Replika me ish shpijunin e SHIK te Enver Hoxhes – Nasho Jorgaqi – per Fishten

u1_gjergjfishta

Frano-Kulli2FRANO KULLI

Në një shkrim të paradoditëve, nën titullin: “A flirtoi Fishta me fashizmin?”, Nasho Jorgaqi shkruan: Për fat të keq, kleri katolik shqiptar, që trashëgoi një traditë të shkëlqyer në historinë tonë kombëtare, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi, kleri katolik, në një mënyrë a në një tjetër, i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore, duke i cilësuar legjionet e saj “pëllumba të Krishtit”, e mbështeti “rendin e ri fashist” dhe u vu në rolin e bashkëpunëtorit të tij.

Për këtë flasin qartë arkivat, dokumentet e viteve 1939- 1944… Dhe në qendër të arsyetimeve, për të përmbushur idenë e paracaktuar, vihet Fishta: “Fishta, dashur pa dashur, flirtoi dhe u kthye ose u përdor si ithtar i pushtuesve”. Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi, nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, po dhe përtej, në nisjen e jetës së pasosur.

Jo vetëm nga dishepujt e tij, për të cilët qe ylli polar, se kjo do të qe e zakontë dhe e papërfillshme për t’u përmendur, por edhe nga personalitetet më të shquara të shkrimtarisë e të kulturës në vendin e vet, në Ballkan e në vende përreth të Evropës: Maksimillian Lamberz, Norbert Jokli, Petrotta, A.Balldacci, Erwin Stranik, Gabriele d’Annunzio, Karl Steinmetzi, Agostino Gemelli…, Faik Konica, Aleksander Xhuvani, Lasgush Poradeci, Asdreni, Koliqi, Lefter Dilo, Martin Camaj… etj., etj.

I rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri, deri më 30 dhjetor 1940, kur mbylli sytë. Njëri syresh, Luigi Federzoni, shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm i kohës, pas vdekjes së Fishtës shkruan: Në të [Fishten] kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tashti e dijmë se vepra ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve (“Gjergj Fishta” numër përkujtimuer, botuar nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë 1941, fq.6).

E, është e ditur se Federzoni përposë se kryesuesi i Akademisë Italiane qe edhe ministri fashist i Italisë. Por, siç shihet, ai vë në dukje të tjera “flirte” të Fishtës, me atdheun, me kombin, cilësi, të cilat kumbuan me gjithë forcën e autoritetit dhe të dashurisë së pakufishme që ai gëzonte prej popullit të vet, por edhe prej elitës (kontemporane) bashkëkohore europiane. Dhe nuk përmend aspak ndonjë flirt me fashizmin…

Duhet të vësh syze shumë të imta për të kërkuar gjilpërën në kashtë dhe prapë zor se mund të gjesh qoftë edhe një nuancë flirtimi të Fishtës me fashizmin, edhe përmes këtij pohimi të Federzoni-t, i cili do të ishte i interesuari i parë t’i atribuonte nderimit të Fishtës flirte me to. …Akademik i Akademisë Mbretërore të Italisë, Fishta, ka marrë edhe shumë më herët 4 dekorata shumë të larta; “Mearif kl.II, prej qeverisë osmane, më 1912, “Rittekreuz” prej Austro-Hungarisë së 1912-s, “Medaglia di Benemerenza, më 1925 prej Papa Piut të XI-të, “Phoenix”, më 1932 prej Mbretit të Greqisë. Po ka edhe një dhuratë simbolike prej Krajl Nikollës së Malit të Zi, Fishta.

Dhurata është një “teste” (12 copë) lugësh e pirunjsh ari, të cilat Fishta i kishte vendosur në një vend të dukshëm në Kuvendin e Gjuhadolit ku banonte dhe kur vizitorët e tij të shumtë e të shumsyresh e pyesnin për to, ai thoshte, jo pa ironi: “punë krajlash” (T. Çobani, Koha Jonë, 14 qershor 2015)… Dhe, nëse dhuratat e nderimet për të e aq më shumë anëtarësimin në Akademinë e Italisë, do t’i çmonim edhe si rrjedhojë e flirteve të Fishtës, do të duhej të thuhej se ai ka flirtuar edhe me Malin e Zi…

Ndokush priste që kleri katolik shqiptar, atdhetaria e të cilit kishte konfermë historike, të bëhej palë me njësitet guerrile partizane dhe atentatet e tyre ideologjike, gjatë Luftës së Dytë Botërore, por më parë është mirë të sillet në përmendje të publikut Konferencën e Paqes, në vitin 1919. Atë delegacion, produkti i dobishëm historik i të cilit është i njohur për Shqipërinë, e kanë përbërë dhe kryesuar klerikë si Mons. Luigj Bumçi e At Gjergj Fishta dhe atdhetarë si Mit’hat Frashëri. Kurse një dërgatë e “Missëve” (anëtarëve të sipërpërmendur të këtij delegacioni), në një audience te Papa Benedikti i 6-të bëjnë të mundur të shpëtojnë nga kthetrat e fqinjëve Korça e Gjirokastra.

Apo nuk çmohet si i tillë dhe brenda dimensionit të lirisë kombëtareKongresi i Manastirit dhe gjithë ajo çka u bë aty për gjuhën shqipe, si premisë e parë e ekzistencës së kombit!… Dhe roli i Fishtës aty, sigurisht që është i njohur. Klerikët shqiptarë katolikë nuk qenë aq të paditur e të painformuar sa të mos e kuptonin murtajën që do të vinte, me instalimin në pushtet të komunistëve. Madje si dhe atdhetarët e tjerë të vërtetë të Shqipërisë ata e paralajmëruan këtë rrezik që vinte prej kësaj murtaje. Apo, mos vallë kërkohej që prelatët katolikë të rrëmbenin pushkët e të dilnin në mal me partizanët dhe vetëm kështu do ta shërbenin kauzën e Lirisë?!…

Për kauzën e Lirisë, kontributi i tyre është, pa më të voglën mëdyshje i paqortueshëm. Sikurse është i paekuivok qëndrimi i tyre gjitherë përkundër regjimeve, në krah të vegjëlisë. Është gjithashtu fakt i njohur se Fishta qe aspak i preferuar për regjimin e kohës kur jetoi, në opozitë publike me të dhe gjithmonë në mënyrë konsistente në krahun e vegjëlisë e jo të regjimeve. Madje për një periudhë dyvjeçare u detyrua të largohej prej vendit të vet, nën presionin e regjimit.

Kurse një tjetër prelat të Kishës katolike, Dom Gjon Gazullin, regjimi mbretëror e dënoi me varje, si kundërshtar të vetin, kurse i vëllai, pati thuajse të njëjtin fat në regjimin pasues. Në shërbim të idesë së flirtimit të Fishtës, në shkrimin e mësipërmpërmendur sillen edhe kujtimet e At Zef Pllumbit… Është shumë e besueshme gjithçka shkruan Pader Zefi për Fishtën, ai qe një dishepull i spikatur i tij, që me të tjerë bashkëvëllezër françeskanë të vegjël e të mëdhenj e kanë përjetuar si ata e kërkush mospajtimin e Fishtës me pushtimin.

Çdo aludim tjetër që tejkalon mospajtimin me fashizmin është i kërkuar, jo i vërtetë dhe jo historik… Dhe, më së paku jo dashamirës dhe fyes për veprën e 38 martirëve të kishës katolike, lumturimi i të cilëve do të bëhet këto ditë…