Petrit Selimi: Rruga e Kombit – Edi Rama në kurthin e Vuçiqit

rama-vucic

Petrit Selimi

Këtë verë në Paris u zhvillua samiti i tretë i shteteve të Ballkanit Perëndimor, nën ombrellën e “Procesit të Berlinit”. Kjo seri takimesh u lansua në Berlin nga vetë Kancelarja gjermane Merkel me qëllim të përkrahjes së rajonit në projekte të infrastrukturës por me synim zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore midis shteteve që jo shumë dekada më parë ishin në luftëra, të inspiruara nga Beogradi. Procesi i Berlinit ka krijuar një platformë të mirë të shtyrjes së agjendës integruese për shtetet e Ballkanit që ende nuk janë anëtare të BE-së.
Shqipëria sivjet është spikatur në samit ngase shtetet e Ballkanit u morën vesh të themelojnë një fond për shkëmbime rinore që do ta ketë selinë mu në Tiranë. Në samit janë aprovuar edhe një numër i projekteve të infrastrukturës që e diversifikojnë rrjetin rrugor dhe hekurrudhor në mes shteteve në Ballkanin Perëndimor. Një nga këto projekte është edhe zgjatja e Autostradës së Kombit përtej kufirit të Kosovës, nga Merdarja në Nish. Ky ekstenzion i autostradës do ta lidhë Shqipërinë, por edhe Malin e Zi, me Beogradin, Zagrebin dhe Budapestin.
Autostrada në mes Kosovës dhe Shqipërisë është projekt super i suksesshëm. Si kurrë më parë në histori, Kosova dhe Shqipëria kanë krijuar një bosht të vërtetë të komunikimit. Vetëm uikendin e shkuar, rreth 80,000 kosovarë kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet Autostradës së kombit, që në Kosovë mban emrin e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Kosovarët, që vite më parë kanë udhëtuar gjysmë ditë për të parë Velipojën, Durrësin, Tiranën apo Dhërmiun, janë shndërruar në uikend- turistë të vërtetë dhe tani udhëtojnë në Shqipëri nga dy- tri herë në vit. Të rinjtë e Prishtinës jo rrallë vendosin ad hoc të kalojnë uikendin në Tiranë dhe anasjelltas.
Autostrada është paguar jo pak nga paratë e popullit, nga tatimet e qytetarëve. Është autostradë e djersës së miliona shqiptarëve. Është projekt madhor i integrimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe më tutje të integrimit të dy shteteve me Europën qendrore dhe veriore.
Ja që Kryeministri serb Vuçiç tash e një vit po insiston në ri-emërtimin e këtij projekti kapital si autostrada “Nish – Durrës”. Në takime me BERZH e Bankën Botërore, në paraqitje mediale dhe takime me diplomatë, Vuçiç e potencon rëndësinë e “autostradës Nish – Durrës” me një gjuhë, në shikim të parë moderuese, të fokusuar në promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Politika e Tiranës nuk do të duhej të binte në këtë kurth. Janë dy probleme fondamentale me tentativën e Serbisë që “autorrugën Nish–Durrës” ta transformojë në projekt të vullnetit të mirë serb.
Çështja e parë është më shumë empirike. Autostrada prezente në mes Shqipërisë dhe Kosovës është e gjatë rreth 400 kilometra (varësisht se ku e konsideron fillimin dhe mbarimin e saj). Ndërtimi i saj ka qenë sfidues por sot ka fituar një peshë të jashtëzakonshme ekonomike por edhe simbolike. Shtojca që Serbia e bën nga Nishi në Merdare, me kredi europiane, është sa një e shtata e investimit të përbashkët të Tiranës dhe Prishtinës. Nishi është një nyje që lidh autorrugën Shkup- Zagreb me Autorrugën e Kombit. Sikurse është edhe Prizreni.
Pra, emërtimi serb i këtij projekti si “Nish– Durrës” është krejtësisht arbitrar dhe është më pak i saktë se të themi, emërtimi Durrës– Sllavonski Brod në Kroaci apo “Lezhë– Shkup”.
Por prapa këtij problemi, që mund të duket krejtësisht semantik, qëndron një çështje shumë më e thellë dhe e rrezikshme. Vuçiç është insistues dhe politika serbe janë insistuese që marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë t’i diskutojnë si marrëdhënie në mes shqiptarëve dhe serbëve. Serbia nuk ka problem të takohet me Tiranën, të takohet me “shqiptarët e Kosovës”, të financojë dhe të marrë pjesë në konferenca e tryeza me shqiptarët. Serbia asesi nuk dëshiron të ketë punë me Kosovën dhe refuzon ta përdorë termin “kosovarë” për qytetarët e Kosovës. Shikoni secilën dhe çdo deklaratë të Presidentit, kryeministrit dhe ministrave serbë. Kurrë nuk do t’i shihni tek përdorin termin kosovarë.
Serbia gjen siguri dhe komfort në diskursin etnik sepse ashtu e mban gjallë idenë e Republika Srpskës e jo Bosnjes unitare. Serbia ka qejf dhe ëndërron që disi ta “zgjidhë çështjen” e Kosovës nëpërmjet Tiranës. Kushdo që ka lexuar Qosiqin me ekip në Akademinë e Serbisë tash e 30 vite, e sheh të vërtetën e kristaltë se Serbia zyrtare me një racizëm të pashoq i ka konsideruar kosovarët apo shqiptarët e Kosovës si të padenjë për marrëdhënie të barabarta me Serbët. Sipas Serbisë, Kosova nuk është shtet. Prishtina nuk është kryeqytet shteti. Prandaj edhe nuk ka Autostradë Beograd- Prishtinë apo Prishtinë– Tiranë.
Me kontrabandimin e emërtimit të përçudnuar “Nish– Durrës”, Serbia veç sa e rivërteton insistimin për diskurs etnik.
Edhe vetë mediat serbe e pranojnë se afrimi i Tiranës dhe Beogradit ka synim shmangien e Prishtinës. Në radion ruse Sputnik, profesori serb Milan Krstiç deklaroi se “përafrimi i Beogradit me Tiranën është lëvizje taktike, sepse Beogradi zyrtar më lehtë e ka të dialogojë me Tiranën zyrtare, me të cilën ka marrëdhënie diplomatike, se sa me Prishtinën, të cilën e konsideron si pjesë të territorit të vet sovran. Prandaj Tirana mund të bëhet adresa ku do të mund të diskutohen pyetjet e shumta të hapura në mes shqiptarëve dhe serbëve”.
Qeveria e Shqipërisë nuk do të duhej të binte në kurthe të tillë. Fqinjësia e mirë është shumë e rëndësishme dhe përafrimi i Tiranës dhe Beogradit u bë i mundur vetëm pas dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit. Për këto takime që kanë fokus bashkëpunimin ekonomik apo politik, me të vërtetë nuk duhet të ketë hatërmbetje. Ama do të ishte thellësisht zhgënjyese nëse për hatër të këtij bashkëpunimi, Shqipëria të pranojë, apo të jetë dëshmitare, e ri-emërimit të Autostradës së Kombit si projekt të spektaklit vuçiçian që lidh Nishin me Durrësin.