Ora e Kombit: Elisa Spiropali fton per votim te reformes ne drejtesi

Reforma-ne-drejtesi_1

Ora e Kombit

Elisa Spiropali

ELISA SPIROPALI

Më 1444, më 1878, më 1912, më 1990, me respektivisht Besëlidhjen e Lezhës, Lidhjen e Prizrenit, shpalljen e Pavarësisë, shembjen e diktaturës, shqiptarët bënë punën e mirë në kohën e duhur. Shqiptarët, jo një herë, në momentin e punës së mirë kanë bërë dhe punën e keqe.Për të sjellë vetëm një shembull, se lista është e gjatë, një nga më të tmerrshmet punë të këqija që kanë bërë shqiptarët është ajo e ’97- s, kur rrafshuan dhe shthurën gjithë ç’kishin ngritur dhe thurur gjatë pothuaj një dekade. Por pavarësisht se ç’bënë e ç’nuk bënë e si e bënë, e vërteta është se, si në përgjithësi ndodh me vendet e vogla ku individët janë shumë më tepër soditës se përcaktues të fatit të vetes, shqiptarët e pakët e Shqipërisë së vogël dhe të varfër nuk i kanë pasur të shpeshta rastet historike kur për fatet e tyre mund të vendosnin vetë.Sot, rastin për ta vendosur vetë fatin e tyre, shqiptarët e kanë; është aprovimi i Reformës në Drejtësi. Duhet theksuar si tepër e rëndësishme, se aprovimi i kësaj Reforme nuk është e vetmja punë që kemi përpara. Është shumë më tepër. Është e vetmja portë nga duhet të kalojmë për të bërë të tjerat punë. Po e votuam, do të vazhdojmë normalisht begatimin shpirtëror dhe material. Po nuk e bëmë, do të jetë mosveprim historik irracional kontraproduktiv i pashembullt.

Nuk do të ngecim, që do të ishte më e pakta, por do të bëjmë rrugë mbrapsht, dhe turpi do të bjerë mbi ne, askush nuk do të na e falë, asnjë justifikim nuk do të mund të jetë i besueshëm. Drejtësinë, atë që do të duhej ta kishim më të drejtën, e kemi më të shtrembrën.

Me këtë Drejtësi kaq të shtrembër nuk futemi dot as në Antarktidë, e jo më në Europë. Votimi i Reformës është prioritet absolut që duhet kryer një minutë e më parë. Nuk ka shteg tjetër për të dalë nga prapësitë që na kanë mbuluar. Mosvotimi i Reformës nuk është gabim i thjeshtë që fshihet me gomën e nxënësit gjatë mësimit të Abetares.

Është gabim i përsosur, praktik, teorik, kombëtar, intelektual, patriotik. Gabim që po e bëmë, do të ketë një produkt të vetëm, një pasojë të vetme; turpin kombëtar me rrjedhojat e hidhura përkatëse vështirësisht të riparueshme. Sado energjik, një popull nuk mund të begatohet e përparojë pa ligj, rregulla, norma. Përpjekjet individuale, sado të mëdha, mbeten të parealizuara, të pamundura, nuk përkthehen në zhvillim kolektiv.

Në një kaos si ky, e mira tkurret, e liga zgjerohet, shtrihet, ekonomia bëhet anemike, krimi gjallërohet dhe kapilarizohet. I paburri burrërohet, shpifësi ngrefet, punëtori ligështohet. Përmbysja e vlerave sjell pasiguri, frikë, pakësim të investimeve, dekurajim të nismave, ndrydhje të energjive. Në këto kushte, fijet që e lidhin vendin me të keqen janë të shumta dhe të forta. Klanizmi, tribuja, mafia mpleksen dhe realizojnë prapësira të pashkulshme që nuk lejojnë vendin të begatojë.

Këto dhe të tjera janë arsye pse Reformën duhet ta votojmë urgjentisht. Nuk kemi absolutisht asnjë arsye të mos e votojmë. Kjo reformë nuk është me rëndësi historike, sepse na kërkohet nga partnerët SHBA e BE dhe po nuk e bëmë, nuk do të na marrin seriozisht etj. Kjo nuk është reforma e tyre.

Ata vetëm na ndihmojnë. Kjo është reforma jonë, reforma që na duhet ne, guri i themelit, zanafilla e ndryshimeve të ardhshme të qëndrueshme, harmonizimi i përpjekjeve individuale dhe kolektive, thyerja e guaskës së autoritarizmit të verbër të të pushtetshmëve për ta demokratizuar më tej vendin në mënyrë të pakthyeshme, garancia se si popull dhe superstrukturë politike mund të punojmë, ndërtojmë, prosperojmë.

Opozita nuk ka më asnjë arsye të mos e votojë Reformën. Me votimin me 2/3 në Kuvend justifikimi i fundit i Opozitës ka rënë. Drafti i Komisionit të Posaçëm i Reformës në Drejtësi përgatitur në 1 vit e gjysmë është konsultuar hollësisht me ekspertë vendas dhe të huaj. Ky draft, veç tjerash, plotëson kushtin themelor të heqjes së paprekshmërisë së klaneve politike. Votimi do të provojë sa seriozë jemi, sa aftësi shtetformuese kemi. E kundërta, mosvotimi i Reformës do të jetë një kthim mbrapa, një largim nga familja jonë natyrale, Europa.

Nëse kjo do të ndodhë, do të bindim përfundimisht dynjanë se çfarë dinë të bëjnë shqiptarët, është të mbjellin hashash, të hanë mish nëpër restorante, të venë në stadium për t’u zbavitur, të ikin në plazh për t’u nxirë. Momenti është aq delikat sa po dëshmuam se këtë votim nuk e bëjmë dot, me Shqipërinë dhe shqiptarët nuk do të merret më askush, do të na harrojnë. Kombi nuk është i parathënë. Kombi nuk krijohet njëherë e përgjithmonë. Kombi jo vetëm lind.

Nëse individët që e përbëjnë për Kombin nuk kujdesen, Kombi vdes. Çdo komb ka orët e veta. Orën e tragjedisë, orën e komedisë, orën e luftës, orën e paqes, orën e hutimit, orën e gjumit, moskuptimit, çorientimit.

Ora ku ndodhemi nuk është ora e ngrënies së drekës, gjerbjes së kafesë, apo pirjes së çajit pasditës. Kjo Orë është Ora e së Vërtetës, është Ora e Kombit. Që po nuk e shfrytëzuam, do të bëhet Ora e turpit. Të mos e lëmë Orën e Kombit të na shndërrohet në Orë të vdekjes. Votojeni Reformën.