Rolf Bauerdick: Shqipëria, vendi me dy fytyra

Rolf Bauerdick

Rolf Bauerdick

Autori i këtij artikulli, Rolf Bauerdick, i cili ka bërë një reportazh nëpër disa qytete të Shqipërisë, është autor librash dhe fotograf. Për romanin e tij “Si shkoi Madona në hënë” në vitin 2012 ai u nderua me “Çmimin Evropian të Librit”. Në vitin 2013 doli libri i tij shumë i diskutuar “Ciganët – takime me një popull të padëshiruar”, dhe në vitin 2015 doli romani tjetër i tij “Pakot për zonjën Blech”.

***

Një shtëpi që nuk bie në sy, në një rrugicë që gjithashtu nuk bie në sy, në qytetin e Shkodrës në Shqipërinë e Veriut. Unë trokas në derë pa lajmëruar. Pjerin Sheldija më hap derën. Me xhaketë, sapo është rruar dhe me një kravatë të lidhur në mënyrë korrekte, ai të jep përshtypjen e një burri që nuk duron asnjë neglizhencë. Me mirësjellje 77-vjeçari më fton në atelienë e tij, përgatit kafe moka, më qeras me kek dhe shurup trëndafili me sheqer dhe më kërkon disa herë falje që nuk mund ta qerasë mikun ashtu siç duhet. Bashkëshortja e tij nuk ndodhet për momentin në shtëpi. Pastaj Sheldija më tregon momente nga jeta e tij. Në tri kate është vendosur stivë bilanci i krijimtarisë së tij të pareshtur si piktor. Një koleksion i pafund me piktura të rrëfen për majat dhe humnerat e një artisti kontradiktor. Dhe për më tepër: krijimtaria e gjerë e Sheldisë, nuk pasqyron vetëm historinë e tij, por dhe historinë e vendlindjes së tij të dërrmuar. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë u hodh para 25 viteve në grumbullin e plehrave të historisë, por në fakt vendi ende nuk e ka marrë veten deri më sot nga eksperimentimi komunist.

Sheldija: Vendi po vyshkej nën komunizëm, por në pikturat tona duhej të lulëzonte

Pikturat e Pjerin Sheldisë nga koha e diktaturës dëshmojnë për një botë groteske të rremë. “Unë e di këtë gjë – thotë ai- dhe më vjen turp për këtë”. Duke iu bindur udhëzimeve strikte të realizmit socialist, Sheldija solli në telajo atë çka kërkonin censuruesit e Partisë nga artistët. “Vendi po vyshkej, por në pikturat tona gjithçka duhej të lulëzonte – bujqësia, industria dhe njerëzit. Ata duhej të paraqiteshin të mirushqyer dhe të fuqishëm, të suksesshëm dhe duke rrezatuar mirënjohje ndaj udhëheqjes politike”. Kur një shok i Sheldisë kishte portretizuar në vend të heroit të klasës punëtore, minatorë të vetëdijshëm dhe u dënua me 15 vjet punë të detyruar në një kamp internimi, Sheldija iu bind terrorit intelektual.

Sheldija: Unë isha baba i tre fëmijëve dhe ua kisha frikën burgjeve

Arsyeja ishte sa e thjeshtë, aq edhe e kuptueshme: “Unë isha baba i tre fëmijëve dhe ua kisha frikën burgjeve.” Ndërkohë çmimi që pagoi për këtë besnikëri ndaj shtetit ishte i lartë: “Unë kam jetuar në plogështi. Gjithnjë e kam ndjerë veten të pashpresë, pa kurrfarë frymëzimi, dhe me shumë zor kam mundur të shoh veten në pasqyrë. Frika dhe mosbesimi na shkatërruan ne të gjithë”.

Kur u përmbys Republika Popullore në 1990 pas 45 viteve, despotët Enver Hoxha dhe Ramiz Alia e kishin shkatërruar tashmë vendin, i kishin konsumuar njerëzit dhe i kishin shkretuar shpirtrat. Në një çmenduri paranoide kërcënimesh, Shqipëria e shihte veten të rrethuar nga armiq kapitalistë dhe të tradhtuar nga vëllezërit socialistë. Duke i prerë marrëdhëniet me të gjithë aleatët, duke filluar me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik deri te Kina, Hoxha e kishte çuar Shqipërinë në izolim, për sa i përket politikës së jashtme. Brenda vendit ai krijoi nëpërmjet Sigurimit të Shtetit një sistem frike dhe terrori, i cili bëri edhe një emër të keq, për shkak dhe të armiqësisë që i shpalli besimit fetar.

Në vitin 1967 Shqipëria shpalli “vendin e parë ateist në botë”

Në vitin 1967 Shqipëria shpalli “vendin e parë ateist në botë”. Shkollat fetare u mbyllën, kishat dhe xhamitë u kthyen në sheshe sporti dhe në magazina. Besimi fetar, nëpërmjet një dekreti të Qeverisë u shpall “helm”, “opium”, që paralizon aktivitetet revolucionare të masave. Njerëzit i ndiejnë deri në ditët e sotme pasojat e spastrimit fetar dhe të mohimit të fesë. Në asnjë vend tjetër të Evropës, nuk janë aq pranë njëri-tjetrit fatalizmi dhe dëshira për liri, papërgjegjshmëria dhe shpirtmadhësia, mediokriteti dhe zemërgjerësia, si në këtë vend të Ballkanit, flamuri kombëtar i të cilit i shkon për shtat mentalitetit të njerëzve: i dyzuar-ashtu si shqiponja e zezë dykrenare në sfond të kuq.

Në Shqipëri jetojnë sot afërsisht 3 milionë banorë. Më tepër se 1 milion shqiptarë e kanë braktisur vendin në drejtim të Evropës dhe Amerikës. Përveç kësaj janë boshatisur edhe me qindra fshatra të largëta në zonën e Alpeve në Veri të Shqipërisë. Në ato zona ku numri i banorëve llogaritet në bazë të numrit të oxhaqeve me tym, çdokush ëndërron ajër të pastër dhe ujë të pastër burimi. Të gjitha në këto zona lavdërojnë perimet e freskëta dhe vajin e ullirit. Dhe natyrisht, vera është më e shijshme, djathi i dhisë më i mirë dhe rakia e shtëpisë më me cilësi sesa gjithë prodhimet industriale të qytetit. Por mbas këtij lavdërimi që i bëhet vendlindjes nga banorët (për këto ushqime të mira), vjen psherëtima e shqetësuar, se nuk mund të jetohet më vetëm duke pasur disa lopë dhe dele.

“Kudo bunkerë qesharakë, me të cilët Hoxha mendonte t’i bënte ballë imperializmit”

Shkaku i këtij rrënimi të këtyre zonave u bënë familjet me shumë fëmijë dhe ato të varfëruara. Ato ishin të parat që u larguan. Pastaj u mbyllën spitalet, farmacitë dhe ambulancat, më tej u mbyllën dyqanet ushqimore, shkollat e fshatit u shkretuan, autobusët nuk vinin më dhe atje mbeti shtresa më e dobët, vetëm të sëmurët dhe njerëzit e varfër, me kostumet tradicionale të zeza, me kafshët e transportit dhe karrocat me gomerë. Ndërkaq u trefishua numri i banorëve në qytetin metropol Tiranë, vetëm në dy dekada me rreth 800.000 banorë. Në periferi të qyteteve të bien në sy pasojat e braktisjes së fshatit. Në lagje që rriten si në xhungël, ngrihen karabinatë e ndërtesave, ashtu si dikur bunkerët prej betoni që janë kudo të pranishëm; bunkerë qesharakë, me të cilët Enver Hoxha mendonte t’i bënte ballë imperializmit.

Komuna me emrin Porto Romano nuk është e shënuar në asnjë hartë të vendit. Në vendin e askujt, jo shumë larg nga vendi ku grumbullohen plehrat e qytetit bregdetar Durrës, janë vendosur 50 familje nga fshati malor Dardha. Midis tyre dhe familja Aliaj. Çfarë e solli këtë familje në këtë komunë aspak tërheqëse? “Money”, “Money”. Zonja e shtëpisë Dusha, fërkon gishtin tregues me gishtin e madh. “Në Tiranë dhe në Shkodër, trualli është shumë i shtrenjtë”. “Po këtu?” “Këtu toka është e shtetit”. Ajo do të thotë me fjalë të tjera, se toka këtu nuk i përket askujt. Kjo kuptohet kështu: “Toka i takon atij që e zapton”. Numri i shtëpive të ndërtuara pa leje në tokë të shtetit llogaritet në Shqipëri deri në 500.000. Dy vajza dhe djali më i vogël i familjes, gjetën në Durrës atë çka u mungonte në Dardhë: punë. Vetëm 200 euro fitojnë në një fabrikë tekstili dhe si kamerier në një kafene. “Por mua më mungojnë malet”, thotë Leze Aliaj. “Stinët e verës janë të mrekullueshme atje. Vetëm dimri nuk përballohet. E ftohta, bora që arrin deri në gjoks. Nga dhjetori deri në prill je i shkëputur nga bota. Nga treqind oxhaqet e dikurshme, tani nxjerrin tym vetëm shtatëdhjetë”.

At Ivan Attard: Gjatë ceremonisë së meshës në Porto-Romano, gratë ma ndërpresin fjalën

Mallin për fshatin e tyre e morën me vete në qytet, por ata lanë mbrapa ndoshta rregullin më të rëndësishëm të bashkëjetesës në malësi: interesi i përbashkët vlen mbi interesin e secilit. Ky ligj nuk vlen në ambientin urban. Askush nuk e di këtë më mirë sesa At Ivan Attard, prifti i Porto Romanos. Ai i përshkruan njerëzit në komunën e tij si “të ndjeshëm dhe që meritojnë dashuri, por dhe ta thonë drejtpërdrejt atë që kanë dhe e kanë të vështirë që të mësohen me normat e civilizuara të qyteteve.”

Prifti është mësuar me sharjet dhe mallkimet vulgare, ashtu dhe me faktin, se gratë gjatë ceremonisë së meshës ia ndërpresin fjalën kur nuk u pëlqen predikimi. Falë Zotit, prifti është i bekuar me humor. Por humori i mbaron atëherë kur bëhet fjalë për interesin e përbashkët. E thënë më saktë, kur është fjala për mungesën e këtij interesi. “Shumë familje kanë nevojë për ndihmë. Por shpesh familjet nuk janë të gatshme të ndihmojnë njëra–tjetrën”. Prifti ka dëshirë t’i kuptojë këta njerëz. “Në kohën e kaluar ata u janë bindur ligjeve të familjes së madhe, pastaj ata iu bindën tiranisë, tani ata mendojnë se shteti duhet të rregullojë jetën e tyre”. Ai kërkon nga komuniteti i tij një ndryshim radikal të mënyrës së të menduarit të tyre.

“Komunizmi i ka poshtëruar njerëzit dhe e ka shkatërruar ndjenjën e tyre të përgjegjësisë”

“Komunizmi i ka poshtëruar njerëzit dhe e ka shkatërruar ndjenjën e tyre të përgjegjësisë. Në kapitalizëm secili është vetë përgjegjës për veten. Ajo që na mungon këtu është kultura e përgjegjësisë, ku njerëzit të ndihmojnë njëri–tjetrin”.

Në asnjë diktaturë tjetër në Evropë, besimi fetar nuk u shfaros aq thellë deri në rrënjë, si në rastin e Shqipërisë socialiste. Rreth pesëmijë deri gjashtëmijë njerëz, shërbyes të besimit, u ekzekutuan, me qindra të tjerë u dërguan në burgje dhe u torturuan. Vetëm po të mbaje në shtëpi një kryq ose një kurorë me trëndafila, të kanosej dënimi me vdekje. U mboll fara e tmerrit. Deri sot ndihen pasojat e këtij shkretimi besimtar. Gjatë një numërimi të popullsisë në vitin 2011, vetëm 2,5 për qind e popullsisë, kryesisht shqiptarë myslimanë dhe katolikë, e deklaroi veten si ateiste. Si mund ta kuptosh këtë?! Meqë në shkolla nuk jepet mësim fetar, as etikë, asnjë nuk i njeh, sipas At Ivan Attard “dhjetë predikimet”. Nuk është për t’u çuditur, që si pasojë e vakumit shpirtëror u fuqizua një sistem arkaik vlerash shpirtërore, që bazohet në parimet e gjakut dhe të nderit. Me qindra vjet, ndjenja e bashkësisë sociale u mbajt gjallë dhe u ruajt, në sajë të respektimit dhe besnikërisë brenda farefisit si dhe respektimit të kodeksit të normave të një vetëdijeje patriarkaliste për nderin. Këto norma janë trashëguar nëpërmjet të ashtuquajturit Kanun, një kod rreth 600-vjeçar, që e gjen zanafillën te Lek Dukagjini. Kanuni ishte i plotfuqishëm dhe vazhdon të jetë, më i fuqishëm se gjithsecili, se familja dhe shteti i shkatërruar.

“Në bazë të 1.300 paragrafëve të Kanunit janë zgjidhur të gjitha konfliktet e pronësisë”

Në bazë të 1.300 paragrafëve të Kanunit janë zgjidhur të gjitha konfliktet e pronësisë, janë rregulluar konfliktet për ndarje kufiri mes fqinjëve. Dhe mikpritja e famshme shqiptare i ka atje rrënjët e veta: “Shtëpia e shqiptarit është shtëpia e Zotit dhe e mikut.” Për shkelje të mikpritjes ka pasur një katalog plot më dënime, si dhe në rast shkeljeje të martesës, për vjedhje të bagëtisë, për shkelje të nderit ose vjedhje. Shkelja e nderit konsiderohej sipas Kanunit, si faji më i rëndë. Një njeriu i merret nderi, duke e fajësuar publikisht si gënjeshtar, ose duke e pështyrë ose goditur, duke e mashtruar ose duke ia hedhur sytë gruas së tij. Në rastin e një vrasjeje, sipas Kanunit vetëm gjaku i një burri nga fisi i fajtorit, mund ta vërë në vend nderin e humbur. Me plumb. “Zoti na dha dy gisht nderin në mes të ballit”, thuhet në Kanun. Por ajo që dikur vlerësohej si një akt i nderuar për vënien në vend të krenarisë burrërore, është kthyer sot në një justifikim të gjakmarrjes edhe në luftën midis kriminelëve. Gjakmarrja ka shkaktuar 9.000 viktima në 25 vitet e fundit. Çdo vrasje në emër të nderit, nuk bën gjë tjetër, veçse i shton ciklit të vrasjes edhe cikle të tjera të reja.

Piktori Pjerin Sheldija kërkon në pikturat e tij rrugë për të dalë nga marrëzia e dhunës

Piktori Pjerin Sheldija kërkon në pikturat e tij rrugë për të dalë nga marrëzia e dhunës, mjete shëruese për të kuruar plagët e hapura të historisë shqiptare. Këto piktura i takojnë jetës së tij të dytë prej artisti. Sikur kërkon të shfajësojë veten, ai pikturon sot vetëm motive për të cilat dikur do të ishte ekzekutuar. Në piktura murale, kryesisht nëpër kisha, ai apelon për një kulturë të faljes, të pajtimit dhe të bashkëjetesës. Në veprat e tij vihet re se ai i qëndron besnik një gjuhe figurative tradicionale dhe e kërkon orientimin tek e kaluara. Por në të gjitha portretet e tij të heronjve të luftës shqiptare për Pavarësi, në të gjitha afresket e martirëve të krishterë dhe myslimanë, që dhanë jetën për hir të besimit të tyre, flet dëshira e madhe, për t’i rikthyer një populli dikur aq krenar, ndjenjën e atij dinjiteti, që tirania ia kishte marrë nëpër këmbë.

Në Shqipërinë pas socialiste, në të cilën gjithsecili paska qenë një viktimë e diktaturës dhe askush nuk e paska mbështetur atë, bie në sy piktori i vjetër si një karakter i ndershëm, që nuk gënjen për të kaluarën e tij. Sheldija nuk e fsheh historinë e tij, duke pranuar pa ekuivoke gabimet e veta. “Unë e ndiej veten mirënjohës dhe të privilegjuar që sot kam mundësi të pikturoj atë që dua”. Shpërblimi i tij për piktura të papaguara në kisha, manastire dhe kishëza, aludon në mënyrë modeste: bojëra piktori, një krevat për t’u çlodhur, të ardhura sa për t’u ushqyer dhe ndjenja e mirë, se po pikturon “kundër gënjeshtrave të historisë”.

Përktheu Etleva Hoxha, mësuese e gjuhës gjermane për të huajt në Gjermani dhe e gjuhës shqipe në Oberhausen, Gjermani