Perëndimi ta bombardojë Korenë e Veriut me kapitalizëm

Simon Jenkins

Faleminderit Kore e Veriut! Raketa e hedhur sot në Paqësor përmbi Japoni demonstron qartë dështimin më të madh të diplomacisë në kohët moderne. Një tjetër raketë bën “plluq” në Paqësor. Nuk vdiq askush, nuk u pushtua asnjë territor, nuk u bë asnjë kërkesë kërcënuese. Ishte vërshëllima e zbehtë e një shpate të vjetër që kishte për synim një gjë: të poshtëronte perëndimin lehtësisht të pashterueshëm. Këtë bëri.

Koreja e Veriut po shkatërron dy armët më të padobishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, abuzimin verbal dhe sanksionet ekonomike. Dënimi i kotë i Phenianit nga Uashingtoni, Londra, OKB-ja, madje edhe nga aleatët e tij, Rusia e Kina, duket që po e çon në ekstazë kënaqësie sunduesin e keq Kim Jong-un. Ai shpërthen bomba, hedh ndonjë predhë në det, e pastaj ulet në kolltuk e sheh shtetet e fuqishme të botës teksa shpërthejnë në zemërim të pafuqishëm. Miu ulërin pa pushim.

Teza se sanksionet tregtare mund të ndryshojnë për mirë politikën e diktaturave primitive është budallallëk i madh. Faktet për më tepër se 50 vjet kanë treguar se ato varfërojnë, izolojnë, fosilizojnë, fusin në llogore dhe zgjasin diktaturat. Shpërblejnë rrethin e brendshëm të tyre dhe dëmtojnë të varfrit jashtë tij. Kjo është vërtetuar me praktikimin e sanksioneve kundër Kubës, Irakut, Iranit, Afganistanit, Zimbabvesë, Birmanisë (Mianmar), Libisë, Rusisë e shumë të tjerave. Sanksionet zgjatën me një dekadë sundimin e të bardhë në Rodezinë e dikurshme (Zimbabveja e sotme) dhe në Afrikën e Jugut.

Gjëja më e mirë që mund të bëhet me Korenë e Veriut është thjesht ta injorosh. Ajo nuk ka asnjë interes të bombardojë me të vërtetë Japoninë apo Amerikën dhe, nëse e bën, do të ishte vërtet vetëvrasje. Nëse Perëndimi dëshiron vërtet të sjellë ndryshime në Korenë e Veriut, atëherë duhet ta bëjë nga brenda. Duhet ta bombardojë me tregti, ta kalbë me kontakte, të korruptojë e blejë aparatin e saj dhe familjet e tij, të shkëmbejë studentë, ta mposhtë me kapital. Duhet të favorizojë grupe pushteti alternative karshi monolitit ushtarak, siç po ndodh ngadalë në Kinë. Armiku i diktaturës komuniste nuk është gjuha pompoze por kapitalizmi. Ndalni luftën verbale dhe provoni paqen ekonomike. Kjo ishte ajo që Barack Obama nisi të bënte në Iran e Kuba e që Donald Trump po përpiqet të ndalë.

Ndërkaq Kina mund të relaksohet teksa fëmija i saj i adoptuar e përshkruan gjendjen paranojake të Amerikës si një tigër prej letre pothuajse çdo javë. Ajo e di që as Trump nuk do ta zhdukte Korenë e Veriut thjesht për vringëllimë shpate në ajër. Koreja e Jugut dhe Japonia mund të vazhdojnë me biznesin, ndërsa diplomat perëndimit mund të gjejnë sinonime më të frikshme për “e papranueshme”. Për aq kohë sa sundon budallallëku, Kim Jong-un do ta shohë buzëqeshjen e vet në çdo faqe të parë./The Guardian