Neoliberalizmi, historia e thellë nën triumfin e Donald Trump

George Monbiot
George Monbiot

George Monbiot*

 

Ngjarjet që çuan deri në zgjedhjen e Donald Trump nisën në Angli në vitin 1975. Në një takim disa muaj pasi Margaret Thatcher u bë lidere e partisë Konservatore, një nga kolegët e saj – të paktën kështu thotë historia – po shpjegonte se çfarë ai shihte si besime themelore të konservatorizmit. Ajo hapi çantën e saj të dorës, nxori një libër të ngrënë dhe e përplasi në tryezë: “Ky është ai që ne besojmë”, tha ajo. Një revolucion politik që do të përfshinte botën kishte nisur.

Libri ishte “Kushtetuta e lirisë” (The Constituiton of Liberty) nga Friedrich A. Hayek. Publikimi i tij në vitin 1960 shënoi trancizionin nga një filozofi e ndershme, edhe pse ekstreme, në një dallavere të plotë. Filofozia quhej neoliberalizëm. Sipas saj, konkurrenca konsiderohej si karakteristikë përcaktuese e marrëdhënieve njerëzore. Tregu do të zbulonte hierarkinë e vet natyrale të fituesve dhe humbësve, duke krijuar një sistem më efikas që nuk do të mund të përcaktohej më sipas planifikimit apo dizenjimit.

Çdo gjë që pengonte këtë proces, si taksat domethënëse, rregullimi, aktiviteti i sindikatave apo ndërhyrjet shtetërore, ishte kundër-produktive. Sipërmarrës të pakufizuar do të krijonin pasuri që do të shpërndahej tek secili.

Kjo, në çdo nivel, është sesi neoliberalizmi u ngjiz fillimisht. Por në kohën që Hayek shkroi “Kushtetutën e Lirisë”, rrjeti i lobistëve dhe mendimtarëve që ai kishte themeluar, po financohej në mënyrë ekstravagante nga multi-milionerë të cilët e panë doktrinën si një mjet të mbrojtjes së vetes kundër demokracisë. Jo çdo aspekt i programit neoliberal shkonte sipas interesave të tyre. Hayek, duket, se mbylli këtë diferencë.

Ai e nis librin duke përparuar në konceptimin më të ngushtë të mundshëm të lirisë: mungesa e shtrëngimit. Ai refuzon nocione të tilla si liria politike, të drejtat universale, barazinë njerëzore dhe shpërndarjen e pasurisë, duke kufizuar sjelljen e të pasurve dhe të fuqishmëve.

Demokracia në kontrast, nuk është një “vlerë abosulute apo përfundimtare”. Në fakt, liria varet nga parandalimi i pjesës më të madhe nga ushtrimi i zgjedhjes mbi drejtimin që politika dhe shoqëria mund të marrë.

Ai justifikon këtë pozicion duke krijuar një narrativë heroike të një pasurie përrallore. Super të pasurit janë “skautë”, që eksperimentojnë stile jetese, që hapin shtigje që do t’i ndjekë edhe pjesa tjetër e shoqërisë. Progresi i shoqërisë varet nga liria e këtyre “individëve” për të fituar sa më shumë para që duan dhe për ta shpenzuar atë sipas dëshirës.

Hayek lehtëson kundërshtinë ndaj monopoleve dhe e shtrëngon atë ndaj sindikatave. Ai godet taksimin progresiv dhe përpjekjet e shtetit për të rritur mirëqënien e përgjithshme të qytetarëve. Ai këmbëngul se ekziston një “argument kundër shërbimit të lirë shëndetësor për të gjithë” dhe hedh poshtë konservimin e burimeve natyrore. Nuk duhet të vijë si habi për ata që i ndjekin çështje të tilla që ai ka marrë edhe çmimin Nobel për Ekonominë.

Në kohën që Thatcher përplasi librin mbi tryezë, një rrjet i gjallë organizatash të opinionit, lobistë dhe akademikë që promovonin doktrinën e Hayek ishin vendosur në të dyja anët e Atlantikut, të financuar bollshëm nga disa prej njerëzve më të pasur të botës dhe nga biznese ku përfshiheshin DuPont, General Electric, Coors, Charles Koch, Richard Mellon Scaife, Lawrence Fertig, William Volker Fund dhe fondacioni Earhart.

Duke përdorur psikologjinë dhe linguistikën për një efekt të shkëlqyer, këta njerëz sponsorizuan gjetjen e fjalëve dhe argumenteve që kërkoheshin për ta shndërruar antemën e Hayek për elitat në një program të pranueshëm politik.

Thaçerizmi dhe reganizmi nuk ishin ideologji në të drejtën e tyre: ato ishin vetëm dy fytyra të neoliberalizmit. Shkurtimet masive të taksave për të pasurit, shtypja e sindikatave, reduktimi i strehimit publik, heqja e rregullave, privatizimi, mbipërdorimi i burimeve dhe konkurrenca në shërbimet publike ishin të gjitha të propozuara nga Hayek dhe dishepujt e tij. Por triumfi i vërtetë i këtij rrjeti nuk ushte kapja e së djathtës, por kolonizimi i partive që dikur kishin qëndrimin e tyre për çdo gjë që urrente Hayek.

Bill Clinton dhe Tony Blair nuk zotëronin një narrativë të tyren. Më shumë ata zhvilluan një histori të re politike, që mendonin se ishte e mjaftueshme për të thithur nga e majta dhe e djathta. Burri që mposhti kandidaturën e Hillary Clinton për presidencën nuk ishte Donald Trump; ishte bashkëshorti i saj.

Rezultati paradoksal është se pasojat ndaj shtypjes së zgjedhjes politike të neoliberalizmit sollën në pushtet pikërisht llojin e njeriut që Hayek admironte. Trump i cili nuk ka politikë koherente, nuk është një neoliberal klasik. Por ai përfaqëson individin perfekt të atij që predikojnë neoliberalët: me pasuri të trashëguar, i pakufizuar nga morali i përgjithshëm, preferencat e të cilit mund të hapin një rrugë të re që të tjerët ta ndjekin. Mendimtarët neoliberalë janë duke u shumuar rreth këtij njeriu të cekët, kësaj varke të zbrazët që pret të mbushet nga ata që e dinë se çfarë duan. Rezultati i pritshëm është shembja e njerëzillëkut të mbetur, duke nisur me marrëveshjen për kufizimin e ngrohjes globale.

Ata që e tregojnë historinë drejtojnë botën. Politika ka dështuar përmes mungesës së narrativave konkurruese. Detyra kryesore tani është krijimi i një historie të re sesi duhet të jetë njeriu i shekullit të 21.

* George Monbiot asht autor i disa librave shumë të shitun për politikën dhe filozofinë.  Asht kolumnist i gazetës londineze, “The Guardian”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/