkelë me këmbë në tokë. Ta pranojë se posti i Presidentit është i humbur. Nuk i’u pëlqente Jahjaga, sepse, përkrahja amerikane  për të nuk po i prodhonte asaj autoritet e fuqi politike. Tash ta durojnë një President me përkrahje amerikane e autoritet e fuqi politike ashtu qysh shoqnia jonë e percepton autoritetin e fuqinë politike. Të buruem nga korrupsioni, krimi e kontrolli absolut i krejt hapësirës publike. Populli thotë: qysh e lyp e gjen!
E vetmja pistë e manovrimit politik të opozitës ka mbetur marrëveshja për zgjedhje të parakohshme për vitin e ardhshëm, dhe, ndërkohë, t’i kthehen Kuvendit dhe ta zhvillojnë luftën aty , për të gjitha çështjet e kontestuara. Si dhe, ndërtimin e aleancave (për çështje të caktuara) me deputetët e pakënaqur brenda koalicionit. Të përgatisin opinionin dhe elektoratin e vet për zgjedhjet e ardhshme, të parakohshme. Të përgatisin një program praktik politik (pa nacionalizma, e kushtetues) dhe të publikojnë përgjegjësit që do ta bartin atë program. Në të kundërtën, do të mbesin vetëm një grusht vajtuesish të përhershëm.