Rrethi ynë vicioz!

petrit musolli
Petrit Musolli

Korrupcionin e krimin e organizuem e luftojmë me nacionalizëm. Nacionalizmin me islamizëm. Islamizmin me korrupcion e krim të organizuem. Ky asht rrethi ynë vicioz që kem ndërtue, e pak shpresë duket se kem me kalue!

Elitat tona politike, tue trashëgue nji mentalitet të dominimit të shoqnisë dhe jo përfaqësimit të saj, si pasojë e pushteteve autoritare, të vetmet që kem njoftë (para, por edhe pas lufte – me UNMIK’un autoritar), edhe sot e kanë zor me besue se mundet me ekzistue nji shoqni qytetare për me artikulue interesa e mendim politik.

Simbas kësaj logjike të trashëgueme, pushtetet diktojnë politika – e nuk i reprezentojnë ato, si produkt i nji vizioni e vullneti të përgjithshëm qytetar!Por, meqenëse qytetarët e kanë sot nji të drejtë deklarimi (për zgjedhjen e tyne), nëpërmjet votës së tyne, që nuk e kanë pasur as para lufte (nën regjimin e Jugosllavisë e Serbisë) e as pas lufte – për me ndikue në politikat e UNMIK’ut, janë të detyruem që me ju nënshtrue nji vullenti e përcaktimi politik të masës shoqnore. Por, sikurse dje, edhe sot, edhe për këtë elitë politike, kjo masë nuk përban ndonji vlerë politike e as qytetare – për me reprezentue nji mendim politik.

Të nisun nga ky paragjykim për qytetarinë tonë si shoqni, e në anën tjetër, të detyruem me ju dorëzue deklarimit të tyne, bajnë ate çka bajnë tana elitat politike që kanë ambicie me dominue e jo reprezentue. Manipulojnë masën! Dhe, si asht e vërtetueme historikisht, emocioni asht ai që mobilizion e dikton masat. Mirëpo, masat e diktueme nga emocioni përmbysin çdo përpjekje me arsyetue.

Prandaj, sot, shoqnia asht e ndame (polarizume) në interpretime ekstreme, sepse politika jonë ka krijue versione ekstreme të interpretimit! Secili përfaqësim politik, ka ndërtue kauzën e vet tue prodhue sentimenatlizëm e jo argumente.

Prandaj, sot, debati ynë ka degjenerue deri në këtë shkallë reduktimi; në Patriotë e Tardhtarë! Dhe, kur banalizohet deri në këtë masë çdo interpretim, për çfarëdo dileme të ngritun, pos dhunës rrugë tjetër nuk mbetet! Sepse, paragjykimi dominon çdo arsyeshmëni tjetër! E, si dihet, ma lehtë asht me paragjykue, sesa me arsyetue.

Ajo çka ka ba deri tash kjo elitë përfaqësuese politike, ka qenë pikërisht kjo, me krijue sa ma shumë masa paragjykuese, për me mujt me shtri ndikimin e vet politik, pa dhanë ndonji shpjegim arsyetues. Veprimet e qëndrimet politike, sot, nuk janë të ndërtume mbi argumentin e kundërargumentin. Ato janë thjesht “shpërthime emocionale” për me depërtue në shtresa të caktume të shoqnisë, ku ata besojnë se mundem me manipulue. Sepse, ky përfaqësim politik nuk rivalizon as reflekton kulturë debatimi e arsyetimi për dallimet e dyshimet. Përkundrazi, promovon ekstremizmin në interpretim. Tue i shndërrue në religjion, agjendat e veta politike! Tue na ba me u sill mbrenda nji rrethi, ku veç arsyeshmëni s’ka!