Qysh Ali Ahmeti e Gruevski hapin Universitet Tallava

dsc_7319

shaqirislami

Shaqir Islami

 

Dikur qitnim flakë për një universitet në gjuhën shqipe! Duhej derdhur gjak për ta themeluar USHT’në. Pastaj u themelua ‘Shtuli’. Ndonëse, USHT ende nuk arriti të shndërrohet në universitet përnime, ja që zadruga-zullumqare Nikolla&Alia na shpërblen me një universitet-tallava. Por, që të jetë ironia edhe më e madhe, po këta dy namqorë na e shpërfytyruan arsimin dhe edukimin e rinisë, duke i shndërruar në makineri votash dhe nuk lënë as U’në nga universiteti; tani me një nxitim të inatshëm, brenda disa javësh na e hapin edhe një universitet me një lehtësi të padurueshme, të shprehem si Kundera, sikur janë duke hapur ‘trafikë cigaresh’ ose ‘pilarë’.

Çfarë do të thotë pushteti autoritarë! Ky gjest politik i “dy ortakëve të zadrugës-zullumqare flet qartë se çfarë budallaqishë kanë ndodhur në këtë dekadë të sundimit-kalamajsh. Këta s’mërziten fare për demokracinë!

Më vjen keq që e kanë pagëzuar me emrin e Nënë Terezës së Shenjtë. Ky Përdorimi i emrit të saj në këtë hile është ofendim i radhës ndaj nesh. Bile ta kishin pagëzuar ‘Universiteti i Dasmaxhive të Zajazit’ do t’i kishte hije kësaj hileje ofenduese. Ndërsa skenaristi i hiles, duket se na e njeh mirë psikologjinë kolektive. Ky akt përbuzës, qysh në nismë u lëshua si një tullumbace shakaje të Një Prillit.

Në këtë situatë krize politike, ku janë shembur shteti dhe demokracia, ky nxitim inatqar flet ashiqare për frikën e Gruevskit nga vota shqiptare. Ky fare nuk i frikohet LSDM’së, por dhihet nga mobilizimi i votës shqiptare, prandaj orvatet që ta copëtojë sa më shumë që të mundet. Por, Rahmetli Arbër Xhaferi pat thënë dikur (s’më kujtohet konteksti) se ‘vjen capi, ke kasapi’. Një ditë zullumqarët përballen me zullumet e bëra, nëse nuk më besoni, lexojeni Dostojevskin e madh.

Unë bëj ftesë publike, mos u ngutni dhe shqyrtojeni mirë dhuratën e helmuar të zadrugës-zullumqare. Çdo gjë që shkëlqen, nuk është flori! Nga kjo dhuratë perverse mund ta helmoni shoqërinë tashmë të sëmurë. Tash për tash fare s’na duhet ky universitet! Edhe ashtu kemi telashe me dy ekzistueset. Kjo zadrugë-kriminale dhjetë vite e diskriminon USHT’në me buxhet qesharak foshnjoresh, tani me këtë akt hileqarë mundohet ta shemb duke i shkaktuar një konkurrent tallava ! Ne kemi nevojë t’i konsolidojmë këta dy ekzistueset, të financohen nga shteti njëjtë si universitetet maqedonase dhe kurrgjë më shumë.

Aktualisht Shqiptarët kanë vetëm një nevojë dhe obligim të madh, me të gjitha forcat duhet ta shembin me votë popullore zadrugën-zullumqare të ortakëve Nikolla Gruevski&Menduh Thaqi & Ali Ahmeti.

Moralin e këtij teksti e shpjegon anegdota nga Vrapçishti: Gjatë komunizmit udbashi Mehmedali Vranjko e paskësh spiunuar mullinxhiun lalën- Gavre kinse e paskësh sharë shtetin. Lalën Gavre shteti e paskësh futur n’ burg. Pasi del nga burgu, një ditë, lala Gavre e lëruaka arrën. Atypari kalon spiuni dhe e përshëndet, sikur nuk ka ndodhur gjë: “Pun’e mbarë oo Gavre”.

Lala Gavre ia kthen spiunit, “o s’më duhet fare kjo pun’e mbara jote o Mehmedali, sa më larg qoftë mbarësia nga ti”.

Shqiptarët pas një dekadë përbuzje, nëpërkëmbje dhe hakmarrje nga banda e Gruevskit dhe dy ortakëve të tij , duhet t’i thonë shkurt-e-shqip: ‘oo Nikollë s’na duhet fare kjo dhuratë e helmuar’.