Qysh e sheh EurActiv Shqipnine: Vend i nji qeverie “të fortë” por qesharake, ku ekonominë e zhvillon droga

shqiperia

Nëse u hedh një sy portaleve orët e fundit, me shumë gjasë do të shohësh thuajse kudo një shkrim të agjencisë EurActiv.

Bëhet fjalë për një reportazh me nota pesimiste për Shqipërinë.

Nëse e lexon një i huaj, sigurisht që do mendojë se Shqipëria është një vend ku nuk mund të shkosh për shkak të krimit, korrupsionit e drogës që ka përmbytur vendin.

A është kështu?

Për këtë mund të debatohet gjatë, por duket e patolerueshme për mediat shqiptare që të thonë se ky shkrim tregon se si na sheh Bashkimi Europian.

Është thjesht një tjetër shkrim nga një platformë, e cila ka më pak lexues edhe se shumica e portaleve në Shqipëri.

Më poshtë disa pasazhe nga shkrimi.

 

-Avioni mbërrin në Rinas. Gjatë kontrollit të pasaportave, dy shqiptarë që sapo janë kthyer nga një konferencë në Vjenë, më flasin për vjedhjen spektakolare të aeroportit. “9 ditë më parë, 3 burra me maska dhe të armatosur kanë grabitur rreth 3 milionë euro nga ky aeroport në 14.45 të pasdites! Ndërkohë, nuk ka asnjë shans për të gjetur paratë, se ato kanë përfunduar në xhepat e peshqve të mëdhenj. Ata që janë arrestuar nga policia po mbahen në burg dhe sipas gjasave do të lirohen shpejt, ashtu siç ndodh zakonisht në Shqipëri!” më thotë Agroni, që është aktiv në shoqërinë civile. “Një grabitje e tillë nuk ka ndodhur në aeroportin kombëtar as në vitin 1997, kur Shqipëria ishte në prag të një lufte civile. Dhe kur i shton kësaj edhe grabitjen prej 7 milionë dollarësh të Bankës Kombëtare në vitin 2014, mendon: Ky është shtet gallate!” thotë Arbeni, student në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. “Mos ua përkthe këtyre miqve tuaj të huaj, se do t’i zerë frika. Këta kanë ardhur për natyrën tonë të mrekullueshme, nuk kanë punë me hallet tona!” pëshpërit Arbeni. Ky moment shënon daljen nga aeroporti edhe hyrjen në botën e çudirave shqiptare. Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri nga 9 korrik deri më 29 gusht, u grabitën tre banka të tjera, një në Vlorë, në jug të Shqipërisë dhe dy në Tiranë, njëra prej të cilave ndodhet në mes kryeqytetit, në pjesën moderne të njohur si “ish-Bllok”, ku mund të vizitohet rezidenca e ish-diktatorit Enver Hoxha.

-Është ora 15:00. Jemi në qendër të Tiranës, bën vapë dhe miqtë e mi duan të bëjnë një dush. Por në këtë orë nuk ka ujë, duke qenë se ardhja e ujit është ende e kufizuar me disa orë në ditë. “Nuk ka ujë? Jemi në 2016 dhe një shtet kandidat për anëtarësim në BE nuk siguron ende një nevojë bazike për qytetarët? Dhe ju doni të zhvilloni destinacione turizmi në këtë vend?” thonë shokët e mi…

Pas drekës së shijshme, porosisim një kafe. “Na falni, po na ikën dritat,” thotë kamarieri. “Mirëseerdhët në Shqipëri!” shton ai duke venë buzën në gaz, duke na dëgjuar të flasim frëngjisht. Mendoj që të shkojmë në fundjavë në Jug të Shqipërisë. Edhe atje ankesa. “Kufizimi i furnizimit me ujë dhe ndërprerjet e energjisë i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm turizmit te ne,” shpjegon Ardiani, një pronar hoteli në Rradhimë, në afërsi të qytetit të Vlorës në jug të Shqipërisë.

-Disa ditë më pas, shkuam në Mat për të eksploruar pjesën veriore të Shqipërisë. Atje takova disa fermerë. “A i patë perimet dhe fruta tona? Ato janë të thata. Si mund t’a punojmë ne tokën tonë, kur nuk kemi ujë? Ne paguajmë çdo muaj që shteti të na sjellë ujë dhe nuk kemi ujë rregullisht”, thotë Muharremi, i cili ka krijuar një rezervuar për ditët e këqija, që është i zbrazur në momentin që flasim. Të paktën, kur shkon në Theth (Veriu i Shqipërisë), mund t’i harrosh të gjitha problemet, sepse koha është ndalur në shekullin e XVI-të. Je thjesht në një botë tjetër. Thethi dhe Valbona janë patjetër dy vendet që duhet të shihen patjetër në Shqipëri.

-“Shqipëria është bërë një vend i kultivimit të Cannabis. Ju mund të gjeni parcela me kanabis në jug dhe veri të vendit. Të gjithë këtu e dinë se zgjedhjet mund të fitohet lehtë nga ata që kontrollojnë paratë e drogës,” shpjegon Dritani, një ish-nëpunës civil në Ministrinë e Brendshme, i cili i frikësohet një përplasjeje mes bandave të drogës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Dhe ai nuk është i vetmi. Dritani flet për një regres të paimagjinueshëm të vendit në katër vitet e fundit. Ai i referohet shembullit të një mësueseje në veri, e cila punonte në një plantacion kanabisi gjatë verës për të fituar para të mjaftueshme për të rritur fëmijët e saj.

“Kryeministri ynë është shumë i zënë duke mbajtur fjalimeve të bukura, duke hapur ekspozita për pikturat e tij në Berlin dhe Hong-Kong, duke tentuar të impresionojë Angela Merkel me shakatë e tij dhe duke paguar 80 mijë dollarë për një foto me Obamën,” thotë Eltoni, shoferi i taksisë. Ai flet për tre shtylla të rëndësishme të një vendi. “Situata e sigurisë është shpërthyese, sistemi shëndetësor është ku thërret qameti dhe sistemi i arsimit është përkeqësuar tepër,” thotë ai. Një telefonatë nga një mik ndërpret bisedën tonë. Ai është përkthyes dhe shoqëron një grup investitorësh turq në një turne nëpër minierat shqiptare. “Nga 30 milionë euro që është kostoja totale e investimit, këta tanët i kërkojnë 5 milionë euro bakshish,” më tregon Bledi në telefon. Ndërkohë Shqipëria ka shumë nevojë për investimeve të huaja.

-Pothuajse çdo 500 metra në Tiranë, ka një lavazh. Te lavazhi i lagjes shoh fytyra të reja dhe pyes, se ku janë djemtë që kam parë vitin e kaluar dhe ato të një viti më parë. “Asnjë prej tyre nuk mund të fitojnë bukën e gojës këtu. Të gjithë kanë emigruar,” përgjigjet Landi, një nga punëtorët. “Nuk ka punë në Shqipëri. Dhe as mos bëj gafë të kthehesh!” shton Beni, punëtor tjetër, i cili dëshiron të largohet nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur. “Qeveria na premtoi vende të reja pune, shërbime mjekësore falas, më pak taksa, shërbime më të mira, por në fund të ditës, nuk mbajti as dhe një premtim të vetëm”, thotë Beni, i cili është përgatitur gjithashtu për të ikur në shtator. Dhe kur unë u shpjegoj atyre, se shqiptarët nuk kanë asnjë shans si azilkërkues në asnjë vend të BE-së, për shkak të marrëveshjeve të nënshkruara me BE-në dhe se Shqipëria konsiderohet si një vend origjine i sigurtë, përgjigjia e tyre është: “Ne do të përpiqemi. Kudo që të përfundojmë, do të jetë më mirë se në Shqipëri”.

Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 85.000 shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së në vitin 2014 dhe 2015 sê bashku. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, statistikat e Eurostat flasin 16.000 aplikime shqiptare. Por këto janë vetëm statistika ligjore. Një burim zyrtar më thotë, se vetëm në Britaninë e Madhe ka rreth 100.000 emigrantë të paligjshëm shqiptarë.