Rreziku i transformimit të demokracisë në Shqipni në nji mafio-kraci

Fabian Zhilla

 

 

Shqipëria është një ndër ato vende të cilat po kalon një tranzicion të vështirë politik. Ky ngërç politik vihet re edhe në forcimin e shtetit ligjor siç është reforma e sistemit të drejtësisë. Problematika që shoqëron gjetjen e një zgjidhje të pranueshme nga klasa politike për pastrimin e gjyqësorit nga korrupsioni dhe më pas dekriminalizmin e klasës politike nga lidhja me krimin, në fakt janë tregues sesa i vështirë është demokratizimi i politikës shqiptare. Një shpjegimi i këtij ngërçi është kriminalizimi i elitës (politike, ekonomike dhe intelektuale) e cila qëllimisht e pengon këtë proces pasi demokratizimi do të thyente “embargon” që ka vendosur kjo “elitë” mbi politikbërjen në këtë vend.
Duhet pranuar që demokracia tek ne është ende një “demokraci fasadë” e cila rrezikohet nga kapja e elitave të kriminalizuara të cilat kanë arritur që gradualisht të influencojnë ligj-bërjen në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Aksesi i individëve fuqishëm të cilët vijnë nga krimi i organizuar dhe janë përfshirë në parlament dhe partitë politike, rrezikon ta kthejë demokracinë në Shqipëri në një “mafio-kraci”. Federiko Varese, profesor në Universitetin e Oksfordit, cilëson se mafia është një strukturë informale e cila kontrollon shpërndarjen e të drejtave të pronësisë. Me pak fjalë, çdo organizatë ose grup shoqëror i cili tjetërson të mirat ekonomike nëpërmjet formave të paligjshme është grupim mafioz. Bazuar në këtë përcaktim, “mafio-kracia” do të jetë atëherë kur zgjedhjet politike dhe lokale orientohen apo influencohen nga krimi i organizuar për të kontrolluar shpërndarjen e lirive ekonomike dhe politike të shoqërisë nëpërmjet kapjes së institucioneve të cilat merren me bërjen e ligjit siç janë parlamenti dhe partitë politike. Pra “mafio-kracia” është “monopolizimi” i institucioneve demokratike me mjete kriminale në funksion të interesave private. Mafio-kracia është në konflikt me demokracinë dhe sjell një dobësim gradual të saj duke ulur ndjeshëm demokratizimin e zgjedhjeve brenda partive politike dhe si rrjedhim edhe emërimet në institucionet publike. Ky fenomen njihet ndryshe edhe si “defiçit” demokratik.
Një ndër indikatorët e defiçitit demokratik në shoqëritë ish-komuniste është niveli i lartë i kriminalizmit të politikës dhe raporti i zhdrejtë midis shtetit ligjor dhe krimit të organizuar. Dhe kjo sipas Ivan Krastev është një karakteristikë e vendeve të Balkanit Perëndimor të cilat jo pa qëllim cilësohen si “shtete të dobëta”. Kjo shihet edhe në raportin midis cilësisë së ligjeve dhe zbatimit të tyre. Shqipëria sipas Balfour dhe Stratulat (2011) ka raportin më të zhdrejtë ndër vendet e rajonit dhe si rrjedhojë dhe indeksin më të ulët të efiçences së Demokracisë me rreth 13.13 krahasuar me Kroacinë që e ka 74.25 apo Serbinë 28.8. Për shembull në vitin 2011 standarti i cilësisë së ligjit (të drejtat dhe mbrojtjen që ofron ligji) në Shqipëri ishte 66.66 nga 83.33 që e kishte Kroacia apo 75 Serbia. Ndërsa shkalla e zbatimit të ligjit në Shqiperi është në nivelet 197 nga 891 që e ka Kroacia apo 384 që e kishte Serbia. Situata nuk duket të jetë përmirësuar. Dhe ky raport midis cilësisë deri diku të mirë te ligjeve por zbatim difektoz të tyre lidhet edhe me kriminalizmin e organeve ligjbërëse dhe ligjzbatuese. Kështu në parlamentin aktual (i zgjedhur në vitin 2013) mendohet të ketë një numër të konsiderueshëm deputetësh më një të shkuar kriminale. Megjithë presionin e ndërkombëtarëve ky fenomen vijoji edhe në zgjedhjet lokale të 2015-ës . Pritet që me ligjin e ri kundër dekriminalizmit situata të ndryshojë. Sidoqoftë, ndonëse një hap shumë pozitiv, ky ligj nuk mund të ezaurojë të gjithë procesin e dekriminalizimit ose atë që mund të quhet dekriminalizmin indirekt. Pra moslejimi i individëve me të shkuar kriminale në institutcionet zyrtare nuk përjashton rolin indirekt të njerëzve të lidhur me krimin të vazhdojnë të influencojnë politik-bërjen. Në fakt kjo është sfida në periudhë afat gjatë që duhet të adresohet nga partitë politike shqiptare. Por a është e mundur kjo në praktikë të ndodhë ndërkohë që të ashtëquajturit individë të “fortë” kanë një ndikim të konsiderueshëm në zonat e tyre të influencës. Si shpjegohet që partitë politike janë gati të paafta të integrojnë individë të ndershëm dhe këta të fundit të kenë mundësi të votohen në komunitet? Dhe si është e mundur që individë që vijnë nga bota e krimit zgjidhen nga kryetarët e partive politike dhe votohen nga shoqëria?
Një shpjegim është se sot ka një fuqizim të krimit të organizuar i cili tashmë ka arritur të dalë nga bota informale dhe të kërkojë të imponohet në hapësirën legale. Ata individë të cilët për një arsye ose tjetër gjatë periudhës së tranzicionit u pasuruan nëpërmjet krimit më pas u investuan në biznese. Dhe gradualisht nga drejtues strukturash kriminale u kthyen në presidentë kompanish private duke drejtuar aktivitete tregtare të ligjshme. Ky fenomen solli pastrimin e pasurive të tyre të paligjshme gjë që iu krijoji atyre mundësinë të futen shumë shpejt në ekonomi duke kapërcyer artificialisht fazat e konkurencës që një biznesi të ligjshëm i duhet të kalojë nga një biznes i vogël në biznes të madh. Këta “biznesmenë-mafiozë” arritën të mbajnë lidhje midis të dy botëve, asaj kriminale dhe asaj të ligjshme. Politikës shqiptare i janë dashur të dy “karakteret”. Nëse deri dje kriminelët ndihmonin pas “kuintave” sot ata “bisnesmenët-mafiozë” kanë dalë dukshëm duke marrë përgjegjësi dhe role publike. Nga “bisnesmen-mafiozë” kemi kaluar në “mafiozët-politikanë” (mafio-kratët). Këta të fundit kanë tashmë kapacitetet e nevojshme financiare dhe njerëzore për t’iu ofruar politikanëve mundësinë e fitoreve elektorale. Të parët disponojnë forcën e parasë dhe të “muskujve”. Prej 25 vitesh, në kompromis me politikën, ata kanë arritur të jenë “qeveria” hije brenda shtetit në zonat ku ata veprojnë. Sot “mafio-kratët” jo pak herë keq-përdorin pushtetin për të shtrirë ndikimin e tyre në institutucionet shqiptare nëpërmjet emërimeve në pozicione drejtuese të njerzëve të tyre. Dhe kjo gradualisht po sjell kapjen e shtetit duke vënë nën presion qeverisjen qëndrore. Sot “mafio-kratët” kanë pushtet të padiskutueshëm në zonat e tyre zgjedhore. Ata emërojnë drejtorët e shkollave, të rajoneve të policisë, komunave, spitaleve etj. Tashmë ata kanë një jetë politikë të dyfishtë, dinë të përfaqësojnë por vazhdojnë të kenë rol edhe në botën kriminale. Jeta politike e dyfishtë i bën ata vështirë të lexueshëm. Sot mendohet që në nivel lokal ka një amalgam të politikës- biznesit dhe krimit i cili ka arritur të ketë kontroll në çdo zgjedhje (lokale apo politike). Nuk është çudi më që “mafio-kratët” të arrijnë të nxjerrin deputetë dhe kryetar bashkie. Ajo që përbën shqetësim është se nëse deri dje ky fenomen ishte në nivel rural ose qyetetesh të vogla, sot shtrirja e kontrollit të mafiozëve politikanë po shkon drejt kapjes se qyteteve të rëndësishme.
Në këtë kontekst, paketa e reformave që synojnë dekriminalizimin e institucioneve shqiptare si dhe luftën kundër korrupsionit në drejtësi është një paketë e cila ve në një test serioz klasën politike për të dalluar “mafio-kratët” nga “demokratët”. Dhe kjo reformë do të kuptohet si reformë që kërkon të ç’instalojë mafien nga politika vetëm dhe atëherë kur klasa politika të jetë në shërbim të reformave dhe jo reformat në shërbim të “mafio-kracisë”. /BIRN/