“Natën e mirë lider! Sot fiton “gjithkushi”

ainis

Michele Ainis

Demokracia, që nga koha e Perikliut, mishërohej tek një lider. Vërtetë? Tashmë, e gjithë kjo është vënë në dyshim. Sepse kudo zien një revoltë kundër elitave (Brexit ishte vetëm episodi më i fundit). Sepse kjo revoltë përkthehet në një krizë autoriteti, e cila përpin të gjithë ata që kanë pushtet social, nga profesorët tek magjistratët, nga gazetarët tek shkencëtarët. Sepse mosbesimi godet kudo, dhe pikësëpari, drejtuesit e partive, mbajtësit e pushtetit social më me influencë: atë politik. Sepse vala e mosbesimit përplaset mbi udhëheqësit e tyre kombëtarë, duke u “prerë kokat”, duke i hedhur tutje si një çorape e përdorur. Dhe në fund, duke zëvendësuar aktorin kryesor.

Provat? Mjafton të shfletosh albumet e Nëntëqindës, dhe t’i vësh përballë fotografive të çastit të këtij fillimi mijëvjeçari. “Shekulli i shkurtër” kurorëzoi një Panteon udhëheqësish, që në të njëjtën kohë ishin kampionë të jetëgjatësisë politike: personazhe si Franklin Delano Roosevelt (katër mandate presidenciale të njëpasnjëshme: 1933-1945), ose si Helmut Kol (edhe ai katër fitore elektorale: 1982-1998). Dhe në Itali, De Gasperi, Moro, Craxi. Po tani?

Në bregun tjetër të Atlantikut, ylli në ngjitje është Donald Trump: një homunculus normalis, me të gjithë tiket dhe paragjykimet kulturore që dëgjohen nëpër bare. Jo më kot në SHBA e quajnë “The Donald”. Ndërkohë që në Itali, përtej Adriatikut, zgjedhjet e fundit lokale kanë kurorëzuar duke u dorëzuar çelësat e pushtetit, personazhe anonimë, të zakonshëm. Simboli i tyre përfaqësohet më së miri nga dy gra, të dyja pjesëtare të Lëvizjes 5 Yjet: Virginia Raggi në Romë dhe Chiara Appendino në Torino.

Në një libër të botuar në fillim të këtij viti (“Demokracia e udhëheqësve”), Mauro Calise vëren se si kriza e partive ka prodhuar një sistem vertikal, të bazuar në marrëdhënien direkte mes Shefit dhe zgjedhësve të tij. Dhe shton: nuk bën përjashtim as forma e prezantuar nga Beppe Grillo dhe Casaleggio, duke qenë se “Lëvizja 5 Yjet paraqitet si një super parti personale, mbijetesa e të cilës duket shumë e lidhur me fatet e udhëheqësit të vet”. Nuk ka asgjë më të gabuar: Casaleggio ka vdekur, Grillo është hequr mënjanë, por në ndërkohë, 5 Yjet i shumëfishon votat e veta.

Në të vërtetë, e kishte parashikuar shumë mirë Umberto Eco, me disa faqe (të paharrueshme) në vitin 1963: “Fenomenologjia e Mike Buongiornos”. Nga buronte suksesi i prezantuesit më popullor televiziv në Itali? Përgjigja: nga gafat e tij, nga italishtja bazike që fshinte krejt lidhëzat, nga mediokriteti që shpalosej si një flamur. Buongiorno përfaqësonte njeriun mesatar, madje atë minor. Dhe ishte ekzaktësisht kjo arsyeja e pëlqimit universal për të: duke e parë në televizor, askush nuk do të mund të ndihej inferior. Shkurt, në kohën e tij, Buongiorno shprehte një ideal të ri kolektiv, një kampion me të cilin njerëzit të identifikoheshin: jo supermeni, por “everyman-i, njeriu çfarëdo.

Gjysmë shekulli më vonë, everyman-i triumfon edhe në politikë. E kishte provuar edhe Silvio Berlusconi, me të folurën e thjeshtë e të drejtpërdrejtë, me mos-honepsjen e liturgjive partiake. Por ai ishte një miliarder, një manjat i televizionit, aspak njëri prej nesh.

E ka provuar Renzi, me mënyrat e tij të spikatura, me përmbysjen e klasave të vjetra drejtuese. Por përmbysësi, nëse ka sukses, shndërrohet ai vetë në klasë drejtuese, dhe ky është një faj i pafalshëm, sipas frymës që mbizotëron në kohën tonë.

Mund të jetë ideologjia e re, pasqyrë e të cilës janë fjalorët: neo-empirizëm, neo-realizëm, neo-pozitivizëm, neo-korporativizëm, neo-kontraktualizëm, neo-ekspresionizëm, neo-gotik e kështu me radhë. Mund të jetë eksperienca horizontale që gjithësecili prej nesh përjeton në Internet, ku mbizotëron “bëje vetë!”, që nga të vetëmësuarit për sëmundje nga më të shumëllojshmet, deri tek vetëpublikimi i një libri elektronik. Por në ndërkohë, është bërë kjo sigla politike e kohës që jetojmë: demokracia e jo-liderëve./L’espresso/