Prokurorja Katica Janeva për Financial Times: Nuk na ndal askush

Specijalno-obvinitelstvo-katica-janeva-lence-fetai-24-Custom-520x347

Gazeta me nam “Financial Times”, e paraqet prokuroren speciale si luftare kundër ryshfetmarrjes politike, e cila vjen nga një qytezë dhe shkund elitën politike. Në tekstin me titull: “Luftarja nga një qytezë e shkund elitën e Maqedonisë”, gazeta e përditshme e përshkruan prokuroren speciale si “kamxhik për elitën ryshfetmarrëse të Maqedonisë dhe si ikonë e pazakonshme e protestave në kohën e krizës politike”.
Sipas FT, “puna e Janevës është t’i ndjek figurat e mëdha politike të akuzuar për vjedhje të votave dhe për shfrytëzimin e shërbimeve të fshehta për qëllime partiake”, por edhe se falja e kryetarit në të vërtetë i përjashton hetimet “Titaniku” dhe “Kështjella”.
“Financial Times” e citon një diplomat të huaj, i cili bën me dije se faljet e kryetarit tregojnë se Janeva është bërë shumë e rrezikshme.
Prokurorja Janeva thotë: “Nëse kryetari synon të vazhdojë me faljen e njerëzve të akuzuar, atëherë do jetë shumë i zënë me punë, sepse ne nuk do ndalemi”:
Prokurorja Speciale përballet me pengesa të mëdha, mes të cilave edhe me sigurimin e dëshmitarëve, nga të cilët shumica frikohen që të bashkëpunojnë për shkak të mbikëqyrjes së shtuar. “Kjo mund edhe më shumë të vështirësohet,  pasi që dëshmitari Kosta Kërpaç vdiq pasi ishte qëlluar në gjoks”, shkruan FT.
Gazeta Londineze shkruan se Janeva si prokurore speciale është hedhur në epiqendrën e vorbullës që e kaploi Maqedoninë. Puna e saj është t’i ndjek figurat e mëdha  politike të akuzuara se kanë vjedhur votat e qytetarëve dhe i kanë shfrytëzuar shërbimet sekrete për qëllime partiake.
“Vazhdimisht e përkrahur nga dy prokurore – një kontrast i habitshëm për skenën politike të Maqedonisë, të cilën e mbizotërojnë burrat – ajo e kundërshton kryetarin me ngritjen e disa hetimeve të reja, shkruan Financial Times.
Gazeta zbulon se,  në fillim qarqet e drejtësisë shikuakan me mosbesim prokuroren e panjohur nga Gjevgjelia, e cila duke buzëqeshur llafoska me reporterin e FT dhe i ka zbuluar dashurinë e saj për TV seritë me muzikë siç është “Iks Faktor”.
“Por, thonë se, shumëkush e ka nënçmuar aftësinë e saj se do ta fitojë përkrahjen e publikut. Para një kafeneje dy tinejxhere vrapuan që t’i kërkojnë autograf. Njëra nga vajzat e reja tha se,  në këtë shtet ajo është si Beyonce”, ka shkruar raportuesi i Financial Times në tregimin e tij nga Shkupi.
Gazeta shkruan se, Janeva  pasi i ka shpallur rastet “Titaniku” dhe “Kështjella”, është përballur me sulme personale, mbyllje të institucioneve, ndërsa të Mërkurën një dëshmitarë kyç është qëlluar për vdekje në gjoks në banesën e vet në Shkup.
Një diplomat i perëndimit ka deklaruar për “Financial Times”: “Falja e parakohshme e kryetarit tregoi se Janeva është bërë tepër e rrezikshme”.
Për akuzat e kryetarit se prokuroria e saj është keqpërdorë për të fituar pika politike, ajo përgjigjet: “Nuk ua varrë veshin vërejtjeve të tilla. E bëj punën time”. /Burimi: TV Nova/