New York Times: Turqisë i dërgohet sinjal i gabuem

19tue2web-master675

Bordi Editorial

 

 

Kur Kryetari autoritar i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, kërkoi që Gjermania ta ndjek penalisht komedianin (e talli Kryetarin Turk në media, me një poemë ofenduese), zgjedhja e Angela Merkel ishte një variacion i dilemës së parashtruar nga një kidnapues: Kidnapuesi duke e pranuar haraçin  e zgjidh një problem hëpërhë, por nga ana tjetër jep një shembull të rrezikshëm.
Kancelarja Angela Merkel duhej të vendoste midis qetësimit të kërkesës skandaloze të  Z. Erdogan ose kishte mundësi ta humbte marrëveshjen me Turqinë që premtonte zbutjen e krizës së refugjatëve. Me marrëveshjen midis Bashkimit Europian dhe Turqisë, Ankara është pajtuar t’i  pranojë refugjatët e kthyer nga Greqia në shkëmbim të një ndihme  të shtuar dhe rihapja e bisedimeve për pranimin e Turqisë në BE.
Z-ja Merkel lejoi që çështja të procedohet. Tashti shtrohet pyetja,  cila do jetë kërkesa e ardhshme e  Z. Erdogan – ose të ndonjë pushtetari  tjetër të  inatosur.
Z-ja Merkel mund të thotë se e ka zgjedh të keqen më të vogël nga dy të këqijat politike, se vërshimi pa pushim i refugjatëve ishte duke e rrënuar Bashkimin Europian dhe se çdo gjë që bëri ishte që ta pastrojë rrugën për gjyqet Gjermane që të përcaktojnë nëse satiristi Jan Böhmermann duhet të ndiqet penalisht, sipas një ligji të vjetër kundër  ofendimit të udhëheqësve të huaj. Z. Böhmermann, një komedian dhe mysafir në një ‘talk show’ natën-vonë, këtë e ka bërë qëllimisht më 31 Mars ku ka transmetuar një poemë, ku thuhet se Z. Erdogan bën seks me kafshët dhe “i shkelmon  Kurdët dhe i rreh të Krishterët derisa shikon porno me fëmijë”.
Halli është se, Z.Erdogan jo vetëm se është kundër një komediani të zymtë; ai gjithashtu ka kërkuar që Kryesuesja e qeverisë Gjermane ta pranojë publikisht pretendimin e tij se është gabim që të tallet me të. Për Z. Erdogan satira nuk është çështje humori; sipas ministrit të drejtësisë së Turqisë, 1845 raste janë hapë kundër njerëzve që akuzohen  për shkeljen e ligjit kundër ofendimit të kryetarit. Dënimi i ashpër është i rëndësishëm për dëshirën autoritare të Z. Erdogan, dhe tashti ai mund të thotë se Perëndimi e pranon legjitimitetin e qasjes së tij.
Liderët si Z. Erdogan, Kryetari Vlladimir Putin i Rusisë dhe Kryetari Xi Jinping i Kinës gjithë e më shumë kërkojnë që sundimet e tyre autokratike nuk duhet të shihen vetëm si legjitime por edhe si efektive – dhe kërkojnë që ky vullnet i tyre të rritet ashtu që ata të bëhen më të pushtetshëm.
Por liria për t’i parodizuar liderët politikë – ose fetarë, si në rastin e Charlie Hebdo – është njëra nga dallimet thelbësore midis demokracive liberale dhe shteteve autoritare. Liria e shprehjes nuk mund thjeshtë të negociohet me autokratët, diktatorët dhe me kabadaitë. Z-ja Merkel është lavdëruar me të drejtë për gatishmërinë e saj për të pranuar një numër të madh refugjatësh në Gjermani. Ajo ka të drejtë ta kërkojë ndihmën e Turqisë për zgjidhjen e krizës, meqë pa Turqinë nuk ka zgjidhje. Por ajo duhej t’i bënte qartë Z. Erdogan se liritë Perëndimore nuk janë në tryezën e bisedimeve.

New Yotk Times. Përktheu: Sh.Islami