Rama injorant apo në shërbim të mafies?

kajsia

Blendi Kajsiu

 

 

Nuk dua të besoj se kalimi i ligjit të plehrave nga Kryeministri Rama është produkt i kapjes së tij nga mafia e plehrave. Nuk dua të besoj gjithashtu që Rama është një mashtrues ordiner, që e përdori ligjin e plehrave thjesht për të ardhur në pushtet. Ndaj i vetmi justifikim që më mbetet për të kuptuar Kryeministrin tonë është injoranca, ose e thënë shqip padituria.

Me sa duket, Rama nuk dinte se ç’po bënte kur iu kundërvu ligjit të plehrave në opozitë dhe tashmë që erdhi në pushtet, e kuptoi gabimin që kish bërë nga padituria. Nuk është hera e parë që Rama tregon padituri, ose e thënë ndryshe injorancë. Fillimisht iu sul hajdutit Ilir Meta. Madje nxori dhe njerëz në shesh që u vranë duke protestuar kundër korrupsionit metisit.

Më pas e kuptoi që e kish sulmuar Metën kot dhe bëri aleancë me të për të ripjellur Shqipërinë pa korrupsion. Dhe nuk është se Rama mashtroi shqiptarët. Thjesht ai nuk e dinte se Meta ishte i ndershëm. Para kish qenë i paditur, ose injorant. Më pas Kryeministri Rama e mbushi Kuvendin me kriminelë, drogaxhi, tutorë dhe gjithfarë të fortësh që i njihte gjithë Shqipëria. Kur këtyre iu dolën të palarat në shesh, Rama na tha se ai nuk dinte gjë, sepse ata certifikatat e pafajësisë i kishin të rregullta.

Me fjalë të tjera, Rama na tha se i kish zgjedhur kandidatët e tij për deputet në padijeni ose injorancë të plotë. Tani Kryeministri Rama na thotë se ligji i plehrave do na sjellë zhvillim dhe pastërti, duke injoruar argumentet e shoqërisë civile dhe të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), se në një shtet me institucione të dobëta dhe krim të organizuar ndërkombëtar ligji i plehrave është një bombë me sahat.

Në kushtet aktuale ky ligj krijon mundësinë e bizneseve të pista dhe fitimprurëse që nën moton e riciklimit të sjellin mbetje të rrezikshme në territorin tonë. Aq më tepër sot, kur krimi i organizuar dhe droga në Shqipëri po lulëzojnë. Fatkeqësisht Kryeministri Rama nuk është në dijeni të këtij fakti. Ai mendon se krimi i organizuar dhe trafiku i drogës është në rënie dhe se aleanca e tij me Metën ka reduktuar ndjeshëm korrupsionin.

Përndryshe nuk ka si të shpjegohet përse beson se shteti shqiptar është në gjendje të kontrollojë importin e plehrave. Një tjetër shembull që Rama nuk e ka idenë se çfarë po ndodh në Shqipëri. Është thjesht injorant, ose i paditur, përndryshe na duhet të pranojmë që është mashtrues ose i kapur nga krimi. Problemi është se nëse pranojmë që kemi një Kryeministër injorant, se nuk kemi zgjidhje tjetër, atëherë si mund t’i besojmë se ligji i plehrave do na sjellë gjithë ato të mira që na thotë Rama?

Nga e di Kryeministri ynë kaq i paditur se çfarë efektesh do ketë ligji i plehrave? Aq më tepër kur ai nuk di se çfarë po ndodh në Shqipëri. Është i vetmi person që mendon se Meta nuk është hajdut dhe se në Shqipëri ka rënë korrupsioni e krimi. Se po të mendonte ndryshe, as nuk do qeveriste me Metën dhe as nuk do miratonte ligjin e plehrave.