Nuk e kanë me Shqipërinë, por me Ramën

prec-zogaj

PREÇ ZOGAJ

Dy vjet më parë, Rama u kthye nga Serbia në Kosovë me tokë për të mbledhur rrugës triumfin e vizitës së tij. Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm, ai që sot ka shprehur më hapur se askush dhe me pak tepri rezervat e tij, i pat dalë përpara krahëhapur për ta shoqëruar në një revistë të pagjasë të admirimit popullor.

Në pikëpamje të entuziazmit, skenat që treguan mediat proqeveritare të Tiranës dhe Prishtinës përkujtonin hyrjen e tankeve të NATO-s në Kosovën e çliruar. Kjo e hyrjes së Ramës nga drejtimi i kundërt pas kaq vitesh ishte shproporcionale sa s’ka dhe papërligjur në raport me zhvillimet historike që kishin ndodhur ndërkohë në rajon dhe në marrëdhëniet e Shqipërisë e Kosovës me Serbinë.

Kishte edhe elementë komiciteti me shumicë. Por, entuziazmi, dashamirësia dhe mirënjohja kosovare u ngrit mbi këto hollësi, duke ia ditur për nder e duke ia marrë për të madh kryeministrit të Shqipërisë që kishte kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kërkesë standarde e Tiranës zyrtare në çdo aulë dhe hapësirë të komunikimit me serbët, që në këtë rast kishte realisht një peshë të shtuar sepse ishte bërë në kryeqytetin e Serbisë. Dy vjet më vonë, skena është krejt tjetër. Vendin e festës dhe idolatrisë për Kryeministrin e Shqipërisë e kanë zënë pakënaqësitë, qëndrimet e hapura kritike ndaj tij. Që kanë ardhur duke marrë trajtat dhe përmasat e një sherri mes dy vendeve e shteteve, siç po thuhet andej-këndej.

Ç’ka ndodhur? Ç’po ndodh?

I pari që duhet të ndalet, të reflektojë, të kërkojë dhe të shërbejë riparimin e shpejtë të gjendjes së krijuar duhet të jetë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Edhe po ta kenë tepruar paksa Prishtinë. Edhe po të mos ketë asgjë për të korrigjuar në vizitën e tij të fundit në Beograd. Sepse është subjekti i drejtpërdrejtë i kritikave apo keqkuptimeve, nëse përdorim një fjalë të butë. Sepse krisja në marrëdhëniet më Kosovën do të ishte e patolerueshme për Shqipërinë si vendi amë. Sepse edhe agjenda e një politike të re me Serbinë, nuk mund të përparojë asnjë milimetër me një Prishtinë të hatërmbetur, të lënduar, të anashkaluar, të distancuar. Lista e këtyre “sepseve” mund të zgjatet dhe unë, në perifrazim të një shprehjeje të Bertold Brehtit, flas këtu për turpet dhe detyrat e qeverisë sime; le të flasim kolegët kosovarë për të tyren. Për fat të keq, Rama nuk ka dhënë asnjë shenjë se po kërkon të kuptojë arsyet e vërteta të këtij “rebelimi”. Përkundrazi!

Ai foli në një mënyrë aspak etike, për të mos thënë ordinere, siç e ka zakon, kur u pyet për artikullin e Petrit Selimit, një zyrtar i lartë i qeverisë së Kosovës që ka shprehur kundërshtimin dhe dyshimet e tij për anashkalimin e Kosovës në një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Serbisë për projektin e një autostrade që kalon nëpër Kosovë! Në vend që t’i përgjigjej pyetjes nëse kishte një përgjigje, Kryeministrit tonë të madh i pëlqeu ta zvogëlonte para gjithë shtypit zyrtarin e qeverisë së Kosovës, duke thënë “nuk e njoh këtë Petrit Selimin… historia do të na gjykojë mua dhe Petrit Selimin, në qoftë se do ta mbajë mend”, një batutë nga lartësia e megalomanisë, ku vetë ai nuk ka asnjë dyshim se do të mbahet mend përgjithmonë nga historia, kurse tjetri jo!

Mënjanë sarkazmën, qeveria shqiptare e ka për detyrë të japë shpjegime për marrëveshjen e shumëpërfolur me palën serbe në të cilën, sipas kopjes së botuar pardje në mediumet e Kosovës, Shqipëria dhe Serbia kanë rënë dakord të avancojnë së bashku pranë BE-së ndërtimin e një autostrade dhe hekurudhë, që lidh dy vendet dhe që kalon detyrimisht në territorin e Republikës së vijon nga faqja 1 Kosovës. Nëse është kështu, nëse një marrëveshje që duhej të ishte trepalëshe, është reduktuar në dypalëshe, nëse është anashkaluar e injoruar qeveria e Kosovës ky do të ishte një skandal politik i përmasave të mëdha nga ana e qeverisë shqiptare.

Pavarësisht se nga pikëpamja praktike një marrëveshje e tillë është nul pa Kosovën, kjo, prapëseprapë, edhe si letër, do të ishte gjithë çfarë ka dashur e dëshiron Serbia: sfumimin dhe lënien sa më shumë mënjanë të Kosovës si palë dhe shtet i pavarur, duke e mbajtur në evazivitetin e një territori të humbur, për shkak të një koniunkture ndërkombëtare, që në Beograd kanë dëshirë ta konsiderojnë të përkohshme! Në këtë kontekst, Serbisë i intereson që Shqipëria të mbulojë edhe Kosovën, si të kishte një prokurë përfaqësimi prej saj. Veç kësaj, qeveria shqiptare duhet të sqarojë nga pikëpamja e saj çështjen e mospjesëmarrjes së Kosovës si palë në forumin ekonomik të Nishit. Ka zëra se Serbia ka shpikur kushte për ta pamundësuar këtë. Është e pakuptueshme që, ndërsa funksionin dialogu Beograd-Prishtinë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve ka bërë hapa përpara, Kosova mungon në një forum si ai Nishit. Qeveria e Tiranës nuk duhet të lejojë apo të mbulojë me praninë e saj “të pafajshme” as skenarët përjashtues, as shkopinjtë në rrota për qeverinë e Kosovës.

Ky sqarim duhet bërë me urtësi, jo për të nxitur edhe më tej grindjen mes qeverive, por për të nxjerrë mësime në funksion të mbështetjes së ndërsjellë. Në qoftë se qeveria jonë e ka anashkaluar dy herë Kosovën, askush nuk duhet të çuditet me reagimet që vinë nga Prishtina. Në të kundërtën, Tirana duhet të veprojë me urtë- si dhe shpejtësi për kapërcimin e ngërçit. Por reflektimi i Ramës nuk duket se po shkon në këtë drejtim. Ai ka dëshirë të besojë se tensioni i krijuar ka si shkak xhelozinë ndaj tij si lider rajonal, frikën e politikanëve të Kosovës se mosprotagonizmi i tij po i eklipson ata, tendencën e disa individëve dhe grupeve për t’i mëshuar idesë se një identiteti kosovar e plot arsye të tjera kësisoj, më të cilat përkëdhel egon dhe pagabueshmërinë e tij.

Nuk e përjashtoj se dikush mund të jetë xheloz, që dikush mund të ketë frikë, se dikush po shfrytëzon rastin për të promovuar vagëllimthi një identitet kosovar që në këtë moment unë nuk e kam të qartë çfarë është. Por të gjitha këto nuk do të mjaftonin për të modeluar një mendim dhe një qëndrim kritik me peshë, si ai që ka pasuar vizitën e fundit të Ramës në Beograd. Kam lexuar disa nga artikujt e shtypit kritik të Prishtinës. Nuk e kanë fare me Shqipërinë, me flamurin, me ndarjen, e tjerë e tjerë. Dhe as besoj se do ta kenë ndonjëherë. Jetojmë në vetëdijen e të qenit një racë, një komb, vetëdije e cila qëndron mbi gamën e diversiteteve që i kemi më të vogla se të disa kombeve të tjera. Nuk e kanë me shkuarjen e Edi Ramës në Beograd, madje nuk e kanë me paternalizmin kur paternalizmi i Kryeministrit të vendit amë avancon interesa reale në të mirë të Kosovës dhe kombit. E kanë me gabimet e Ramës, ashtu siç i shohin ata, duke i analizuar jo rrallë në optikën e një profesionalizmi të vërtetë. Një shembull i qasjes sipërfaqësore të Ramës është cekja e temës se pajtimit, një temë e dijeve të gjera dhe ndjeshmërisë së thellë, me të cilën janë marrë mendje të ndritura si Hegeli, apo Zhak Derrida në kohët moderne.

Në stadin e sotëm të bashkëpunimit Serbi-Kosovë është e drejtë të flitet për pajtimin dhe faljen. Kjo kërkon kujdes dhe finesë të madhe për të mos provokuar viktimat e dhunës dhe gjenocidit serb në Kosovë, familjet e të zhdukurve, ndërgjegjen qytetare dhe kombëtare shqiptare. Askujt nuk i mohohet e drejta të flasë, por Shqipëria dhe Kosova presin, në të drejtën e Zotit, që për pajtimin dhe faljen të fillojnë të flasin të parët serbët, pra pala që e mban në trashëgiminë e saj ushtrimin e dhunës dhe gjenocidit dhe jo pala që e ka pësuar atë. Kjo është një çështje sa e dinjitetit, aq edhe e vërtetësisë që duhet të ketë pajtimi. Serbia e sotme nuk është Serbia e Millosheviçit. Qeveria e Kryeministrit Vuçiç mund të mos jetë akoma e gatshme të kërkojë falje për krimet e regjimit millosheviçian, por ajo duhet të bëjë të sajën për gjetjen e të zhdukurve nga popullsia shqiptare e Kosovës dhe kurimin e plagëve të tjera që ka lenë ai regjim. Gjestet flasin vetë. Edhe mungesa e tyre flet vetë.

As Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që ka një rol protagonisti në gjithë vargun e ngjarjeve politike, ushtarake dhe diplomatike që kanë prodhuar pavarësinë e Kosovës dhe skenën e sotme të paqes në rajon, nuk i lejohet të flasë shkel e shko për pajtimin në funksion të axhendës së tij personale. Aq më pak Kryeministrit të Shqipërisë që e ka gjetur të gatshme këtë skenë dhe duhet të jetë akoma më i matur kur merr përsipër të hapë tema të tilla. Jo se e ka të ndaluar. Por me radhë, pa atë maninë e tij për të bërë shfaqje, për të rënë në sy. Sidomos plagët nuk e durojnë këtë sjellje. Pajtimi dhe falja janë tema të një brishtësie të mrekullueshme. “Pëpiqem të mbërrij në pikën ku, nëse ka pajtim apo falje, ajo duhet të jetë e fshehtë, e tërhequr, e pagjasë dhe pra e brishtë”, thotë Derrida. Me fjalë të tjera, një pajtim në kujtim, në homazh dhe në lot, pse jo, për të gjithë ata që janë në mes të këtij akti me plagët dhe kujtimet e tyre. Kosova është një shtet i pavarur. Ajo nuk mund t’i aneksohet megalomanisë së askujt, kësaj forme perverse të paternalizmit.

Kritikat që vinë nga Prishtina meritojnë të konsiderohen më vëmendje, urtësi dhe tolerancë në Tiranë. Përshirë pohimet e Presidentit Hashim Thaçit, që u investua në mënyrë të lavdërueshme në emisionin “Opinion” për uljen e tensioneve, pa i mohuar arsyet që e kanë ushqyer dhe e ushqejnë atë. Duke ia hedhur topin në këtë rast Kryeministrit të Shqipërisë. Rënia e lirë është trajektorja e shumicës së premtimeve dhe fillimeve të këtij kryeministrit. Kjo e ekzibicioneve në Beograd nuk mund të bënte përjashtim dhe nuk është dhe aq shqetësuese, ç’është e drejta, sepse skena rajonale lëviz në logjikën e integrimeve euroatlantike. Por do të ishte shqetësuese dhe shumë e dëmshme kur në këtë kurbë futen edhe marrëdhëniet e Tiranës me Prishtinën.