Ruçi, degjenerimi i politikës dhe turpërimi i PD

Tomorr Alizoti

Për të gjithë ata që duan të gjejnë arsye apo justifikime për emërimin e Gramoz Ruçit si Kryetar të Parlamentit dhe Fatmir Xhafajt si ministër të Brendshëm, shoqëria duhet të ketë vetëm neveri dhe asgjë tjetër. Në vitin 2012, u dënua me 5 vjet burg Xhon Demjanuk, 91-vjeçar, për shkak se kishte qenë roje në burgun nazist në Sibohor të Polonisë, ndërsa në vitin 2016 u dënua, po me 5 vjet burg, Reinhold Hanning, i cili, gjithashtu ka qenë roje në kampin e Auschvitcit.

Imagjinoni ç’mund të thuhet në rastin e Gramoz Ruçit, i cili ka qenë ministër i Brendshëm dhe drejtor i Sigurimit Kriminal të Shtetit apo për rastin e Fatmir Xhafës, që ka qenë hetues dhe gjyqtar në një regjim genocidial-totalitarist si komunizmi. Pra, edhe rojet e kampeve po dënohen me burg gati 70 vjet pasi ka rënë nazizmi, ndërsa ne po vendosin në krye të shtetit sot, ata, që 27 vite më parë, ishin në krye të regjimit komunist. Çdo kujtim, dhimbje dhe vuajtje e komunizmit është gjallë, çdo psherëtimë apo rënkim nga torturat, piskamë nga lajmet dramatike për arrestime, burgosje apo pushkatime, çdo imazh i skalitur i kampeve të Spaçit, Burrelit dhe kujtdo tjetër është e gdhendur pashqitshmërisht në mendjet e atyre që vuajtën, por edhe tërë popullit.

Krimi kishte emër, ndonëse fshihej pas një regjimi, pas një partie, pas një ideologjie. Emrat ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, por edhe Ramiz Alia, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, Nexhat Haznedari, Fehmi Abdiu, etj., etj. Dhimbja do të na shoqërojë ne, siç do të shoqërojë hija e krimit ata, që e mbajtën në këmbë diktaturën, por edhe ata, të cilët sot, sjellin në krye të vendit njerëzit e diktaturës dhe gjejnë justifikime për rikthimin në krye të vendit të Ruçit apo Xhafajt.

Një turp i rëndë do të shoqërojë edhe ata që uzurpuan apo përdorën opozitën dhe Partinë Demokratike, duke u hequr si parti që ngrihet mbi gjakun, dhimbjet dhe idealet e atyre që masakroi komunizmi. Partia Demokratike, sot, më shumë ngrihet mbi turpërimin apo talljen me dhimbjen e atyre që u pushkatuan apo persekutuan nga komunizmi. Dy ditë më parë, grupi parlamentar i Lulzim Bashës tregoi se është aq i ndotur, sa tre prej tyre votuan pro Gramoz Ruçit.

Është e qartë se ata janë ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, të cilëve Ruçi me siguri ua ka emrat, pseudonimet dhe u njeh dosjet. Një turp më i rëndë ishte mënyra se si Lulzim Basha dhe njerëzit e tij në grupin parlamentar u përpoqën të shpjegojnë votimin. Ata e mohuan fare atë, ata thanë se Rama manipuloi votat. Në këtë moment, këto të vërteta të mëdha, të rënda dhe shumë të turpshme për partinë, lajmet, për të cilën të burgosurit e komunizmit i ndiqnin me drithërima në qeli në vitin 1990, do të zhurmohen nga një kor zvarranikësh, të cilët do të thonë se kritikët e Bashës kanë inate personale, se ata që kritikojnë Bashën, kanë qenë hajdutë dhe ministra për tetë vite, se mes tyre ka spiunë apo ish-sigurimsa etj.

Ky kor i poshtër që nuk ka asnjë ideal, nuk e ka fare problem hajdutërinë e ish-ministrave, nëse ka patur ish-ministra hajdutë, nuk e ka problem të qenit ish-spiunë të ndonjërit prej kritikëve, sepse vetëm dje u provuan se Basha minimumi, ka tre prej tyre të zgjedhur të tijtë, nuk e ka aspak problem faktin që mes kritikëve mund të ketë njerëz që kanë punuar me Nexhmije Hoxhën sepse vetë Basha ka zgjedhur njerëz të tillë më parë, por edhe tani.

Ky kor është ndoshta një prej grupeve me pa formë, pa trajtë që ka njohur ndonjëherë Shqipëria në këto 27 vite. Gramoz Ruçin apo Fatmir Xhafën nuk i emëroi Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, por Partia Demokratike dhe Lulzim Basha po tregojnë dhe kanë treguar se nuk e kanë fare shqetësim një gjë të tillë, po tregojnë, dhe këtu po tregohen të sinqertë, se ata nuk janë një grup apo një parti që ka ndonjë bindje politike, ndonjë qëndrim moral që ka lidhje me të djathtën. Partia Demokratike, sot, kori i njerëzve të Bashës, po tregojnë se janë që të gjithë një grup interesi, të cilët kanë për parim gjithçka që u bën punë.

Ata kanë parim mungesën e parimit. Gjithkush në Shqipëri, çdo demokrat sidomos, e ndien se kjo PD është një parti e tillë. Ky ishte momenti ideal që PS, një parti që në thelb nuk ka reflektuar asgjë nga krimet e komunizmit dhe nga bartja e vetëdijes kriminale të partisë së punës, të emëronte Ruçin Kryetar të Parlamentit. Ky është momenti kur PD është më e dobët se kurrë dhe ky është momenti kur PD është zhveshur krejtësisht nga çdo ide apo bindje dhe moral i djathtë.

Sigurisht, duke e ditur këtë, njerëzit pranë Bashës, deputetë të afërt të tij, po përdorin një gjuhë të ashpër kundër komunizmit, me qëllim që të fshehin sadopak karakteret bosh dhe mungesën e plotë të parimit dhe bindjeve. Kur ata shajnë apo kritikojnë komunizmin, duken si karikatura dhe kjo gjë do t’i ndjekë përgjithnjë. Të qenit i djathtë dhe antikomunist është çështje bindjeje të brendshme. Tërë lista e kandidatëve të Bashës, me përjashtime periferike, të qëllimshme, nuk pati asnjë zë të qartë, të njohur të djathtë dhe antikomunist dhe këtu nuk po flas asfare për veten.

Dua të qetësoj çdo përfitues dhe servil profesionist pranë kryetarit, se beteja ime nuk është një betejë për vendin tim në PD, por një betejë në kujtim të vuajtjeve të atyre që u masakruan sepse ishin patriotë dhe antikomunistë dhe një betejë për të dhënë një mundësi fluksit të djathtë të ketë zë. Lulzim Basha do të vazhdojë të bëjë si i djathtë, do të shtyjë njerëzit e tij bosh të flasin si të djathtë, të hakërrehen si antikomunistë, por emërimi i Ruçit do të pasohet nga të tjerë, djemtë dhe vajzat e byrosë politike do ta popullojnë gjithnjë e më shumë politikën dhe parlamentin sepse kjo është opozita më pa bojë e gjithë këtyre viteve.

Të djathtët e vërtetë, ata që e njohin se ç’është ajo, atyre që iu dhemb ajo. Ata Basha dhe grupi i tyre i mbajnë jashtë, larg, ose i përdorin si zbukurim, duke qenë deri në fund perversë. Jam i bindur se do të vijë një moment, kur vetë PD të nxjerrë në sipërfaqe atë që fsheh, të nisë të flasë për ta lënë pas atë që ka ndodhur në komunizëm, të shohim “përpara”. Në këtë moment, që nuk do jetë larg, do të kemi zyrtarisht jo më ish-gazetarë të ZP-së, apo ish-nëndrejtorë të institutit të studimeve marksiste-leninsite, por vetë njerëz të byrosë politike.

Mund të kemi edhe ne Ruçin tonë. Atëherë do të kemi ndoshta një parti të re demokratike të djathtë, nëse brenda PD nuk do të ketë patur një lëvizje për t’i dhënë kësaj pamjes së tanishme. Ia vlen shumë më tepër ta mbrosh kujtimin e atyre që u masakruan, ta nderosh dhimbjen e gjakun e atyre që u vranë apo persekutuan nga ai regjim dhe të jesh jashtë parlamentit, jashtë PD-së, se sa të jesh aty dhe të jesh karikaturë dhe votues apo mbrojtës i votuesit të Ruçit.

Shperndaje në: