Pse asht gabim me perdore futbollin per me shite alkohol!

Mimi-Barushi

Mimi Barushi*

 

Reklamimi i pijeve alkoolike në çdo ngjarje sportive, në çdo ekran që transmeton ndeshje apo në bluza dhe uniforma sportistësh, e redukton sportin në diçka shumë më pak se çka ai synon të jetë, shkruan Barushi.

 

Euro 2016 ka filluar, dhe është një nga kampionatet më të mëdhenj në historinë e turneve; ka më shumë ekipe – për herë të parë Shqipëria po merr pjesë; me më shumë ndeshje, më shumë vizitorë, konsum dhe përfitim më i lartë nga aspekti i biznesit; do të zhvillohet në më shumë qytete se ndonjëherë. Megjithatë, ne kemi të njëjtën mënyrë ta festuar sportin. Rëndom vëmë re se industria e alkoolit është sponsor gjeneral; njerëzit pinë para – gjatë – pas ndeshjes, nuk është shumë e rëndësishme nëse ekipi i preferuar humbet ose fiton, ti pi për të festuar, ose pi për të kaluar hidhërimin e humbjes, kjo është kultura që na është imponuar nga industria e alkoolit; konkurse të ndryshe me në bazë konsumin e alkoolit publikohen dhe njerëzit bëhen pjesë plot entuziazëm, disa qendra qytetesh janë kthyer në “Euro 2016 Fan Zona” ku shikuesit mund të shohin ndeshjen në ekranet e mëdha dhe të konsumojnë birra. Konsumimi i alkoolit përkrah ndjekjes së sportit është ngulitur fort edhe në kulturën shqiptare.

Në vitet e fundit vihet re se sporti është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të rriturit, por edhe më shumë për fëmijët e të rinjtë. Futbolli vazhdimisht dërgon shumë mesazhe, të cilat janë të mirëpritura kryesisht, por është e pamohueshme se futbolli është i lidhur tashmë indirekt me alkoolin dhe mesazhet e transmetuara përmes marketingut të alkoolit nuk janë ato që ne do të donim të përballen me fëmijët dhe të rinjtë. Një numër studimesh kanë treguar një lidhje të afërt në mes të marketingut të alkoolit dhe sjelljeve të të rinjve. Të rinjtë, sidomos ata të cilët kanë treguar shenja të problemeve të lidhura me alkoolin e varësi, janë veçanërisht të pambrojtur ndaj marketingut të alkoolit, duke formësuar qëndrimet, perceptimet dhe pritshmëritë në lidhje me përdorimin e alkoolit e cila më pas të ndikojë në vendimin e tyre për të pirë.

Ekspozimi i madh ndaj reklamave të alkoolit kontribuon në rritje të përdorimit të alkoolit në mesin e të rinjve. Për çdo dollar shtesë për frymë të shpenzuara në reklamat e alkoolit në një treg lokal (mbi mesataren kombëtare prej 6.80 $ për frymë), të rinjtë konsumojnë 3% më shumë. “

– “Të rinjtë të cilët shikojnë më shumë reklama të alkoolit pinë më shumë se mesatarja, dhe për çdo reklamë shtesë numri i pijeve të konsumuara rritet me 1%.”

Marketimi i alkoolit në hapësirat publike është përndjekës dhe inkurajon padrejtësitë sociale, gërryen aftësinë ripërtëritëse dhe minon qëndrueshmërinë e komuniteteve. Kompanitë e alkoolit kanë qenë të prirura ta lidhin veten me imazhin pozitiv dhe të shëndetshëm të sportit, por është shumë e vështirë që të bashkosh potencialin e futbollit për të krijuar dhe promovuar jetesën e shëndetshme me sasinë e marketingut, alkoolit të lidhur me të. Marketing i tillë shfaqet në nivele te ndryshme, duke përfshirë reklama televizive dhe reklamat e afishuara në ambientet e hapura, sponsorizimet, birra ‘zyrtare’ të klubit dhe stadiumit. Si për shembull, kur mendoni për Champions League, ju gjithashtu mendoni për edhe për Heineken. Ndikimi i alkoolit mund të shihet lehtë në lajmet që vijnë nga Franca dhe të gjitha diskutimet për të ndaluar përdorimin e alkoolit atje.

Përveç diskutimeve në lidhje me përdorimin e alkoolit dhe marketimit të tij, disa ditë para se të Euro 2016 të fillonte, një debat i madh shpërtheu në pothuajse të gjitha mediat sociale dhe portalet e Shqipërisë. Ndërsa Kombëtarja e Shqipërisë po trajnohej në Austri, para fillimit të fazës finale të Euro 2016, mbrojtësi Mërgim Mavraj injoroi kontratën dhe refuzoi të veshë fanellën me logon e “Birra Peja”, sponsorit gjeneral të ekipit. Vendimi për të mos veshur t-shirt buroi nga bindjet e tij të forta fetare, prej të cilave ai nuk e konsumon dhe promovon alkoolin. Në përgjigje të veprimit të Mavrajt, kompania ka prodhuar birrën pa alkool, ka veshur Fan Zonat me banerat e Peja Zero dhe e ka marketuar thuajse në të njëjtat nivele si birrën e tyre me alkool.

Reagimi i Mavrajt u bazua në fe dhe do të ishte e volitshme te jepej një sfond i shkurtër për këtë temë, duke pasur parasysh gjithashtu që jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit: qasja holistike e Islamit për shëndetin dhe mirëqenien do të thotë se çdo gjë që është e dëmshme apo kryesisht të dëmshme, është e ndaluar. Prandaj, Islami merr një qëndrim pa kompromis ndaj alkoolit dhe ndalon konsumin e tij në sasi të vogla e patjetër të mëdha. Edhe nëse do të konsultojmë shkrimet e shenjta të të gjitha religjioneve më të përhapura dhe besimeve të njerëzimit, do të kuptojmë që ato kanë marrëdhënie jo miqësore me alkoolin, të cilat herë-herë mbivendosen edhe janë të dallueshme, por ajo çka i lidh të gjitha ato është mosmiratimi i konsumit të alkoolit, konsumit të veçantë e tepruar, sepse ai ndërhyn me të kuptuarin racional të realitetit, vetëdijes dhe përgjegjësisë individuale. Gjithashtu, në shkencë (mjekësi, biologji, psikologji, antropologji etj.) përdorimi i stimujve për të krijuar realitete paralele shihet dhe trajtohet si një shqetësim i madh në funksionimin e individit njerëzor.

Akti i Mërgimit konsiderohet si një akt i drejtpërdrejtë i lirisë, forcës dhe pavarësisë dhe në saje të tij ka pasur shumë pyetje, analiza dhe komente që u ngritën në sipërfaqe. Ndeshjet e futbollit duhet të jenë ngjarje familjare e miqësore, ku fëmijët nuk janë të ekspozuar ndaj dëmeve të mëpastajme në jetën e tyre të lidhura me marketimin e alkoolit në këtë moshë. Çfarë do të ndodhte në qoftë se ne të gjithë qëndrojmë për atë që besojmë dhe të mbështesim më shumë ata që janë duke u përpjekur shumë për të bërë mjedisin tonë më të sigurt, më të qetë dhe më përfshirës?

*Presidente e “Active – Sobriety, Friendship, Peace”