Blendi Fevziu: Shqipëria, Kosova dhe kombi!

blendi fevziu1

Blendi Fevziu

 

Ka mjaftuar një deklaratë e Kryeministrit Rama në Beograd dhe një replikë indirekte e Ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj që debati mbi raportet Shqipëri – Kosovë të kthehet në një sport që po tentojnë ta aplikojnë të gjithë. Të njohur e të panjohur, me njohje historike apo jo, me citime të vërteta apo të tilla që nuk kanë ekzistuar kurrë; me ndjesi personale dhe me qëmtime që në çdo rrethanë tjetër do konsideroheshin thjeshtë çikërrima dhe asgjë më shumë; në portale apo në rrjete sociale. I vëmenshëm për këtë temë doja të vijoja më tej një bisedë të hapur nga Berat Buzhala meqenëse ai i drejtohet gazetarëve nga Tirana.

E para, këtë debat e konsideroj të rëndësishëm dhe jo një debat për klikime, protagonizëm apo thjeshtë për t’i shërbyer politikës nga kjo apo ajo anë e kufirit.

Për fat të keq debati është kompleks dhe ngërthen shumë çështje që zoti e di se si qëndrojnë bashkë në këtë raport që duam të sqarojmë sot.

E para, në përgjigje të Buzhalës do të refuzoja që debati të zbresë në pyetjet kush është Rama dhe çfarë bën ai. As në debatin se çfarë bën Isa Mustafa apo Enver Hoxhaj. Nëse ka ndonjë problem me Ramën po bashkohem edhe unë me ju dhe po e kritikoj shumë më tepër qeverisjen e tij në Tiranë. Po qeverisja në Tiranë nuk ka lidhje me deklaratën në Beograd. Tani po vijoj këtu. Në nëntor 2014 kur Rama vizitoi Beogradin dhe përmendja e Kosovës ju quajt si një akt heroizmi dhe frymëzimi, po në gazetën Ekspres është botuar një shkrim i imi, ku them: Rama nuk bëri asnjë heroizëm në Beograd, thjeshtë tha diçka që e dimë të gjithë dhe që sot është realitet. Më poshte keni edhe linkun e shkrimit.

Në atë kohë shtypi i Prishtinës u ngrit njëherazi duke himnizuar Ramën, madje vetë Enver Hoxhaj doli e priti në kufi dhe shtroi drekë për nder të tij, duke e i thurur edhe një tirandë vlerësimi për aktin heroik. Keqkuptimi në këtë rast ishte në Prishtinë dhe jo në Tiranë. Sërish askush në Shqipëri nuk ja quajti heroizëm atë që ndodhi këtë herë në Beograd, por as mëkat. Përkundrazi, vijojmë ta quajmë detyrim të Kryeministrit të Shqipërisë për të folur për shqiptarët jashtë kufijve të saj. Detyrim që i rrjedh edhe nga kushtetuta. Kaq për Ramën dhe politikën dhe s’dua të merrem më me këtë histori.

Problemi është që kjo çështje hapi një debat mbi identitetin, debat që u provokua edhe 2 muaj më parë në momentin që disa futbollistë të ekipit kombëtar shqiptar, me plot të drejtë, vendosën t’i bashkohen ekipit të vendlindjes së tyre. Ky debat i ashpër edhe atë moment, tregon që çështja është përtej Ramës dhe përtej politikës. Meqenëse në portal kam pak hapësirë për një analizë të thellë mbi këtë fenomen po tentoj të jem sa më konçiz.

Që prej 1912 e këtej, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ka qenë ëndërra e çdo shqiptari, kudo që ata ndodheshin. Shteti Shqiptar i nëntorit 1912 u shpall me pjesëmarrjen e delegatëve nga gjithë trojet shqiptare, edhe atyre që Fuqitë e medha i lanë jashtë me vendimet e prillit 1913. Siç tha Ismail Qemali, Shqipëria e u bë e gjymtuar, në limitet e mundësive të saj për të ekzistuar si shtet i aftë të vetëushqehet. Në kujtimet e tij të 1918, Ismail Qemali deklaron se Shqipëria i njohu kufijtë si një kompromis i përkohshëm derisa të fuqizohet dhe një rend i ri botëror të ndreqë një padrejtësi. Ai kishte të drejtë. Në fillim të viteve ’90, rendi i ri botëror solli një tjetër erë për shqiptarët.

Por sërish si pasojë e rrethanave gjeopolitike, shqiptarët e Kosovës folën për një shtet të Kosovës dhe jo për bashkim me Shqipërinë, që do të ishte i pamundur. Jam i sigurtë që nëse të dyja mundësitë do qëndronin në tryezë, shqiptarët do kishin zgjedhur pa asnjë hezitim bashkim. Endërrën e tyre shekullore. Rendi i ri botëror dhe rrethanat sollën në krijimin e Shtetit të Kosovës. Një shtet Sovran, që nuk varet nga asnjë prej vendeve fqinjë e madje as prej fuqive të mëdha. Pikërisht këtu nis një debat që për mua është i papranueshëm. A të çon shteti si formacion politik në krijimin e një kombi me identitet të përcaktuar? Pra a po çon shteti i Kosovës drejt krijimit të një identiteti Kosovar. Unë mendoj se jo. Ne kemi pasur një shtet jugosllav, por kurrë një komb jugosllav; ne kemi pasur një shtet sovjetik, por kurrë një komb sovjetik. Shqiptarët e Kosovës e kanë ruajtur përkatësinë e tyre etnike edhe në Jugosllavi, siç kanë ruajtur kroatët, serbët, ukrainasit, gjeorgjianët dhe shumë kombe të tjera, identitetin e tyre në formacione shtetërore që kanë zgjatur edhe me shekuj. Siç ka ndodhur psh me perandoritë e mëdha që nuk i shuajtën dhe më shekuj dallimet mes kombeve që jetonin brenda tyre.

Nëse një i huaj pyet sot një shtetas të Kosovës se çfarë është përgjigja e tij me siguri është: shqiptar, qytetar i Kosovës. Unë besoj se shqiptarët janë sot në disa shtete, por janë një komb. Nuk dua të bëj teori, por nëse i referohemi tezave të Ernest Ranan – it, ai thotë se:

“identiteti kombëtar është pëlqimi i njerëzve për të vazhduar jetën në bashkësi dhe për t’u ndjerë pjesëtarë të të njëjtit komb”.

A ndjehen shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë pjesë e një kombi? Unë besoj se po! Dhe nuk besoj se gaboj. Nëse zhvishemi nga ky solidaritet që përcakton Renan lindin disa pikëpyetje:

Nëse ka dy kombe, pra një shqiptar dhe një Kosovar, ku duhet të klasifikohen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit? Po ata që jetojnë në Mal të Zi? Po shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Camërisë, cilit komb do t’i përkasin?

Po vijoj me një përcaktim të dytë të kombit, sjellë nga Anderson së fundmi. Ai shprehet se:

“kombet janë ‘komunitete të imagjinuara’ që bazohen në mite dhe simbole.”

Unë i besoj shumë këtij përcaktimi. Por nëse e marrim si të vërtetë, do doja t’ju pyesja, ç‘do bëjmë me mitet tona? Mirë flamurin do të thonë ithtarët e kombit Kosovar nuk e duam se e kemi? Po Skënderbeun si do ta ndajmë? Po Ismail Qemalin? Po Isa Boletinin? Po Naim Frashërin?

Ndërgjegjia kombëtare e shqiptarëve dhe koncepti i kombit është ngjizur kryesisht gjatë Rilindjes kombëtare. Ai qe një proces i gjatë dhe tejet i vështirë. Por një proces për të cilin sot, 150 vjet më pas ne jemi krenarë. Kush po e udhëheq procesin e krijimit të kombit të Kosovës? Isë Mustafa? Hashim Thaçi? Enver Hoxhaj? Identitetet kombëtare ngjizen në shekuj dhe në një process të gjatë dhe nuk i emëron dot kush.

Dhe e fundit, meqë flitet për bashkimin. Unë e di që ai është një proces i vështirë, një process që trazon balancat gjeopolitike dhe që nuk varet nga ne. Madje thuajse nuk varet fare nga ne. Por të thuash sot që me dy shtete jemi më mirë se me një, kjo është absurde. Kjo të kujton Shqipërinë e 1913 – 1915, ku feudalët lokalë u bënë krerë mikroshtetesh me parimin: më mirë i parë në fshatin tënd se sa dyti në qytet. Ju besoni se dy gjysma, pra një trup i gjymtuar 100 vjet më parë, siç e quante Ismail Qemali, është më mirë se një trup i vetëm dhe I shëndoshë? Kjo nuk më ngjan as llogjike dhe as e sinqertë, por thjeshtë demagogji. Ose faktorizim i gjithsecilit në fshatin e tij.

Jam gati ta vijoj më gjatë këtë debat, por koha dhe formati që të imponon portal nuk lejojnë.