Edi Ramës ia kisha dhanë Çelësin e Beogradit

cedomir_petrovic640

 

Cedomir Petrovic

 

Kontaktet e mia të para me shqiptarët i kam patur që fëmijë. Jetoja me prindërit në rrugën “Vëllezërit Grim”, në Beograd. Përballë nesh, në bodrumin e një shtëpize, jetonin tre vëllezër shqiptarë, Satku, Vehapi dhe Seadi. Ata gjithmonë banonin nëpër bodrume apo kate përdhese. Të tre vëllezërit prisnin dru me një sharrë të vjetër dhe furnizonin bodrumet tona. Hidhnin qymyr, punon hamall, shkundullonin. Nuk kishin turp nga asnjë punë. Ata bënin një jetë modeste, në prag të urisë, por gjithmonë kursenin ca të holla dhe ia dërgonin të afërmve të tyre. Ndonjëherë, gjatë bisedave, “krejt rastësisht”, zinin në gojë teshat dhe të mbathurat e ruajtura shumë mirë, që vazhdonin t’i vishnin. “Provoje këtë Satk, të lutem! E bleva, por gjatë larjes është shkurtuar. Nëse nuk të bën, po shoh mos ia fal ndonjë familjeje që ka nevojë”. “Shiko, këpucët po më vrasin, provoji se ndoshta të rrinë ty më mirë”. Kur niseshim familjarisht me pushime, çelësat e shtëpisë ia linim Satkut.

Por përse atij do të thoni ju? Sepse disa herë ia kishim lënë fqinjëve të afërt dhe gjithmonë, kur ktheheshim, e shihnim se ata kishin ngacmuar sendet dhe plaçkat e shtëpisë. Ndërsa Satku, merrte pluhurat, e ajroste shtëpinë, ujiste lulet dhe kujdesej për to. Asgjë nuk prekej në shtëpi. Shkoja mbrëmjeve tek ata, për Bajram dhe Ramazan. U dërgoja portokaj me porosi të nënës, dhe ata më jepnin bakllava të sapo bërë. Uleshim të katërt këmbëkryq në dyshemenë e mbuluar me qilima lara-lara. Dhomën e kishin të vogël dhe aty flinin të tre, por ama ishte e ngrohtë. Shpesh më jepnin duhan dhe flisnim shumë. Ndihesha mirë dhe i sigurt. Për festën e Shën Kollit vinin ata te ne. Kur vinte dimri dhe niste bora, Satku bënte shkopinj hokeji për të gjithë fëmijët e lagjes. Mirëpo, pas disa vitesh u largua nga Beogradi.

Por u kthye për ditëlindjen time. Ishte bërë pastiçier dhe më solli një tortë që e kishte bërë vetë. Këtë nuk e harroj kurrë! Sa Satkë, Vehapë dhe Seadë kishte në Beograd? Nuk dihet, por ata ishin kujdestarë besnikë të pronave të njerëzve të tjerë. Ata ishin njerëz të besës. Këta janë shqiptarët, ata që tani dëshirojnë të jenë diçka më shumë dhe më të mëdhenj. Këta janë ata që duan të jenë si të gjithë të tjerët, dhe që në fakt janë. Po t’u afrohemi atyre si njerëz dhe ata do të na afrohen. Dallime mes nesh nuk ka dhe nëse krijohen, ato janë vetëm në dëmin tonë. Disa këtu në Beograd thanë se kryeministri Rama, do të kërkonte që atij t’i jepeshin çelësat e qytetit. Këta kishin frikë se ai do të na “kyçte” këtu dhe nuk do të mund të dilnim më.

Ata thanë gjithashtu, se ai në Presheve mund të bëhej pre e ndonjë incidenti dhe më pas do t’i ngrinte shqiptarët kundër nesh. Dhe si do t’ia bënim ne nëse shqiptarët do t’i suleshin Beogradit?! Mirëpo asgjë nuk ndodhi. Edi, me zgjuarsinë e tij të hollë na e mblodhi! Sot, po të kisha mundësi që të zgjidhja se kujt do t’ia jepja çelësat e banesës sime, ato padyshim do t’ia jepja Satkut, Vehapit dhe Seadit. Mirëpo, kanë kohë që nuk jetojnë më. Ndaj, unë do të doja t’ia dorëzoja z. Rama çelësat e shtëpisë sime dhe po të kisha mundësi, edhe ato të Beogradit. Shtëpia është e shenjtë dhe çelësat nuk u jepen gjithkujt.

Marrë nga E-Novine. Autori asht aktor dhe i biri i komikut ma te famshem te Serbise, Miodrag Petrovic, i njoftun si Ckalja.